Nga Qamil GJYREZI

◾◾◾

Qyteti i Rozafës asht i mendjes, dijes, tregtisë, artit dhe kulturës! Pa mendje, dije, ekonomi, Shkodra nuk do të kishte pasë mundësi të zhvillonte talentin dhe traditën artistike!
Shkodra është një prej qyteteve më të kahershme të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare në qytet dhe krahinë.
Shkodra është çmue ndër kohëra të ndryshme si nyjë me randësi gjeostrategjike prej afërsisë mes malësive, liqenit, detit dhe rrugëve me rëndësi në kuadrin e Ballkanit Perëndimor.
Shkodra asht cmue në shekuj edhe për mendjen dhe dijen e saj! Mendja njerëzore asht shumë e randësishme në planin psiko-fizik. Mendja truni drejtojnë të gjithë veprimtarinë e njeriut dhe e prezantojnë atë si qënie shoqnore në komunitet duke zhvillue ekonominë, artin dhe kulturën!
Mendja ndikon ma shumë tek shkencat ekzakte, tregtia, arti, gjuha. Kurse “shpirti’ asht ma i thellë dhe sëbashku me mendjen ndikojnë tek arti, muzika, letërsia, piktura dhe teatri!
Shkodra ka kenë e shqueme në art dhe kulturë, por kjo veprimtari shpirtnore dhe mendore nuk mund të bahet pa mend dhe zhvillimin ekonomik, teknologjik e virtual.
Shkodra ka kenë gjithashtu e shqueme gjithashtu në fushën e dijes. Në Shkodër kanë mësue të gjithë ata mësues që kanë ndikue tek zhvillimi intelektual nga veriu deri në jug, sidomos mbas vitit 1957 kur asht krijue Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Sot po zhvillohen dhe ecin përpara, shumë degë të reja si ekonomiku, albanologjia, psikologjia dhe punë sociale, juridiku, gjuhët e huaja, infirmieria, sporti, gjeografia etj.!
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka sot një fizionomi ma të plotë, jo vetëm për të shpalosur vlerat e tij e për t’u prezantuar si një nga institucionet kryesore të arsimit të naltë publik në Shqipëri, por edhe për të shprehun angazhimin e motivimin e tij në zbatim të detyrimeve si institucion i arsimit të naltë dhe për t’u shërbyer sa më mirë studentëve e të gjithë të interesuarve të tjerë. Me rrënjët e tij në traditën e një qytetërimi të hershëm evropian, mbështetur në një traditë të shkëlqyeme arsimore dhe edukative, me një staf shumë të kualifikuem e profesional, vendas dhe të huaj, me mundësi të shumta zgjedhjeje në fakultetet e degët e tij (6 fakultete dhe 24 degë) Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nëpërmjet programeve të tij të studimit ofron mundësi të shkëlqyeme për ndjekjen e studimeve të nalta universitare.
Shkodra ka pasë në histori edhe një tregti shumë të zhvillueme. Pjesë e randësishme e historisë, kulturës dhe traditës së Shkodrës është edhe Pazari i Vjetër i këtij qyteti, që për fat të keq, sot nuk ekziston ma. Sipas të dhanave gojore fillimet e tij, mendohet se i përkasin Dinastisë së Bushatllinjve, por që lulëzimin ma të madh ai e arriti gjatë pushtimit osman, duke u ba pazari ma i madh, ma i bukur e ma me emën në katër vilajetet shqiptare, veçanërisht i krahasuem me Pazarin e Prizrenit. Dikush tjetër na thotë se për nga bukuria, madhështia dhe siguria, ky pazar ishte i dyti mbas atij të Stambollit, si dhe në atë kohë ka kenë tregu më i madh pothuajse në gjithë Rumelinë.
Si rezultat i tregtisë, lidhjeve me perëndimin dhe lindjen pra ekonomia e bame me mend, në Shkodër u blenë pianot, u kultivua dhe krijua letërsia, piktura, fotografia, u ba humori dhe dëfrimi dhe u ndërtuen banesat e shtrenjta me arkitekturë të ndryshme.
Humori asht tendenca e përvojave për të provokue të qeshurën dhe për të pasë dëfrim. Termi vjen nga mjeksia umorale e Greqisë së lashtë, që mësonte ekuilibrin e langjeve në trupin e njeriut, i njohun si “humours” (Latinisht: humor, “lëng trupi”), kontrollonte shëndetin dhe emocionin e njeriut.
Humori dhe teatri shkodran janë pjesë e randësishme e qytetit tonë. Në vite janë shque shumë humoristë, të cilët kanë lujtun një rol të randësishëm si në planin qytetar, artistik dhe shpirtnor! Humori shkodran ka kenë pjesë e qytetit në momente të mira dhe të këqia duke ndikue në planin shpirtnor, në tavolina, skenë, në raste gëzimi por edhe idhnime!
Por përsëri e shkruaj nëse nuk ka ekomomi dhe zhvillim intelektual, “dije” për atë cfarë ban, humori nuk ka vend për zhvillim dhe krijimtari dhe nuk zhvillohet nga fuqia krijuese, humor me mend por edhe me talent!
