Nga Emin Z. EMINI

◾◾◾

Në vigjilje të premierës më të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Kjo shfaqje e cila vjen premierë fillimin e javës tjetër, për autor ka një prej autorëve më të shquar shqiptar, dhe jo vetëm, Haqif Mulliqi e që është vënë në skenë nga regjisorja e re dhe shumë e talentuar, Zanë Duraku. Në shfaqje luajnë aktorët: Shpëtim Selmani dhe Rabije – Rozi Kryeziu. Asistent regjie në këtë shfaqje është, Armend Ballazhi. Instrumentist është Xhemajl Gllavica ndërsa skenografinë e ka realizuar nga Mentor Berisha.

“Trenat” e Haqif Mulliqit nuk trajton mjetin me të cilin është shërbyer makineria serbe për deportimin e dhunshëm të rreth një milion shqiptarëve nga trojet e tyre, por trajton një moment jetësor të qenies njerëzore, ku shkaku i dhunimit dhe përdhunimit, identiteti dhe integritetit personal i kësaj qenieje njerëzore shkatërrohet deri na atë masë sa dhe del nga binarët jetësor.
Vini dhe Veni, grua e burrë, që janë pritje të ardhjes në jetë të foshnjës së tyre, janë dy personazhet e kësaj drame të trishtë që ndodhen edhe në pritje të trenit për ikur nga fatkeqësia e pritshme që mund t’iu vinte nga çmenduria çetnike e pushtuesit.  Por, treni nuk vjen. Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin, pa e zgjedhur moshën (e në disa raste as gjininë) e përdorin si mjet, si armë lufte.
Këtu nis drama “Trenat” e Haqif Mulliqit, personazhet e së cilës, edhe pas pësimit dhe ripërsimit, mbesin në pritje të trenit, por tani të atij treni me të cilin do të iknin nga vetja e tyre. Mbesin, pra, në pritje të atij treni, i cili do t’ua shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtin, psikikën, emocionet, ndërgjegjen, gjakun… e tyre. Dhe natyrshëm, siç ai tren nuk vjen asnjëherë dhe kurrë në jetën e askujt, po ashtu, natyrshëm nuk vjen as për Veni-Vini. Dhe shi për këtë, treni, në këtë situatë (jetësore-skenike) e humb tashmë kuptimin dhe ai shndërrohet në diçka që duhet të pritet, por që nuk vjen.
E në këtë pritje sa ironike e të pakuptimtë, po aq edhe të trishtë e fatale, shpërthejnë akuzat, kundërakuzat e vetakuzat, mospajtimet e konfliktet, dashuria e dhimbja e dy personazheve të kësaj drame, të Veni-Vinit, që herë ndërtojnë e herë çartin “gurët” e rrënojave të personalitetit vetanak dhe të njëri-tjetrit. Ata shndërrohen në brejtës e gërmues të tmerrshëm të jetës së tyre të përbashkët e të njëri-tjetrit dhe një të njëjtën kohë, shndërrohen në ilaç mëkues të së ardhmes së tyre, të cilën, mbase, jo që nuk e shohin askund në horizont, por edhe që nuk do t’iu vinte kurrë, asnjëherë, ashtu siç nuk vjen as treni i pritjes së tyre. Kështu, në këtë katrahurë, Veni e Vini detyrohen të shndërrohen në të njëjtën kohë në prokurorë dhe avokatë të biografisë vetanake dhe të njëri-tjetrit gjithnjë me qëllim të çngujimit të jetës së tyre nga labirinthi çmendurak në të cilin i kishin katandisur të tjerët.

Personazhet që duan të mbeten vetëm artistë

Veni dhe Vini, meqë me profesion janë aktorë, kërkojnë ta përfundojnë njëherë e përgjithmonë “lojën” në teatrin absurd të jetës së tyre, ngase tashmë ata kanë shteruar edhe atomin e fundit të energjisë së tyre në kërkim të ikjes nga kjo mënyrë e jetës së imponuar nga dikush tjetër. Ata duan të mbesin vetëm artistë, siç janë në realitet, por jo të luajnë siç thotë Veni, citat:

“Rolin e çuditshëm të karrierës ku s’ka as skenar, as mizanskenë artistike, as regji, as spektatorë, por vetëm teatër të pakuptimtë”.

