Nga Erl KODRA

◾◾◾

Nuk e di se çka është Frrok Çupi në jetën sekrete, domethënë, në kohën kur nuk del në televizion, ose kur nuk shkruan në media. As nuk e di se çka ka qenë më përpara, përpara se “fjala e lirë” të hapej prej tij në “Rilindja Demokratike”. Atë kohë, Frroku më ngjante me korifejtë e njerëzimit. Mos më bëni me faj; sepse sigurisht që ashtu e keni parë edhe ju. Ndaj unë nuk do të shkruaj asnjë rrjesht se prej kah ushqehet frymëzimi i tij, prej cilës thagmë, prej çfarë katakombi i vijnë ato mendime “të ndritura” për demokracinë, kombin dhe interesat kombëtare.

Mundet të ndodhë që Frroku e pëlqen shumë Edi Ramën. Mundet të ndodhë, që për arsye që unë nuk i di, ai shpesh herë të ndryshojë qëndrimet politike kundrejt Partisë Demokratike. Sikur të gjendeshim në situata normale, kjo është krejt e pranueshme.

Por Frrok Çupi është një individ i zgjuar, fort i zgjuar. Ka penë të mprehtë, plot nerv, të hidhët. Di të ndërtojë diskurs publik dhe të parashtrojë argumente, edhe kur ato nuk janë adekuate. Flokët e bardha, të hedhura përpjetë sipër një balli të lartë, i japin një lloj auerole prej mendje-ndrituri.

Me atë portret, Frroku të merr në qafë, të fikë derën me reputacionin e një eruditi.

Në një botë ideale, Frrok Çupi mund të ishte një lloj Umberto Eco.

Por, për fat të keq ne nuk jetojmë në një botë ideale. Bota jonë është e paqëndrueshme, e paqartë dhe e pabesë. Vetëm 20 vite më parë përfundoi lufta jonë e fundit. Vetëm 20 vjet më parë me ndihmën Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ia dolëm të ndalim genocidin serb mbi gjysmën tonë.

Merita e fitores shqiptare mbi Serbinë e Sllobodan Millosheviç dhe Aleksandër Vuçiç, padyshim është e SHBA-ve dhe e Presidentit Bill Klinton. Historia do të shkruhet një ditë; edhe për misionarët e pabujë që punuan fort pranë Presidentit për të koordinuar gjithçka, deri në minutën e fundit kur Bill Klinton jep urdhërin për fillimin e sulmeve ajrore kundër një shteti kanibal si Serbia. Fati e deshi që një shqiptar të punonte pranë Presidentit. Por herë tjetër do të shkruaj për këtë burrë të rrallë.

Për shqiptarët, Serbia është vendi më armiqësor në botë. Shteti serb ka platëforma akademike kundër ekzistencës së shqiptarëve në Ballkan, që prej mesjetës ka pushtuar Durrësin, Vlorën, Shkodrën. Masakrat serbe kundër shqiptarëve janë të shtrira në disa shekuj.

Aktualisht Serbia është shteti më i militarizuar në Ballkan dhe kryen akte të qarta destabilizuese kundër interesave tona kombëtare, në Kosovë dhe në Shqipëri. Kombinimi i shërbimeve sekrete serbe, ruse dhe kineze, me një aktivitet të jashtëzakonshëm diplomatik kundër Kosovës ka dhënë frute po të jashtëzakonshme.

Suksesi i Serbisë është spektakolar; në planin diplomatik, ushtarak dhe politik. Kaq i madh është ky sukses i Serbisë, sa asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që interesat e saj t’i artikulojë publikisht Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Shqipërisë.

Shumica absolute e shqiptarëve, në Shqipëri dhe në Kosovë, e kanë kuptuar përfundimisht se çka është Edi Rama dhe çfarë përfaqëson ai.

Shqiptarët nuk kanë dyshime; por dyshon sadopak dijetari Frrok Çupi?!

“Kosovarët flasin për Serbinë si për një regjim” – thotë ai. Pse, çka është vertetë Serbia? A nuk është një shtet që luftën kundër shqiptarëve e ka platëformë politike nacionale? Çfarë po bën ajo në të vërtetë? Çka po i afron ajo Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi? Paqe? Prosperitet? Miqësi? Ndjesë për krimet e kryera?

Apo aktivitet të shtuar armiqsorë, diversion, spiunazh dhe luftë diplomatike? Me një ushtri të frikshme të dislokuar ngjitur me territorin e Kosovës. Me synime të qarta territoriale.

Frrokut nuk i hyjnë në sy se çka bënë Serbia, por se çka thotë Edi Rama. Ai shqetësohet dhe ngre një retorikë brilante se si do të ishte rajoni në një paqe të supozuar me Serbinë, që jemi të dënuar të jetojmë ngjitë e ngjitë. Si mund të prosperonte rajoni pas realizimit të projektit madhështor të Mini-Shengenit tonë. Se qysh do përfitonte paqja, dhe mirësia.

Mund të ndodhë që gjendesh në situata të vështira dhe detyrohesh të vjedhësh, të bësh korrupsion ose ndonjë shkelje ligji. Në rrethana mbijetese askush nuk mund të ruaj moralin puritan. Ndërsa të bësh atë që bën Frrok Çupi e kam të vështirë t’i vë një emër.

Me disa gjëra nuk luhet, si përshembull Kosova. Ne nuk guxojmë ta bëjmë atë.

Por Edi Rama është trim i madh. Trim i madh deri në pranverë. Që do jetë e nxehtë. Flakë e nxehtë.

Facebook Comments