Humori ka ironinë, shpotinë, nëntekstin dhe jep shumë mesazhe.Shkodranët nga natyra janë shumë humoristë dhe shpesh në tavolina tregojnë edhe “qyfyre”! Por po përdori shprehjen: “Gjella me krypë dhe krypa me karar”!
Në kapitalizëm nuk ka kohë shumë për humor, mbasi duhen para për të jetuar dhe njerëzit simbas kulturave në europë dhe amerikë e marrin humorin në T.V., në rrugë, në klube dhe në diskoteka ku këndohet dhe dëfrehet, gjithmonë në fund javë!
Përse nuk qeshin “shumë” austriakët, gjermanët edhe italianët? Së pari kanë personalitet të ndryshëm nga neve dhe janë njerëz të punës dhe kanë mendjen e cila krijon humor tjetër në raport me kulturën tonë! Sejcili komb qytet ka humorin e tij nga mënyra e të menduarit të tij dhe gjuha!
Në Tiranë, Durrës, biles edhe në Korcë e Elbasan sot nuk kanë kohë shumë për “humor”!? Këta qytete janë të prirun drejt ekonomisë, zhvillimit, dijes dhe arteve që janë të lidhun me personalitetin dhe interesat e tyne qytetare! Biles estradat në këto qytete nuk kanë funksionue që nga vitet 1994! Më duket ashtu sic ishin konceptue, ishin të lidhuna me ish-sistemin socialist dhe diktaturën! Fjala estrada vjen nga italishtja “art që vjen nga rruga”! Kur një konsull italian ndoqi një cfaqje estrade në skenë në vitin 2002 në Shkodër, u përgjigj se vetëm estrada nuk asht në thelb!?
Në këtë kontekst lot një randësi të madhe gjuha si mjet komunikimi, konteksti ku zhvillohen ngjarjet dhe të menduemit edhe koha kur luhet humori!
Kam tentue të prezantoj tek studentët temën, “Psikologjia e humorit dhe kultura”! Nga testi kam vërejtun se jo gjithomonë i “ban me qesh humori”, po themi shkodran apo ai tiranas! Ndoshta ata që e kanë krijue me mendjen e tyne nuk kanë kenë të aftë për të dhanë mesazhe universale dhe kohore që jep muzika!?
Humori në Shkodër ka lindun në rrugë dhe ta vësh në skenë sidomos sot, këkon punë, talent dhe shkollë regjizoriale! Humori ka lindun nga amatorët shkodranë, njerëzit e thjeshtë! Por sot kur kemi një shkollë për aktrim nuk mund të themi se humori mund të lindi në rrugë, mbasi asht humor urban dhe nuk ka mundësi të japë mesazhe dhe të ndikojë tek dëgjuesi!
Unë i respektoj amatorët, mbasi ky term asht i lidhun me dashuninë “amare” dhe në Shkodër ka pasë shumë “ama, dashuri per artin”, prandaj ka patun shumë amatorë dhe kulturë!
Por amatorët thonë nganjëherë me egërsi, bani ju sa të dush shkollë, se arti asht me “talent”!
Shumë regjizorë me shkollë kanë dështue në Shkodër, mbasi ligjin e kanë ba dhe e bajnë aktorët amatorë të “talentuem”!
Nuk e kuptoj se si “ligjin”, “për të marrë vendime artistike” mund ta bajnë individë që vinë nga ish-ndërmarrjet ose tavolinat pa një “gram shkollë” dhe e kthejnë në art! Nuk baj fjalë për talentet dhe ata aktorë që kanë krijue disa simbole artistike, shpesh të mbështetun nga konteksti, vendi qyteti, koha, por për të zakonshmit. Këta vlera duhet t’i studjojë dhe analizojë kritika artistike për teatrin dhe humorin, që funksionon pak. Të bash art asht fjalë e madhe, koncept i randësishëm!
Në historinë moderne kur ka shkolla dhe zhvillim nuk e bajnë ligjin amatorët, por regjizorët dhe skenaristët me shkollë, filozofët e artit, psikologët e artit, gjuhëtarët që transmetojnë mesazhe artistike!
A mund ta prezantojnë humorin shkodran ose tiranas në Amerikë, Gjermani, Itali dhe a mund të kuptohen nga publiku!?
Nuk asht e randësishme se e lozin në anglisht, italisht apo gjermanisht! E kanë provue, por nuk ka funsionue vetëm tek komunteti shqiptar në disa ambiente gadi private. Por ta luash në skenë, duhet punë dhe mendim regjizorial profesional. Publiku në këta vende nuk kupton humorin edhe pse aktorët e humorit e flasin mirë gjuhën e atij vendi, sepse asht mendimi, kultura që përcakton, jep kuptim dhe transmeton mesazhe. Humori jonë nuk asht gjuhë universale si muzika, prandaj nuk kuptohet shumë!
