LEGJENDA E FILLIT TË KUQ TË FATIT, DOMETHËNIA PËR SECILIN PREJ NESH

0

Shumë mendojnë se kjo histori është japoneze, por në fakt ka më shumë gjasa të jetë me origjinë kineze. Legjenda thotë se çdokush nga ne lind me një fill të kuq, të lidhur në gishtin e vogël të dorës së majtë. Filli ka karakteristike që është shumë i gjatë, i pakëputshëm, i pashkatërrueshëm dhe sigurisht, i padukshëm dhe na lidh në mënyrë të pazgjidhshme me personin për të cilin jemi destinuar, dashurinë e jetës, shpirtin binjak.

Shpirtrat e lidhur nga ky fill i kuq, i padukshëm për syrin, janë të destinuar, herët apo vonë, që të takohen një ditë.

Ngaqë është shumë i gjatë, mund të ndodhë që ky fill të ngatërrohet e të krijojë nyje. Për këtë arsye mund të kalojnë vite, dekada, mund të të duhet edhe të përshkruash kilometra të tërë, por në një moment të caktuar, rrethanat do të ta sjellin në rrugën tënde këtë person: në asnjë mënyrë nuk mund t’i shpëtosh fatit! S’ka distancë kohore apo hapësinore që mund t’i ndalojë këta dy persona të takohen.

Filli i kuq nuk mund të këputet apo të pritet nga askush. Ai bën një lidhje të pazgjidhshme mes dy shpirtrash, një lidhje që askush dhe asgjë nuk mund ta vendosë në provë.

Legjenda kineze thotë: “Wei, një djalë i ri, jetim që fëmijë, kërkoi më kot për shumë kohë një vajzë që të martohej dhe të bënte fëmijë. Nuk gjeti dot një grua të gatshme për t’u martuar me të dhe as një grua me të cilën të binte në dashuri.

Një ditë, duke ecur gjatë një prej udhëtimeve të tij, në shkallët e një tempulli të vjetër, takoi një burrë të panjohur dhe misterioz që kishte një libër në dorë: ky ishte Zoti i Martesave dhe libri i tij, ku shkruheshin bashkimet që dëshirontë të bënte fati.

Ai i tregoi Wei-t se arsyeja se pse nuk kishte gjetur një grua deri më sot, ishte se gruaja me të cilën fati kish vendosur ta lidhte me një fill të kuq, në këtë moment ishte vetëm 3 vjeç dhe atij do t’i duhej të priste 14 vjetë për ta takuar e për t’u martuar më pas. Wei u zhgënjye paksa nga ky rrëfim dhe e pyet se çfarë ka në thesin ku ishte mbështetur zotëria.

Ky i fundit i thotë se aty ka futur fillin e kuq të fatit që lidhte burrat dhe gratë që ishin destinuar për njëri-tjetrin, bëhej fjalë për një fill të pakëputshëm dhe që s’mund të pritej me asnjë mënyrë, dhe e tillë ishte edhe lidhja që ai krijonte mes dy shpirtrave: personat e lidhur nga filli i kuq, ishin destinuar të takoheshin dhe të martoheshin, pavarësisht sjelljes së tyre, sjelljes së njerëzve që i rrethonin, pavarësisht ndodhive.

Wei u mërzit akoma më shumë nga fjalët e plakut dhe refuzoi t’i nënshtrohej atyre. Ai donte të ndjehej i lirë të martohej me kë të dëshironte, prandaj urdhëroi një shërbëtor të vriste vajzën që sipas zotërisë që takoi në tempull, do bëhej gruaja e tij e ardhshme. Shërbëtori e plagosi vajzën në kokë, por nuk mundi ta vriste dot atë.

Wei vazhdoi për vite të tëra të kërkonte një grua për t’u martuar. 14 vjet më vonë, Wei, ende i pamartuar, njihet me një vajzë të bukur 17 vjeçare, që vinte nga një familje e pasur.

Pas pak kohësh ai martohet me të. Vajza, që nga momenti që e kish njohur, mbante në kokë një fashë cope. Edhe në natën e parë të martesës, ajo refuzonte ta hiqte nga koka, duke e bërë shumë kurioz bashkëshortin e saj. Më në fund, pas këmbënguljes së tij, gruaja e re shkrehet në vaj dhe rrëfen se në ballë kishte një shenjë që ia kish bërë një burrë kur ishte 3 vjeç. Kjo ishte edhe arsyeja pse mbante gjithmonë fashën e copës.

Me të dëgjuar këto fjalë, Wei-t i vjen në mend takimi me Zotin e Martesave në tempull, urdhëri që i kish dhënë shërbëtorit dhe edhe ai filloi të qajë duke treguar se kish qenë ai që kish dashur ta vrasë. Me t’u sheshuar keqkuptimet dhe me ta pranuar ashtu siç ishte lidhjen e tyre të paracaktuar nga fati, çifti jetoi i lumtur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here