Ata, lundrojnë nëpër kohëra të kaluara, shkojnë e kthehen nga reminishenca si gjetje, si mënyrë për ta mundur kotësinë, absurditetin dhe frikën, sepse duan më tërë qenien e tyre të dalin nga tuneli, citat:

“… në të cilin nuk kishte më as fillim, as mbarim, por vetëm mes të trishtë”.

Prandaj, kujtoj, kjo dramë, lirisht mund të titullohej, fjala vjen mestuneli apo stacioni në tunel, sepse dy personazhet e saj, pra, Veni dhe Vini, ndodhen në pritje – sikur të ishin në mesin e tunelit nga ku nuk shihet asnjë rreze drite, madje as një shkëndijë e vetme drite për jetët e tyre. Pra, të ndodhesh në mes të tunelit duke pritur trenin do të thotë të ndodhesh në një situatë absurde e të pakuptimtë, apo ta ndalësh jetën, si në një stacion treni në mes të tunelit, është situatë absurde dhe e pakuptimtë për aq sa të kërkosh stacion në mes të tunelit. Dhe personazhet e dramës “Trenat” ndodhen në pritje trenit si në një stacion i cili ndodhet në mes të tunelit.
Veni dhe Vini janë në pritje të  trenit për të dërguar në azil të përhershëm personalitetet e qenies së tyre, ndonëse sipas pagëzimit Veni—Vini, ata do të duhej të shkonin për t’u kthyer prapë. Por, ata as nuk shkojnë gjëkundi, e, logjikshëm, as nuk kthehen. Në të vërtetë, personalitetet e tyre pas dhunimit e përdhunimit të cikluar e të ricikluar që kanë pësuar, kanë shkuar në katrahurë, në fatalitet. Njerëzorja e tyre është çnjerëzuar. Vini dhe Veni ngelin si kufoma të gjalla në pritje të trenit-Godo, apo të Godo-Trenit, siç, atë tren e quan në një momentum të pritjes, personazhi i dramës “Trenat” – Veni.
Treni nuk vjen, por vjen vdekja. Vjen vdekja për foshnjën e tyre të palindur dhe më pastaj edhe për nënën e asaj foshnje, për Vinin.
Vini, ndonëse kishte kohë që foshnjën e saj të palindur nuk e kishte ndierë të gjallë, ajo duke mos dashur ta pranojë këtë fatkeqësi e dhembje të skajshme që ia kishin shkaktuar bishë-dhunuesit dhe duke mos dashur që tërë këtë pathos – situatë katastrofale ta transmetojë te burri i saj Veni, dhe me që nuk kishte kurrfarë shprese për të mbijetuar e sidomos, për faktin se për të tashmë, jeta kishte humbur krejtësisht kuptimin e saj, ajo me vetëdije e delegon fatin dhe jetën e saj drejt fundit fatal e absurd, drejt vdekjes. Përse mund të thuhet fundit fatal e absurd?
Sepse: Ajo qëndronte në gërmadhat e stacionit dhe priste trenin për të ikur nga makineria vrastare serbe, pra priste për të ikur nga vdekja, por në të njëjtën kohë, ajo duke e mbajtur në bark e foshnjën e vdekur, ajo me vetëdije e mbarte brenda vetës, në barkun e saj – vdekjen së saj. Pra, Vini në të dy rrethanat, qoftë nëse do t’ia dilte të ikte nga soldalteska serbe, qoftë nëse do të mbetej aty, duke pritur, në çdo variant, nuk priste asgjë tjetër, pos që priste vdekjen. E në tërë këtë pritje fataliste, ajo nuk mund dhe nuk do ta lind foshnjën e saj të vdekur, sepse me çdo kusht e çmim do ta përjetojë ndjenjën e nënës që lind jetë.  Dhe sa e fuqishme është ndjena e Vinit-nënë, e cila qoftë edhe për aq kohë sa qëndron e nuk bëzan me foshnjën e vdekur në barkun e saj, qoftë, pra, për aq kohë, ajo, sikur do zgjas përjetimin hyjnor e bërjes nënë, prandaj dhe gjatë tërë kësaj kohe, Vini sikur njëjtësohet më vogëlushen e saj të palindur, e cila nuk lëvizë më. Ja se si Vini e përjeton këtë situatë dhe katrahurën në të cilën ndodhet, citat:

