Nga Erl KODRA

◾◾◾

Rregulli i lmuem asht grremç,
Që të kapet për lkurë t’qafës.
Hunda, balli, sytë dhe lotët mrrolen prej zorit,
Kur rregulli të duket tjetërsoj në letër.

Pastaj, prej çastit që rraskapitja e tha burimin,
Prej kah vjen ekzistenca,
Mendon;
Rregullat janë mjetet e armikut
Që nuk mund të konsiderohen.

Rregulli është kështu: i ndërlikuem.
Pa sens logjik, që të fyen mendjen,
Ndërsa kockat plaken e shpërbëhen,
Sipas rregullave të lmueta.

Për makinat rregullat gjithmon funksionojnë,
Me preçizion të lartë.
Përshembull; trajektorja e plumbit përllogaritet saktë.
Prej pushkatarit që gjuan pas gardhit.

Ti mundesh t’i shmangesh rregullit me sarkazëm,
Pa sens humori, veç me mospërfillje.
Ftohtë. Dhe të arratisesh,
Nëpër pyjet e lira të fminisë.

Një ditë, dikush do të kujtohet,
Se ti ishte një kombinim perfekt,
I materies, dritës së Diellit dhe yjeve.
E ky asht rregulli im.

28-12-2019

Facebook Comments