Intervistoi Merjeme TOTA

◾◾◾

Gazetarja Kasandra Pali, në rrëfimin e mëposhtëm tregon me detaje se si ka lindur dhe është rritur dëshira e saj për të zgjedhur gazetarinë si profesionin që do të ndiqte në të ardhmen. Ajo thotë që mundësia për t’u angazhuar në media që në moshë të vogël dhe prirja e saj në të shkruar e shtynë drejt kësaj zgjedhjeje. Aktualisht studente e gazetarisë dhe pothuajse dy vjet që punon në televizion ajo shton që në Shqipëri nuk ka gazetari të mirëfilltë dhe ndonjëherë mendon se gazetaria në këtë vend është ambulante.
Kasandra shprehet se gazetarët duhet të luftojnë për të qenë gazetarë të vërtetë, mos të bëhen palë me askënd, mos të bëjnë marrëveshje. Gazetaria është profesion elitar ndaj si të tillë duhet të sillemi.

Më tregoni pak për veten, çfarë ju shtyu të vazhdoni studimet për gazetari? Kur keni menduar për herë të parë të bëheni gazetare?

Ju përshëndes dhe ju falenderoj për këtë intervistë.
Pas përfundimit të gjimnazit në fakt isha ende e pavendosur deri në plotësimim e formularëve.
Që në fëmijëri kam patur mundësi të angazhohem në shumë aktivitete kulturore që transmetoheshin në media. Duke dalë që fëmijë në ekran më shtohej pasioni për të.. unë jam shumë e prirur dhe në letërsi, në të shkruar.. pra gazetaria ishte tamam ajo që mi përmblidhte të gjitha dëshirat e mia në një… jam tepër e kënaqur me zgjidhjen që kam bërë dhe po ta ktheja kohën pas, po gazetarinë do zgjidhja sërish!

Sa ndryshon leksioni me praktikën?

Kjo është pyetje shumë e bukur.
Unë fillova punë në televizion sapo filloi viti i parë akademik në Fakultet. Pra unë nuk preferova që gazetarinë ta mësoja nga librat dhe shpjegimi i pedagogëve, por vendosa ta prek vetë në brendësi. Janë dy gjëra të ndryshme. Nata me ditën.
Fatkeqësisht në universitetet tona është për të ardhur keq që ora e leksionit dhe seminaret bëhen njësoj sikur të ishim në fillore.. ndërkohë që me studentët e gazetarisë duhet të punosh fort për të zhvilluar mendimin kritik, të analizojmë çështje, të japim këndvështrimet tona, për një debat, një ngjarje aktuale… nqs nuk i flasim këto gjëra që në bangat e shkollës atëherë jemi të humbur…

A ka gazetari të mirfilltë në Shqipëri?

Gazetari të mirëfilltë më vjen keq ta them, por nuk ka. Ndonjëherë mendoj se gazetaria në Shqipëri është ambulante. Pra një informacion që ti e ke e sheh pas 1 minute diku tjetër dhe diku tjetër, pra tamam si pikat ambulante. Jemi në kohëra të vështira për gazetarinë… sot kemi më shumë PR, kemi vetëm gazetarë që shtrijnë mikrofonin por nuk guxojnë të drejtojnë një pyetje..kemi më shumë militantë partie… dhe ndonjëherë më vjen të qaj për këtë situatë të degraduar.. por mjafton të mendosh që kur gazetaria ka lindur nëpër botë, ne ishim ende nën regjimin osman..

Disa nga momentet më të rëndësishme për ju në këtë profesion?

Deri më tani kam patur disa arritje dhe ndihem shumë krenare për veten.
Fakti që në vit të parë unë shkoja në Fakultet më pas shkoja në punë, dilja në terren në të ftohtë, në shi, më jepte kurajo, ishte një lloj sfide dhe emocioni. Isha në hapat e duhur dhe koherente me lajmet që ndodhnin.
Moment i rëndësishëm ka qenë dhe intervista ime e parë e transmetuar në televizionin Fax News i cili ka qeni vendi i parë ku unë mësova dhe u punësova…

Çfarë është karriera për Kasandrën? Synimet profesionale tuajat deri ku arrijnë?