Ishte e pafalshme për atë që kupton mirë termin arte, të marrin tituj së fundi në Shkodër, amatorë estrade që kanë ardhë nga ndërmarrjet në skenë para viteve 90-të dhe të krahasohen me “simbolet” e teatrit pse jo edhe të humorit që mund të jenë disa aktorë humori të talentuar! Për “simbolet” artistike në vite nuk ka pasë randësi shkolla, por ka përcaktue talenti edhe eksperienca biles dhe mendimi ka dhanë mesazhe të mëdha. Disa artistë amatorë, mund të kenë kontribut mbasi kanë marrë rrogën për këtë punë, por të marrin marrin “tituj të naltë” duhet të kesh vepër arti!
Disa shkrimtarë të ish-diktaturës, të cilët kanë shkrue kundër priftërinjve dhe hoxhallarëve dhe sot e përmendin Enver Hoxhën se i’a kanë borxh!
Asht interseant fakti por janë të pakët ata artistë shkodranë, që kanë mbeshtetun lëvizjen demokratike nw vitet 1990. Biles një kompozitor dhe një humorist kandiduen në zgjedhjet e vitit 1990 për Frontin Demokratik të Ramiz Alisë!?
Këta aktorë dhe shkrimtarë, falë egos së tyne “patologjike” përmendin “vehten” mbasi e vlerësojnë vehten dhe e “duan” shumë prandaj duan tituj e dekorata të pa fund duke prezantue një “mazokizëm” dilerant!!
Në këtë kontekst marrin tituj edhe disa aktorë mesatar me shkollë, por që shrytëzojnë rastin për një vlerësim të tillë nga pozitat drejtuese ose klanore!
Mendoj se qytetet si Shkodra, duhet të respektojnë kontributet në të gjitha fushat edhe në atë artistike. Por sot Shkodra duhet të ketë kryesisht, projekte moderne zhvillimi të ekonomisë, infrastrukturës, edukimit të mendjes, ti japi randësi dijes dhe inovacionit duke mbështetur të rinjtë për të konkurrue ose për t’i përngja metropolit, Tiranës! Në Tiranë asht “ringu”, për të matun forcat intelektuale, ekonomike, artistike dhe tw dijes! Më erdhi keq që disa artistë “hipokritë” që kanë ba karrierë në kryeqytet, ju vjen keq gjoja se nuk kanë punue në Shkodër para viteve 90-të!?
Prandaj mejtoj se Shkodra duhet të jetë e mendjes e të rinjve, e universitetit dhe e tregtisë vendase, rajonale dhe europiane!
Nuk asht Shkoda vetëm e atyne që shkojnë ne teatër dhe aktivitete kulturore që organizon Bashkia! Shkodra sot asht nje qytet i madh që fillon nga Dukagjini dhe mbaron në Velipojë Shkodra ka lagjen Kiras dhe Marlulej e lagje të tjera! Bashkia e Shkodrës, e cila shtrihet prej Alpeve Shqiptare deri në detin Adriatik, u krijue pas reformës territoriale më 2015 .
Të gjithë duen punë, bukë, shkollim dhe qetësi, mbasi janë pjesë e randësishme e qytetit, pse jo edhe humor, muzikë dhe teatër!
Si përfundim nëse Shkodra do të punojë për mendjen dhe të “zhvillohet me mend”, mbasi mendja i ban të gjitha, atëherë do të ketë tregti, zhvillim, punë, art dhe piano.
Sot në botën ku jetojmë ka ma shumë nevojë për punë, dije pse jo për humor dhe argëtim mbasi i motivon të gjithë për të punue dhe i ndihmon në planin psikologjik!
Po art për art, humor për humor, gallatë për gallatë, nuk ka në kapitalizëm me rregulla dhe ligje, mbasi socializmin e provuam duke na varfërue e tallun, duke ba humor me neve. Më kujtohet shprehja: “Në socializëm njerëzit bajshin sikur punojshin dhe ata (qeveria) bante sikur i paguante”!
Qeveria e Rilindjes sot me gallatë, humor, hajagre dhe drogë duket se po na varfëron edhe kapitalizmi aktual pa rregulla dhe qeveria përsëri “nuk siguron punë dhe qetësi”, dhe njerëzit bajnë pësëri humor!
Prandaj duhet t’i thërrasim mendjes, t’i lëmë lojnat, t’i kërkojmë llogari atyne që na qeverisin në qeverisjen lokale dhe qendrore, për të ndalue të rinjtë që largohen dita ditës! Prandaj e quajta Shkodrën e mendjes, se punët e mira edhe të këqia i ban mendja!
Por unë jam optimist për Shkodrën dhe mendjen positive, humorin, aftësitë artistike dhe shkencore të shkodranëve dhe Shkodrës!
Shkodra do të eci përpara dhe do të zhvillohet nëse do të menaxhojë shumë më mirë me një projekt afatmesëm dhe afatgjatë 2020-2030, burimet njerëzore dhe natyrore, duke vënë në punë mendjen, dijen, ekonominë, tregtinë për zhvillimin ekonomik dhe artin!

Facebook Comments