Nga Fadil SAHITI

◾◾◾

Ashtu sikur sistemi SOCIALIST që ka qenë unik, edhe sistemin e tanishëm QEVERISËS Shqipëria e ka krejtësisht unik.

Tashmë afërsisht për 30 vite, në vendin e shqiponjave është instaluar sistemi tipik KLEPTOKRATIK, e që njihet si mënyrë qeverisjeje ku udhëheqësit e zgjedhur me votën e e popullit, kapin institucionet e shtetit për t’u pasurur dhe për t’u bërë të fuqishëm.

Nuk ka faj modeli i kapitalizmit demokratik për gjendjen në Shqipëri. Faji qendron tek individi, shoqëria shqiptare, që si duket nuk po mund të clirohet nga modelet qeverisëse të tipit RAMA, BERISHA apo META. Nuk po mund të clirohet nga një mentalitet krejtësisht mafioz i të qeverisurit. Tregu politik por edhe ekonomik në Shqiperi i ngjan kapitalizmit të kohës së Karl Marksit që njihej si ‘kapitalizëm i shfrenuar’ (unrestrained capitalism), ku pavarësisht ligjeve positive, cdo gjë është e lejuar nëse është në interesin e atyre që e kanë shtetin në dorë .

Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë soci-ekonomike në Shqipëri, zhurma rreth MINISHENGENIT, apo si dreqi po e quajnë, duket krejtësisht FARSË, apo shfryrje emocionale tribale. Kjo qeveri ka një dekadë që ua thith gjakun shqiptarëve, e këta të fundit s’bëjn zë. Tash që na ardhka Vuciq në Tiranë, o njerëz, hajde ta kundërshtojmë sa më shumë në mënyrë që të dukemi sa më patriot.

Shqiptarët kanë arsye shumë më madhore të ia marrin ‘KUJËS’ dhe të vajtojnë. S’kanë arsim, shëndëtësi, s’kanë kujt t’i drejtohen kur kanë konteste individuale, s’kanë kulturë, s’kanë sport të hajrit.

E cfarë nëse serbët vijnë pa viza në Shqipni? Kjo s’ka asnjë relevancë në krahasim me këto cështje, që përbëjnë thelbin e jetës së shqiptarëve. Ashtu kështu, një ditë po synojmë të bëhemi pjesë e Evropës dhe lëvizja e lirë do jetë një detyrim.

Të vajtosh mjerimin tënd përballë MAFIOZIT, KRIMINELIT, është demonstrim i pafuqisë. Nuk ndryshohet gjendja e sotme në Shqipëri duke e sharë apo mallkuar RAMËN, BERISHËN, apo METËN. Ata duhet hequr nga qeverisja. Kush mund ta bëj këtë? Mund ta bëjn shtresa e njerëzve me integritet, ata që kanë vullnet dhe vizion. Vetëm këta shoqërisë shqiptare mund t’i ofrojnë alternativën evropiane të qeverisjes. Është pak e besueshme që të mos ketë njerëz të tillë në Shqipëri.

Ndryshimi mund të vie vetëm përmes organizimit politik dhe përmes VOTËS. Gjithcka tjetër është ZHURMË dhe DEMAGOGJI!

Facebook Comments