◾◾◾

Eva Pëllumbi, lindi më 28 mars 1953 në Tiranë.
Aktiviteti i saj në skenë ka filluar në moshë të vogël në Pallatin e Pionierëve.
Më tej vazhdoi për “Kanto” në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve.

Eva Pëllumbi

Në moshën 17-vjeçare ishte pjesë e skenës së Estradës, ku në krah të znj. Anita Take debutoi me shumë sukses si imitatorja e parë e skenës shqiptare. Pastaj në Teatrin e Kukullave u dha frymë roleve të shumtë, ndër të cilët është për t’u përmendur roli i pavdekshëm i Pinokut, i cili ka mbetur në mendje të të gjithë fëmijëve të viteve ’80 – ’90, mbase edhe të prindërve të tyre.

Njëkohësisht ka pasur edhe role në filmat artistikë: “Vajzat me kordele të kuqe“, ku ka shfaqur edhe njëherë talentin e madh si imitatore, në filmin “Endërr për një karrike” dhe role episodike në filmat “Kapedani“ dhe “Eja”.

Eva Pëllumbi

Paralelisht punoi për vite me rradhë në Kinostudio dhe u dha zërin e saj qindrave karaktereve të filmit vizatimor, ndër to zërin e Çufos, papagallit në “Dy Gosti“, mama dhise dhe kecave e shumë e shumë të tjerë, madje disa herë shumë karaktereve të një filmi.

U largua nga Shqipëria në vitin 1990.
Jetonte në veri të Gjermanisë bashke me partnerin e saj si dhe vajzën e familje e saj, ku mbas vështirësive të fillimit, punoi mbi 24 vite si mësuese ndihmëse e skenës së “Show & Teater”, duke u shoqëruar me dashurinë e madhe të fëmijve dhe duke i ndenjur pranë pasionit të saj, skenës!

U nda nga jeta më 24.12.2019.

Facebook Comments