Sami Uka – Shahistët që e kanë ‘shkolluar’ Kryeministrin (Foto)

0

Kryeministri që nuk e di sa zëvendësministra ka emëruar në Ministrinë e tij të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e di se mësimdhënësit luajnë shah në vend se të mbajnë orët mësimore. Natyrisht ai ka qenë dëshmitarë okular i këtij fenomeni të përhapur gjerësisht gjatë shkollimit të vet. Kësaj i thonë ‘të ndjekësh lepurin me qerre” sipas Qeverisë Haradinaj

Nga Sami Uka

Ky nuk është tregimi i plotë. E tha këtë në emër të qeverisë (pse jo edhe Kuvendit ku ishte përherë) njëri nga ata që as për 18 vite nuk arritën të njohin zyrtarisht kontributin më të veçantë dhe më të rëndësishëm të këtyre “shahistëve” në mbajtjen gjallë të arsimit shqip në Kosovë në periudhën 1990-1999.

Turpi nuk ka brirë por le t’iu shërbejë për nder atyre si dhe të ashtuquajturave Sindikata (të bashkuara apo të pavarura qofshin) të Arsimit që të vetmin mision dhe rol kanë organizimin e ekskursioneve dhe kremtimin e festave kombëtare që iu mundësojnë të nxjerrin ndonjë euro me fatura të prera blanko.

Ndërkohë, ky Kryeministër hero i gjallë, sikur mori vesh bota, me siguri i zhgënjyer nga vlerësimi i pamjaftueshëm nga populli, rriti 100 për qind pagën e vet, si veprimin e parë më shtet-formues që ka ndërmarrë si kryeministër i qeverisë më të madhe, të vendit më të varfër në Evropë, dhe të ministrave të vet, ish-nxënësve të këtyre mësimdhënësve, ndërsa ish mësimdhënësve të vet iu tha se tepër e kanë edhe rritjen prej 4 për qind.

Edhe si fëmijë i një veterani të arsimit, edhe si mësimdhënës, edhe si kosovar, edhe si njeri pa një grimë ndikim në jetën publike pajtohem plotësisht me këtë të fundit dhe dua t’i shtojë: as këtë ngritje prej 4 për qind nuk e meritojnë ata që arsimuan dhe edukuan kryeministra dhe ministra që kanë problem të lexojnë dhe nuk njohin as autorët e shkrimeve të para shqipe.

Asnjë njeri që di të shkruajë (drejtë apo me ndonjë gabim të vogël) emrin dhe mbiemrin e vet, nuk ka as më të voglin dyshim se sistemi arsimor është në gjendje të mjerueshme dhe tragjikomike. Por “shahu” është pasoja më e vogël, në mos krejt e parëndësishme dhe jo shkaku i lojës së vazhdueshme dhe qesharake me reforma ditore pa asnjë vizion, plan-programe të kopjuara pa asnjë përshtatje, tekste shkollore diletante dhe zvetënuese dhe praktika korruptive dhe abuzive në arsim, që po na i gjymtojnë gjeneratat.

Dhe s’di pse më kujtohet një thënie që pak a shumë përmblidhet në atë se ‘nëse do ta shkatërrosh një popull fillo nga sistemi i tij arsimor’. Jemi në rrugën e duhur për ferr i dashur Kryeministër! Ju dhe kabineti Juaj jeni dëshmia më e mirë se arroganca dhe injoranca po promovohen si vlera në shoqërinë tonë! Sa mirë që askush nuk po e lëshon këtë rrugë! Më në fund të përbashkuar ecim tutje!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here