◾◾◾

▪️Përkëdhelmë

Përkëdhelmë, i dashur
por ashtu si dielli që prek ballin e ftohtë të hënës.
Mos eja të më përndjekësh edhe ti me ato kërkime pa kuptim mbi gjurmët e hyjnores.
Zoti do të mbërrijë në agim vërtet
nëse unë në krahët e tu do të jem.

▪️Njoha tek ti mrekullitë

Unë njoha tek ti të gjitha mrekullitë mrekullitë e dashurisë të zbuluara që si guaska më dukeshin sigurisht
ku thithja aromë deti e sipërfaqe
plazhesh të braktisura dhe brenda
dashurisë kam humbur unë si në
një stuhi duke e mbajtur gjithmonë
nën kontroll këtë zemër (e dija mirë)
që e dashuruar ishte me një ëndërr.

▪️Prandaj nuk do të të telefonoj

Prandaj nuk do të të telefonoj,
do të kem nevojë për ato vena që pulsojnë
dhembja than gjithçka
dhembja është një unazë bashkëshortore
që martohet me ty në ëmbëlsi
dhe në modestinë më të egër,
unë sot u martova me dhembjen
dhe u ndava nga ty.

▪️Puthmë përsëri

Puthmë përsëri në një kërcell
dashurie
dhe mendo për rininë që më
merr dhe vetëm më ka lënë
për aq vite sa s’mbahen mend.

▪️Mëngjes i gënjeshtërt

Ishte një mëngjes i gënjeshtërt,
një nga mëngjeset e shumta
kur hyra në një ëndërr të pafat:
ishte një ëndërr frikërash të mëdha,
plisash të shkatërruara,
ishte ëndrra e një dashurie të pamundur.
Duart tona të hapura
të pagozhduara si duart e Krishtit
të kota ishin braktisjet tona,
dikush pas krahësh na plagosi
nuk e di kush, nuk e di kush
ndoshta një forcë humane
ndoshta forca e fatit
ndoshta ti vetë, dashuri,
më godite pas krahësh.

▪️Vështrimi i poetit

Nëse dikush do të përpiqej të kuptonte vështrimin tënd
Poet mbroje veten me egërsi
vështrimi yt janë qindra vështrime
që të kanë parë duke u dridhur
mjerisht.

▪️E çmendur

Unë jam e çmendur, e çmendur,
e çmendur nga dashuria për ty.
Unë rënkoj prej butësisë
sepse jam e çmendur, e çmendur,
sepse te kam humbur ty.
Sot mëngjesi po, ishte i nxehtë
dhe mua këtë konfuzion më diktonte,
por unë isha e sëmurë nga mundimet
vërtet, e sëmurë nga vdekja jote.

▪️Tingulli i këngës

Tingulli i këngës më bën të dashurohem:
sa do të doja të pushtoja tokën
me vargjet e mia dhe ajo të dridhej e gjitha
nën poezinë e këngës.
Unë mbjell fjalë, jam një mbjellëse
e kujdesshme e plisave të hollë
dhe megjithatë dikush ngrihet të më dëgjojë,
dikush që këngën e mban në zemrën e mbyllur
dhe që shpesh frymëzimin tim nxit
me fantazinë e tij.

▪️Poezi

Poezi, mos më pushto,
je si një mal i rëndë,
më shtyp si një mushicë;
poezi, mos më shtyp,
insekti është i shpejtë
dhe i pa gjumë,
kërcen brenda rrjetës,
poezi, jam shumë e frikësuar,
të lutem, mos u hidh mbi mua.

▪️Nuk dua që ti të vdesësh

Nuk dua që ti të vdesësh, jo.
Nëse ti do të dridheshe në vdekje,
unë do të rrëzohesha si një gjethe,
e megjithatë me klithmat dhe psherëtimat e mia
unë të vras çdo ditë;
çdo ditë e përshpejtoj vdekjen tënde,
duke shpresuar që dhe për mua të jetë fundi
dhe pyes veten se ku është Zoti
në këto përplasje shpirtrash,
si e lejon këtë urrejtje pa kufi,
duke kërkuar tentakulat e shkencës
përpëlitem në errësirën e çmendurisë.

▪️Dashuri

Të humba përgjatë brazdave të jetës,
o dashuria ime e vetme,
Zot i qëndrimit dhe i dyshimit
Zot i forcave mitike
Zot, Zot gjithmonë Zot
që je më i fortë se përqafimet
dhe dashuritë e buta.
Që i bën burimet të mos shterojnë,
që shfaqesh dhe zhdukesh
si një toger i fatit.
Të të humbësh është si të humbësh shpresën
dhe unë të kam humbur
jo një por një milion herë
dhe të të gjej është si të ngrihem nga mëkati i përjetshëm
për të parë krisjet e jetës
por edhe yjet e tua të lëvizshme:
TI JE ZOT I DASHURISË.

▪️Nuk kam qetësi

Nuk kam qetësi, nuk qaj me lehtësi,
nuk e kam atë mrekulli të çlirët
që e quan lulen lule, nuk kam kohë
për të deshifruar mesazhet pa jetë
të kohës sime të mallkuar, strehohem
tek muri im i shpresës së kotë,
duke u skuqur nëse ti më fal ndonjëherë

▪️Mendimi

Mendim, kam mbetur pa fjalë.
Por çfarë je ti në thelb?
Diçka që ndonjëherë derdh lot,
dhe ndonjëherë jep dritë.
Mendim, ku i ke rrënjët ti?
Në shpirtin tim të çmendur
apo në mitrën e shkatërruar?
Je i pangopur i guximshëm,
konsumon çdo largësi;
me thuaj qe të kthehem
siç ka bërë Orfeu
duke parë Euridikën e tij,
dhe kështu mund të të humbas
në shpellën e çmendurisë.

▪️Afori, ose periferia e Milanos

Afori, vend i largët
i zhytur në mbeturina,
këtu njihen trarët
dhe drynet dhe pyetjet
dhe shumë, shumë frikëra,
Afori, vend i ri
që kur i volit
të dërgon rrezen e zhveshur
brenda qelisë së heshtur.

▪️Unë isha një zog

Unë isha një zog
me bark të butë të bardhë,
dikush ma preu fytin
për të më vënë në lojë,
nuk e di.
Unë isha një albatros i madh
dhe vërtitesha nëpër dete.
Dikush e ndaloi udhëtimin tim,
pa asnjë bamirësi të tingullit.
Por edhe e shtrirë në tokë
unë kendoj tani për ty
këngët e mia të dashurisë.

Alda Merini

▪️Alda Merini (Milano, 21 mars 1931 – Milano, 1 nëntor 2009) është një nga poeteshat më të njohura italiane, vargjet e së cilës kanë prekur dhe emocionuar me mijëra breza. Historia e trazuar e jetës së saj është e pranishme në poezitë, veçanërisht në ato të dashurisë. Dashuria së cilës i këndon Merini është e vërtetë, jo e idealizuar, e bërë prej mishi dhe jo vetëm prej shpirti.

Facebook Comments