Unë jam për karrierën graduale, të ngadaltë por me hapa të konsoliduara. Pra për moshën që kam ndihem shumë e arrirë pasi bashkëmoshatarët e mi janë ende në bangat e shkollës dhe nuk e dinë ende se si është një televizion, ndërsa unë po bëj 2 vite që punoj aty…
E dua karrierën, suksesin, padiskutim.. por nuk dua të ngjitem shumë lart menjëherë..
E arrirë do të ndihesha nëse do të kisha një emision timin në formatin e Hard Talk të gazetares së mirënjohur Sarah Montague..
Sigurisht që do e arrij, është pikërisht ky vullnet dhe ambicie që kam që nuk më lë kurrë në baltë.

Sa e vështirë është për të studioni dhe të punoni në këtë profesion në të njëjtën kohë?

Është shumë e vështirë më beso… të studiosh dhe të punosh njëkohësisht është e papërballueshme pasi ti detyrohesh të lësh një orë mësimi që të kapësh orarin tek puna.. ose do u kërkosh kolegëve të të qëndrojnë një orë borxh në punë dhe ti më pas detyrohesh të shkosh më herët.. është e vështirë t’i kombinosh të dyja kur nuk ke përputhje orari..

A e ka zbehur teknologjia dhe interneti të ardhmen e medias tradicionale?

Sigurisht që e ka zbehur dhe është për të ardhur keq në këtë drejtim. Aq sa na ka ndihmuar në cilësinë e pajisjeve, aq edhe e ka dembelosur gazetarin.
Gazetari nuk shkon më në vendngjarje pasi zyra e shtypit e një X partie na i sjell pamjet dhe tekstin, madje dhe vetë kronikën gati për transmetim. Një gazetar dembel thotë shyqyr e kam gati…
Një gazetar jo dembel duhet ta dëgjoje vetë deklaratën, ta zbardhë dhe të dijë ku të kapë mat një politikan, pasi atë që po thotë sot, mund të ketë thënë të kundërtën 1 vit më parë. Pra duhet vetëm të thellohemi, të shkojmë përtej asaj që na ofrohet. Nëse nuk bëjmë këtë, nuk jemi gazetarë.

A mund të përshkruani cilësitë më të mira të stilit tuaj të të shkruarit?

Menjëherë sapo unë nis e shkruaj lajmin kam parasysh strukturën e tij..
I bie lajmit drejt e në kokë pasi informacioni jepet që në fillim jo në fund të tekstit.
Përpiqem të shmang zhargonin, fjalitë të jenë të shkurtra e të sakta.
Përpiqem të fus një background në fund për të kujtuar dhe lexuesin se çfarë ndodhi sot është pasojë e asaj çka ndodhi dje..

Si siguroheni që puna juaj është e saktë dhe faktike?

Është e vështirë të sigurosh fakte, kërkon një investigim shumë të madh se fatkeqsisht gazetarët e terrenit nuk e kanë luksin e kohës që të investigojnë një çështje që kërkon muaj të tërë kur kryeredaktori e merr në telefon çdo 5 minuta dhe i thotë: hajde sill kronikën se kemi edicionin e lajmeve..
Përpiqem që të jem sa më objektive, e paanshme dhe më pas është në varësi të lajmit.. lajmet e kronikës së zezë janë ato më të vështirat nga ku ti nuk ke zgjidhje tjetër veçse të japësh informacionin siç duhet ose mos ta japësh fare..

Shembulli më i mirë i gazetarisë shqiptare sipas jush?

Fatkeqësisht nuk mund të them tamam shembull por e dua punën dhe investigimin që bëjnë kryesisht emisionet investigative, të cilët çojnë përpara drejtësisë njerëz të verbuar nga pushteti që u ofron karrigia..

Çfarë mesazhi keni për studentët e gazetarisë në Shqipëri?

Mesazhi im është që të luftojnë për të qenë gazetarë të vërtetë, mos u bëni palë me askënd, mos bëni marrëveshje. Gazetaria është profesion elitar ndaj si të tillë duhet të sillemi.

Facebook Comments