Nga Pano SOKO

◾◾◾

Në fillim bleu pronarët e mediave. Iu dha tendera, konçesione, leje ndërtimi, iu hapi traun e doganës e çdo gjë me lekë publike.

Pastaj zaptoi emisionet e lajmeve në mediat kombëtare. Në aktivitetet shtetërore nuk lejoheshin gazetarët, ato përgatiteshin në kaseta dhe iu dërgoheshin redaksive të lajmeve që i jepnin shabllon, pa kurrfarë retushi gazetaresk. Edicionet e lajmeve u kthyen në “Revista Televizive” të kohës së merhumit, ku propaganda dhe opiumi servireshin në një dozë.

Pastaj me bllokimin e zërave kundër në mediat kombëtare. Çdo emision në TV kombëtare duhet të kishte doza oponence të kontrolluara. Asgjë jashtë skemës. Në pamje të parë ruhej fasada e lejimit të fjalës së lirë, por përmbajtja e oponencës duhet të ishte e miratuar nga lart. Që të deformohej e vërteta mjaftueshëm që mos shkaktohej dëm.

Pastaj makineria e propagandës. U blenë gazetarë të mëdhenj e të vegjël, kronistë, opinionistë, analistë, editorialistë që duhej t’i shërbenin propagandës. Iu dha fuqi e pamatë mediatike. Dilnin çdo natë. Dhe misioni i tyre ishte i qartë. Të krijonin një realitet të rremë duke krijuar një “të vërtetë” false në sytë e publikut. E nëse s’mund ta bënin dot këtë, të mundoheshin të shtrembëronin realitetin duke shtrembëruar të vërtetën. E nëse s’mund ta bënin dot as këtë, të kundërshtonin, të bënin zhurmuesin me qëllim që publiku të ishte i paqartë se kush ishte e vërteta.

Pastaj erdhi “veshja e djallit me Prada”. U blenë show man dhe show women publikë. Pothuajse të gjithë. Emisione emocionale që e nxirrte udhëheqjen si bamirëse, si njerëzit e dhimbshur. Nuk u kursye asgjë. As fëmijët. Madje, sidomos fëmijët. Panteone publikë që ngriheshin në pikun e audiencës dhe tregonin sesa të dhimbshur ishin udhëheqesit, sa të ndjeshëm, hyj që kishin marrë formë njeriu. Kështu publiku do të harronte taksat, vjedhjet, koncesionet, liritë që i mungonin, praktikisht çdo gjë që kishte vlerë. Do të harronin të vërtetën.

Më pas u vazhdua me teorinë e kaosit. Nëse ndodhte një skandal me peshë, shkaktoheshin dhe 3-4 skandale të tjerë që sponsorizoheshin nga media, enkas për të shpërndarë vëmendjen. Ministri i Brendshëm akuzohej për lidhje me krimin – në të njëjtën kohë media sponsorizonte atletet e bardha në takimin e NATOs, yamamotot në varrezat e dëshmorëve etj.. Me qëllim që publiku të harronte të vërtetën e madhe.

Dhe kur mbaroi së strukturuari televizionet publike, pastaj filloi t’i shante, t’i quante kazan. Gjoja ishte i mërzitur. Kështu askush nuk mund ta akuzonte se i kishte kapur..se ja ai po i shante. “Nëse do t’i kishte kapur, nuk do t’i shante”- është ajo që do të mendonte publiku.

Dhe kur mbaroi me Televizionet, iu fut rrjetit.

Krijoi një TV të vetin ku detyroi çdo punonjës shtetëror të “pëlqenin” dhe “shpërndanin” çdo postim, kështu do të krijonte imazhin sikur mbështetja ndaj udhëheqësit ishte më e madhe sesa kundërshtimi.

Në kulmin e patetizmit dhe legenizmit profesional, televizionet publike filluan të trasmetojnë aktivitetet e qeverisë jo nëpërmjet gazetarëve të vet, por nëpërmjet sinjalit të ERTV. Dhe si për ta çuar legenizimin deri në fund, i detyronte të mbanin dhe logon e ERTV.
Sepse e vërteta duhet të shkonte tek publiku e filtruar.

Më pas filloi sulmin ndaj kundërshtarëve. Krijoi Accromaxin, një kompani kriminale që ka për qëllim të mbyllë çdo gojë kundërshtare që mund të mbyllë. Ne si Nisma Thurje jemi viktimë e drejtëperdrejtë e kësaj. Dhe e ka bërë me video ku isha unë duke folur, ose Endri Shabani. Accromax që paska të drejta mbi imazhin tonë dhe ne s’dimë gjë..
Por jo vetëm. Brryli, JOQ, Lolita, Genc Sejko, Erion Kristo, AMT etj., ose u kërcënuan me mbyllje, ose u mbyllën krejt nga kjo vegël kriminale. Kur të gjithë ishin të përqëndruar tek tërmeti dhe pasojat, ai shfrytëzoi gjendjen e emergjencës për të shuar zëra kundërshtarë. Që të vriste të vërtetën.

Dhe hapi i rradhës janë këto projekt-ligje për vendosjen e kontrollit të të vërtetës nën tutelën e punonjësve të qeverisë. Që e vërtetë të jetë vetëm ajo që qeveria do që të jetë e vërtetë.

Por më besoni, ky nuk është fundi. Nëse mundet, ai do të vazhdojë. Pse jo dhe të bllokojë fare internetin. Nëse ne i lëmë hapësirë, do ta bëjë dhe s’i vjen hiç turp.

Nëse mendojmë se e keqja ka një fund, atëherë s’kemi kuptuar asgjë.
Nëse ka një gjë të vërtetë gjithë këtë kohë, është postulati “Ne s’kemi parë asgjë akoma”

E keqja shkon deri në pafundësi nëse askush nuk përpiqet ta ndalë.

Unë të mërkurën do të dal. Do të mundohem ta ndal. Vetë s’ka për t’u ndalur asnjëherë.

Facebook Comments