Nga Redina LEKA

◾◾◾

Neotribalizmi ose ndryshe tribalizmi modern është një koncept sociologjik, i cili nënkupton tendencën e shoqërive moderne për të jetuar në organizime fisnore, pra të bashkëjetuarit në grupe, ose klasa me interesa apo karakteristika të përbashkëta. Nëse flasim për problematikat e studentëve në Shqipëri mund të përmendim një numër të shumtë, problematika të cilat mund të jenë konkrete, sipërfaqësore, por insistoj të analizoj ato që shtrihen më thellë, problematika të cilat kanë një origjinë disi më komplekse. Jo më kot përmenda konceptin tribalizëm, të cilin dua ta shtroj si një fenomen toksik në shoqëri. Roger Ebert, një autor, gazetar dhe historian i mirënjohur amerikan është shprehur : ” Racizmi dhe të gjitha ‘ismat’ e tjera shumëfishohen nga tribalizmi primitiv, armiqësia instiktive kundër atyre të një fisi, race, feje, kombësie, klase apo çfarëdo tjetër. Ju jeni një fëmijë me fat, nëse prindërit tuaj ju kanë mësuar të pranoni diversitetin.”
Tribalizmi social çon shoqërinë në humbjen e mendimit kritik dhe dështimin e moralit. Ky fenomen ka mundësuar zbehjen e motivimit të studentëve dhe rrjedhimisht studimi nuk është më një privilegj, por një zgjedhje e diktuar nga interesa. Në mjediset e universiteteve, studentët prezantohen me dimensione bardh e zi , marrin karakteristika polimorfike. Kjo metodë edukimi është e trashëguar që në bankat e shkollës dhe familja, ku mësohet dija, por jo formimi i karakterit, ku injektohet të qënurit i suksesshëm nëpërmjet krijimit të urrejtjes për të tjerët, për ata që nuk kanë të njëjtat motive, apo mjete. Tribalizmi familjar është origjina e problematikave më shqetësuese të shoqërisë sonë. Fëmijët edukohen me një frymë mbytëse, prindërit ushqejnë fëmijët e tyre me tipare egocentrike, të cilat sjellin një mungesë tolerance dhe bashkëpunimi. Sipas Paul Bruckner, një intelektual francez, tribalizmi modern, fatkeqësisht karakterizohet nga një individualizëm i tepërt, i cili çliron njerëzit nga detyrimet shoqërore. Ata drejtohen dhe motivohen vetëm nga qëllimet e tyre, marrin vendime bazuar vetëm në mirëqënien e tyre, duke fituar në këtë mënyrë lirinë, por duke humbur sigurinë.
Sot në ambientet e universiteteve po edukohen studentë të cilët kërkojnë diplomën, por jo dijen dhe do të provojnë çdo mënyrë për ta siguruar atë, sepse për ta, diploma do të ishte një biletë që i siguron atyre pjesëmarrje në klasa apo grupe shoqërore që u garantojnë suksesin, qoftë ky sukses një page e lartë, apo një tavolinë rrethore e pushtetit. Janë po këta studentë të cilët duan të jenë të suksesshëm, por jo qytetarë të denjë, të motivuar nga vlerat morale apo humane. Ata duan një vend pune me qëllim përmbushje individuale, por jo t’i shërbejnë shoqërise. Në shoqërinë moderne, avantazhet apo disavantazhet e formimit kulturor jo domosdoshmërisht përcaktojnë karrierën e një studenti, përkundrazi, suksesi matet me anë të çertifikatave akademike.
Një simptomë e neotribalizmit është gjithashtu konformizmi akademik, ku një student i cili zgjedh të flasë kundra një çështjeje, apo të rebelohet kundra eprorëve me qëllim përmirësimin e mjedisit akademik, rrallëherë shpërblehet. Shpesh mund të ndodhë që ai student të dënohet dhe mbase edhe të njollosë figurën dhe reputacionin e tij duke humbur kështu ndoshta edhe të drejtën e punësimit në të ardhmen. Korridoret e universiteteve janë të zymta, janë faqe muri boshe, me numrat e auditorëve te stampuara mbi dyer. Askund nuk gjen lajmërime, ftesa për internshipe, ftesa për konferenca, apo ftesa për protesta. Kjo situatë sigurisht që do të sjellë një frymë pesimizmi, mungesë të shpresës, mungesë të iniciativës.
