◾◾◾

Elton Ilirjani, i riu homoseksual nga Tepelena që trazoi opinionin publik gjatë verës me deklaratat e tij në media, batutat dhe shpesh etiketimet për personazhet e politikës, vjen sot në një rrëfim ndryshe për Argjirolajm.net
Ne kemi biseduar me të vetëm për Tepelenën, qytetin e tij të lindjes.

Intervista

Ju keni dhënë shumë intervista gjatë gjithë këtyre kohëve në mediat shqiptare, lidhur me biznesin që keni, si dhe keni folur për orientimin tuaj seksual. Kësaj radhe ne duam prej jush një rrëfim vetëm për Tepelenën, qytetin prej nga ju vini. çfarë do të thotë të jesh nje mashkull gay nga Tepelena dhe ta tregosh këtë publikisht?

Tepelena, është një qytet dhe krahinë mbreslënëse. Për mua është qyteti më i bukur në botë. Të jesh gay në Tepelenë është sa e vështirë edhe e thjeshtë. E vështirë nëse ti zgjedh të jesh bezdisës për të tjerët. E lehte nëse je i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë.

Si ka qenë fëmijëria juaj në Tepelenë?

Fëmijëria ime ka qenë magjike. Kam kujtime të paharrueshme dhe që më kanë formuar mua në personin që jam sot. Në atë qytet aq të bukur kur në vitet 80 binte dhe dëborë e bukur, me ato sobat me dru, etj. Ishte magjik në dimër dhe në verë, qytet me 3 lumenj të bukur, ku lumi Bënçë ishte dhe i pijshëm dhe i lundrueshëm.

I mban mend shokët e tu të fëmijërisë në Tepelenë, mund të përmendësh disa prej tyre?

Po, patjetër. Unë shoqërohesha më shumë me femra. Lindita Bodeci, Klodiana Mihaj, Valbona Fejzo, Rediana Curraj, etj. Kisha edhe shokë: Elton Qeli, Altin Bilaj, etj. Keta më kujtohen tani për tani…

Po tani sa shpesh shkon në Tepelenë? Kur ka qenë hera e fundit që shkove dhe si të pritën ata njerëz të cilët takove apo u përshëndete?

Unë shkoj shpesh në Tepelenë. Kam ende shtëpine time të fëmijërisë në një pallat 3 katësh prej guri mbi shkollën 9 vjeçare në lagjen “Mustafa Matohiti”. Unë kam qenë para 40 ditësh në Tepelenë pak para se të kthehesha në New York. Më përshëndesin dhe më duan të gjithë pa përjashtim. Që nga Termet Peçi e deri tek njerëzit në rrugë. Madje edhe të rinjtë në gjimnaz më shkruajnë dhe më përgëzojnë dhe më admirojnë.

Po njerëz që nuk janë dakord me ty dhe të akuzojnë se gjoja e ‘turpërove’ Tepelenën a të ka rastisur të takosh?

Nuk më ka rastisur asnjëherë. Kam lexuar ndonjë koment tek-tuk në internet me profile fallco. Por vetëm kaq. Më duan tepelenasit të gjithë.

Mund të ndash me ne një kujtim, ngjarje apo episod nga fëmijëria në Tepelenë që të ka lënë mbresa apo e ke ende në memorie?

Patjetër. Momenti më i bukur ka qenë në 24 Nëntor 1991, ditën kur vdiq edhe Fredie Mercury (artisti im më i preferuar i të gjitha kohëve). Në atë ditë unë i tregova babait tim për orientimin tim seksual dhe ai e pranoi pa asnjë problem dhe më ka përkrahur gjithë jetën. Nëse nuk do kisha pasur përkrahjen e tij kush e di se si do kisha përfunduar, ndoshta prostitutë si Zogu i Tiranës?

Mendoni se ka njerëz të tjerë në Tepelenë me orientim të ndryshëm seksual, por që kanë frikë të shfaqen hapur për shkak të stigmatizimit? Ju njihni të tillë?

Patjeter që ka. Unë njoh disa që janë dhe personazhe të njohur jo vetëm për qytetin. Ata janë në punë të mira, madje disa prej tyre janë të martuar dhe kanë edhe fëmijë.

Pra, po thoni që në Tepelenë jetojnë homoseksualë të tjerë, por që kanë frikë të shfaqen. Bëjnë jetë të dyfishtë? A keni ju një mesazh për ta?

Po, ka disa të tillë që jetojnë në Tepelenë dhe disa që janë zhvendosur në Tiranë apo jashtë Shqipërisë. Mesazhi që kam unë për personat që bëjnë jetë të dyfishtë? Kam keqardhje për ta, më vjen shumë keq për ata, sepse një jetë që kanë e jetojnë keq me frikën e mentalitetit. Tmerr!!!! Është e tmerrshme të jetosh i fshehur…

Thatë se shkoni në Tepelenë sepse keni njerëz aty dhe plot kujtime nga fëmijëria. Si e shihni sot Tepelenën? Çfarë i mungon këtij qyteti sipas jush?

Unë kam shtëpinë time në Tepelenë dhe nuk e shes kurrë! Nuk kam njeri në shtepi, por është e banueshme dhe unë kaloj ndonjë fundjavë. Tepelena është më mirë se më parë nga ana e investimeve, por nuk kanë mbetur më njerëz nga e kaluara ime. Ka shumë të ardhur nga fshati dhe unë nuk i njoh. Ka pak më shumë injorancë dhe vulgaritet, por si gjithë Shqipëria. Tepelenës i mungon jeta artistike dhe ideali. Shoqëria tepelenase nuk ka më ideale si kishim ne në vitet ‘90 që si të rinj që ishim merrnim pjesë në aktivitete artistike, letrare, një herë mbaj mend organizuam edhe Miss Dea (Miss Jugu) me Enila Hasanin, organizatore të paparë. Vlej të theksoj që personazh që na bën të ndihemi krenarë ne si tepelenas është edhe avokatja Enila Hasani.

Po qe se të propozojnë një ditë të kandidosh për kryetar bashkie në Tepelenë, do ta pranoje? Dhe nëse fitoje, çfarë do të bëje për qytetin?

Unë Kryetar Bashkie? Asnjëherë! Politika shqiptare është e tmerrshme dhe unë nuk dëshiroj të përzihem. Për kë të aderoj? Per Ilir Metën? Lulzim Bashën? Edi Ramën? Për kë? Never!!!! Unë mendoj që të jesh President dhe Kryeminister në Shqipëri është turp! Një që ka mendje kuptohet. Unë do kisha turp të isha Kryeministër i Shqipërisë me Metën President apo Saliun në opozitë.

Cila është forma që do doje të zgjidhje për të dhënë kontribut për qytetin tënd?

Të investoj në një qendër ku të lexohet më shumë. Ndoshta një bibliotekë serioze? Ka investime shumë, por jo për zhvillimin kulturor të njerëzve. Të kemi më shumë të rinj dhe te reja me mendje te hapur si në Europë.

Elton Iliriani

© argjirolajm.net

Facebook Comments