◾◾◾

Dashuria dhe seksi në Tiranën e 2020-ës, aktorët e famshëm bëhen bashkë për festa me filmin më të ri , “Love”

Një kast aktorësh të njohur të momentit janë bërë bashkë për filmin më të ri, “Love”, një realizim i Papadhimitri Production, premiera e të cilit do të shfaqet në kinema nga 19 dhjetori.

Filmi që vjen në këtë atmosferë festash ngre pyetjen: “Dashuria, çfarë është?”
Një pranverë pa fund, apo një vjeshtë pa mbarim?” Një burrë i lodhur nga jeta e përditshme, Geri kthehet pranë shokëve të fëmijërisë në Tiranën sot, të 2020-ës.

Plot humor e ironi, me një interpretim super nga secili aktor, vjen filmi “Love” nën regjinë e Dionis Papadhimitrit dhe në sfondin e festave të fundvitit.

“Seksi plot joshje apo dorëzim përpara çdo dite! Secili nga ne e di vetë, merr nga çdo ditë sa mundesh pa dramë dhe pa finale!”,

janë disa nga pos- timet në rrjete sociale që shoqërojnë sekuenca të filmit pak ditë para se publiku ta shohë filmin e plotë.

I konsideruar si një përballje me veten, e qetë plot jetë dhe të vërteta thënë me kurajë, që deri sot i ka munguar kinemasë dhe sidomos spektatorit që do të vijë të qeshë sa të dojë, shkruhet në njoftimin e produksionit.
Nga skenat në rrugë e plazh e deri te darkat me një gotë verë apo fotot në robdeshambër, janë disa nga skenat e filmit ku aktorët e zgjedhur duket se kanë shumë kimi me njëri-tjetrin.

Genti Kame, Olta Gixhari, Rozi Kostani, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Luli Bitri, Herion Mustafaraj, Nevina Shtylla e Sara Kolami luajnë në këtë film, që do t’i bëjë të gjithë të reflektojnë për dashurinë në këtë atmosferë festash.

Duke folur për filmin, regjisori Dionis Papadhimitri tha për “Panorama Plus”:

“Love është një film i ndërtuar në të tashmen, duke u futur me shumë kurajë në krizat dhe përjetimet e personazheve.”

Personazhi i quajtur Geri kthehet në Tiranë pas një kohe shumë të gjatë, i lodhur nga bashkëjetesa dhe kërkon të takojë miqtë e mbase dhe dashurinë. Këtu, ndërthurur me episode komike, ai jo vetëm që nuk gjen asgjë nga ato që ka lënë, por një pjesë e miqve janë në kriza edhe më të mëdha.

Transformimi i shoqërisë, historitë e dashurisë, aventurat, na tregojnë që jeta është personale dhe fataliteti absurd na mund pa na dhënë mundësinë të jemi vetvetja, mbase asnjëherë në jetë.

“E trishtë për t’u thënë, e pamundur për të mos u pranuar!”
, përfundon Papadhimitri, duke iu referuar skenarit të filmit të shkruar nga vetë ai, në bashkëpunim me Irvin Muçaj.

Për muzikën e filmit me drejtor fotografie Spartak Papadhimitrin, kanë punuar Bojken Lako, Janex, ndërsa për kostumografinë Ardi Asllani.

Facebook Comments