Nga Fadil SAHITI

◾◾◾

Nuk është e lehtë për ta kuptuar racionalisht ngërçin ku kanë rënë bisedimet rreth koalicionit qeverisës mes partive politike që kanë fituar zgjedhjet e fundit në Kosovë. Personalisht kam qenë përkrahës i koalicionit mes VV-së dhe LDK-së. Kam menduar dhe mendoj që nga të gjitha partitë tjera politike, këto dy parti kanë kuadrot profesionalisht më të avancuara të cilat mund ta bëjn çkapjen e institucioneve të shtetit. Por ajo që këto ditë po ndodh në procesin e negociatave mes dy partive është shqetësuese, për të mos thënë imorale.

Është pak e çuditshme se si strukturat udhëheqëse nga të dy partitë politike manifestojnë mungesë të theksuar racionalizmi politik në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për koalicion politik. Kjo sepse ka më shumë se një javë që na është thënë se ato tashmë kanë arritur pajtueshmëri të plotë rreth programit qeverisës. Nësë kjo është kështu, për një mendësi racionale politike, çështjet tjera do duhej të kuptoheshin si çështje minore, triviale.

Mund ta kuptojmë kryeneçësinë e kërkesës së LDK-së rreth postit të presidentit, por, duket pak iracionale kryeneçësia e VV-së në kundërshtimin që i bën kësaj kërkese. Nëse kauza politike e kësaj të fundit ka qenë ardhja në pushtet dhe fillimi i çmontimit të kapjes së shtetit, dhe nëse harmonizimi i programi politik qeverisës është premisë që mundëson një gjë të tillë, atëherë refuzimi i tyre duket të jetë iracional.

Pretendimin e kreut të LDK-së për pozitën e kryetarit të shtetit e shoh si kërkesë tipike politike, që zakonisht vjen nga njerëz që ngarendin për poste, qoftë edhe nese ato poste kanë karakter krejtësisht formal. Por, kjo kërkesë s’mund të konsiderohet jo-legjitime. S’ka përse të konsiderohet as si e dëmshme. Kushdo që mund të vije në postin e kryetarit të shtetit pas dy viteve, nuk mund të jetë person më pak kredibël se sa kryetari aktual. Në fund të fundit, Vetëvendosje duhet të pranoj një gjë. Nëse personi kryesor negociues ka qenë kryetari aktual i LDK-së, dhe nëse ky i fundit duhet të shihet si garancë në zbatimin e programit qeverisës, atëherë s’ka si të jetë i dëmshëm edhe si kryetar shteti.

Nuk them se VV duhet të pajtohet që pozita e kryetarit të shtetit duhet t’i jepet LDK-së sepse ata kanë njerëz më kredibël për këtë pozitë. Them që Vetëvendosja duhet të lëshoj pe dhe këtë duhet ta bëj për hirë të kauzës politike qe e ka mbajtur gjallë deri sot. Nëse kompromisi nuk ndodh, atëherë faji për dështim nuk ka si t’i faturohet vëtëm njërës parti politike.

VV, por edhe LDK, duhet të japin fakte se qeverisjen me fatin tonë nuk e konsiderojnë si privilegj, por si detyrë. E këtë mund ta bëjnë vetëm pasi të fillojnë qeverisjen. Duhet ta na bëjn të qartë se neve na shohin ashtu siç i sheh një prind i mirë fëmijët e vet, apo sic një zot i mirë shtëpije i sheh dhe kujdeset për anëtarët e familjes së vet.

E fundit, të dy partitë duhet të na bëjn të qartë se politika për ta nuk është qëllim në vete, por si mjet për të na përmirësuar jetën tonë.
Gjithçka tjetër do të ishte farsë dhe imoralitet.

Facebook Comments