Vit pas viti shohim që është rritur ndjeshëm numri i studentëve të cilët vendosin të ndjekin studimet e larta jashtë vendit. Fenomen ky i cili e dëmton në mënyrë direkte mirëqënien e sistemit arsimor, por dhe shoqërisë në përgjithësi, pasi arsimi është një nga shtyllat kryesore të një shteti apo sistemi, përmes së cilit përcillet kultura, dija, tradita, dhe trashëgimia. Ekzistojnë dy arsye madhore që shpjegojnë këtë fenomen. Së pari, sigurisht, prezenca e tribalizmit së lartpërmendur, i cili ç’rrënjos shpresën e një shoqërie të shëndetshme tek studentët sot. Realiteti i shoqërisë shqiptare së sotme i demotivon ata, duke i përplasur me fakte që pasqyrojnë padrejtësi, shkelje të gjithanshme të meritokracisë, humbje të karakterit, shkelje të të drejtave bazë të individit, një krizë apokaliptike e mendimit dhe e veprimit logjik. Ekselenca akademike në Shqipëri nuk është faktor i punësimit qoftë në sektorin publik,apo atë privat. Kjo gjë shpesh detyron të rinjtë të përfshihen në parti apo forume politike, të shkelin parimet dhe ndershmërinë e tyre për të siguruar vendin e punës dhe të futen në rrugë korruptive të sistemit ekzistues burokratik tribalist në mënyrë që këtë vend pune ta mbajnë.
Një arsye tepër e fortë gjithashtu, është gjendja e mjerueshme e sistemit arsimor, e mjedisit akademik në Shqipëri. Dëshiroj të mbetem më gjatë tek gjendja e sistemit arsimor në Shqipëri, pasi mendoj se pyetja dhe përgjigja jonë shtrihet këtu. Shteti shqiptar ka një histori interesante për sa i përket arsimit dhe reformave lidhur me të. Duke filluar që nga koha e mbretit Zog, më pas në përiudhën diktatoriale dhe në fund në përiudhën e tranzicionit demokratik, reformat arsimore janë transformuar shpesh, duke imituar një herë lindjen, e një herë perëndimin, duke bërë kështu që mjedisi akademik sot të jetë i mbetur diku në mes. Fatmirësisht vitet e fundit mund të evidentojmë një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit të popullit mbi arsimin, por gjithsesi, edhe pse numri i reformave ka qënë në rritje, edhe pse sistemi arsimor ka patur një tendencë pozitive, përsëri problematikat më të thella të shoqërisë tonë përcillen drejtpërdrejt tek studentët e sotëm.
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të zhdukim barrierat e integrimit , kemi nevojë të bëjmë propagandë për tolerancën shoqërore, për ndarjen e vlerave pozitive dhe aseteve personale me të tjerët. Sistemi arsimor ka nevojë për një reformë arsimore rrënjësore,e cila nuk i trajton studentët si konsumatorë të thjeshtë, e aftë të çojë arsimin drejt progresit. Një reformë e cila ka kryefjalë edukimin e një profesionisti dhe qytetari të denjë për shoqërinë dhe po ashtu reformë e transmetuar nga profesionistë të aftë e të kualifikuar. Kemi nevojë më shumë se kurrë për prezencën e të rinjve në tregun e punës,por jo vetëm. Prezenca e të rinjve të aftë në zyrat e shtetit, në gjykata, ministri, parlament do të ishte një frymë e re, potente për të garantuar shpresë për brezat në vijim. Lufta jonë nuk është sipërfaqësore. Nuk mund të zgjidhim gjë duke rritur fondin për arsimin, apo duke ndryshuar metodën e selektimit të studentëve. Zgjidhja është lufta e përbashkët humane kundër imoralitetit,kundër metodave të prapambetura dhe më e rëndësishmja, kundër tribalizmit social, politik dhe kulturor.

Facebook Comments