Vini: … kjo, thjesht, ra në gjumë, Didi, ra në një gjumë të thellë dhe nuk deshi të lëvizë më… Ndoshta deshi të shndërrohet në engjëll dhe të shkëputet nga këto ndytësime që i përjetuam ne…

E, Veni, edhe pse e merr informacionin se “forcat serbe nënshkruan” mbetet akoma në pritje, por tash kjo pritje edhe për të, pa gruan dhe pa foshnjën e tyre nuk ka më kuptim, ajo është skajshmërisht absurde. Kuptim ka zhurmërima e lokomotivës së trenit që në fund (dhe më në fund) e mbyt zërin e tij. Këtu është fundi edhe i pritjes së tij.

“Trenat” e Mulliqit një dramë post-moderne

Kjo dramë e Mulliqit është ndërtuar kryesisht sipas parimeve të poetikës së anti-dramës, edhe në kuptimin e zhvillimit dhe rrjedhës së fabulës, por edhe në kuptimin e ndërtimit të karaktereve të personazheve të saj. Ata, ndodhen në një hapësirë nga e cila kërkojnë të dalin, por që nuk ndërmarrin asnjë veprim për të dalë dhe në këtë rast, mund të thuhet se i veprim i tyre është antiveprimi, pra, është qëndrimi në atë vend, përkatësisht – pritja. Këto personazhet nuk kanë konsistencë të karaktereve dhe dialogët e tyre në të shumtën e  herëve janë mjeti që prishin linjën e komunikimit të logjikshëm, me të cilin ata do të merreshin vesh për të gjetur rrugëzgjidhje për të dalë nga situata absurde jetësore në të cilën ndodhen.
Dhe në fund drama “Trenat” ka edhe elemente të dramës post-moderne. Ajo nuk i qëndron besnike zhanrit dhe si e tillë mund të lexohet njëkohësisht si dramë, madje si dramë ironike, edhe si tragjedi, e edhe si groteskë, madje edhe si farsë tragjike, por ajo që është më qenësorja në këtë dimension, është fakti se drama “Trenat” ka përbrenda elementin e citatësisë, i cili, autorit të saj, i shërben për të ndërtuar dhe zbërthyer veçoritë, tiparet e karaktereve të personazheve dhe të biografisë së tyre, të cilët, herë pas here kthehen në reminishencën profesionale e jetësore duke shkoqitur dhe interpretuar etyde nga fjala vjen, Godoja e Beketit, Idioti i Dostojevskit apo Katër epoletat e Mulliqit.
Dhe fare në fund, personazhet e dramës “Trenat” – Vini dhe Veni janë në pritje, si Vladimiri e Estragoni të S. Beket. Vini dhe Veni presin diçka që e quajnë tren, Vladimiri e Estragoni presin dikë që e quajnë Godo. Prandaj, personazhet e dramës “Trenat” të Haqif Mulliqit e thërrasin herë pas here njëri-tjetrin me emrat Didi, Gogo, ashtu siç e thërrasin njërit-tjetrin Vladimiri e Estragoni i Beketit. Madje Veni, në fund të dramës e thërret gruan e tij, Vinin, me emrin Didi dhe ky emër është fjala e fundit dhe që i vë pikën mbylljes së dramës.
▪️▪️▪️

“Trenat” e Haqif Mulliqit, me regji të Zanë Durakut do të shfaqen si premierë përpara publikut me datën 16 dhjetor, në orën 20:00. Kjo shfaqje është premiera e nëntë, njëherit e fundit për këtë vit kalendarik në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Trenat. Dramë nga Haqif Mulliqi
Regjizorja Zanë Duraku

Facebook Comments