Nga Dashnor KALOÇI

◾◾◾

Kjo eshte historia e panjohur e pjesetarëve të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilët Enver Hoxha i eliminoi të gjithë duke filluar që nga periudha e Luftës me Anastas Lulën dhe Sadik Premten, për të vazhduar më pas me Koçi Xoxen, Kristo Themelkon, Tuk Jakovën, Sotir Vullkanin, Ramadan Çitakun e Koço Tashkon. Të vetmit që i shpëtuan ndëshkimit, ishin Pilo Peristeri që u la në postin e Drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve dhe Sinan Hasani, i cili që gjatë Luftës u dërgua me mision në Kosovë prej nga nuk u kthye më, dhe pas vdekjes së Titos ai arriti postin e Presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë…
Dorës së hekurt të Enverit, i cili gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij despotik e mbushi Shqipërinë me kampe dhe burgje për kundërshtarët politikë, nuk i shpëtuan as vetë ata që kishin themeluar Partinë Komuniste dhe kishin sjellë atë në krye të saj.
Po kush ishte njeriu që bëri përpjekjet e para për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri, kush ishin ata që morën pjesë në mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1941 dhe si i eleminoi Enver Hoxha të gjithë ata, duke i ekzekutuar, burgosur apo internuar?
Koço Tashko: Enverin e mora se na duhej një myslyman
Një nga njerzit që tentoi i pari të krijonte në Shqipëri një Parti Komuniste, ka qenë Zef Mala, i cili që në mesin e viteve ’30, drejtonte Grupin Komunist të Shkodrës.
Aty nga muaji korrik i vitit 1939, ai mblodhi një grup komunistësh dhe shpalli krijimin e një partie komuniste.
Mbas internimit të Zef Malës në Ventotene të Italisë, shokët e tij i humbën lidhjet me të, për shkak të pamundësisë së komunikimit. Kjo gjë bëri që edhe partia e tij të shpërbëhej plotësisht.
Lidhur me ekzistencën e kësaj partie, Koço Tashko ka dëshmuar: “Kur vajta në Itali për t’ju kërkuar ndihmë shokëve italianë për ndërmjetësimin e themelimit të partisë, ata nuk më pritën fare.
Ndoshta ata njihnin Partinë Komuniste të Zef Malës, të themeluar në korrikun e vitit 1939”.
Pasi Koço Tashko nuk mori dot ndihmën e komunistëve italianë, ai vajti në Jugosllavi dhe u kërkoi atyre të njëjtën gjë. Jugosllavët i sugjeruan atij se atë punë mund t’jua bënte shumë mirë, anëtari i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Miladin Popoviç, i cili ishte i internuar nga italianët në kampin e Peqinit.
Koço Tashko e pranoi sugjerimin e tyre dhe aksioni për lirimin e Miladinit iu ngarkua Mustafa Gjinishit dhe Guri Dhorit, shok i Tashkos.
Pas lirimit, Miladini u vendos në Tiranë në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, e cila ishte bazë e Grupit Komunisit të Rinjve.

Facebook Comments