◾◾◾

Shuhet Reshat Kripa, një nga luftëtarët e palodhur të rezistencës antikomuniste shqiptare, një punëtor i palodhur për Lirinë dhe demokracinë, një veprimtar i pakompromis kundër komuinzmit dhe mbetjeve të tij. Zemra e Reshat Kripës pushoi në moshën 83-vjeçare. Ai ishte nga figurat e njohura antikomuniste në vend, ish-burgosur dhe i përndjekur politik, q ëprovoi burgun dhe torutrat që në moshë të re. Federata VATRA dhe gazeta e saj DIELLI, ngushëllojnë familjen dhe miqtë. Reshat Kripa ishte dhe një publicist i njohur dhe gazeta Dielli pati fatin që ta kishte bashkëpunëtor të saj. Pena e Reshat Kripës nuk u lodh së denoncuari falsitetion e demokratizimit të vendit dhe luftoi pa kompromis riaktivizimin e komunistëve të nomenklaturës, përgjegjësve të krimeve të diktaturës, ish hetusëve sadist. Ai denoncoi pa frikë, me kuarjo. Media shqiptare humbi një publicist kurajoz.
Sot nëpër rrjetet sociale dhe mediat online janë përcjellë mesazhe dhimbjeje e ngushëllimi.
Kryetari i Shoqatës të Përndjekurëve Politik, gazetari Nebil Çika, shkroi: Me pikëllim të thellë njoftojmë se ndërroi jete Resht Kripa ish i burgosuri politik antikomunist, anëtari i kryesisë kombëtare dhe themelues i Shoqatës ,shkrimtar e publicist ,aktivist i te drejtave civile.
Shoqata Antikomuniste e te Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes ,miqve dhe bashkëvuajtësve të tij dhe u ndodhet pranë ne ketë momente te vështira !
Qofsh i Parajsës miku dhe bashkeluftetari yne i nderuar !
Varrimi bëhet neser datën 06.11. 2019 ora 12.00
Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha shkroi:Mësova me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të z. Reshat Kripa, pinjoll i një nga familjet më të njohura të Vlorës dhe një luftëtar i paepur kundër diktaturës dhe për lirinë e individit.
Z. Kripa e njoha fillimisht nga librat që flisnin për rezistencën ndaj diktaturës komuniste, ku Reshati, që në moshën 15 vjeçare, bashkë me dy shokë të tij, shpërndante thirrje-trakte për rrëzimin e diktaturës. “Duke pasur flamurin kuq e zi të Skënderbeut të ngrihemi që të gjithë të luftojmë për lirinë e grabitur”, thuhej në njërin nga traktet e 15-vjeçarit Kripa. “Për Shqipëri, për liri, për flamurin kuq e zi”.
Firmosur nën pseudonimin “Atdhetari”, kjo veprimtari e hershme e Reshat Kripës do të shënjonte në fakt të gjithë jetën e tij. Në burgun e hershëm për minorenët, e më vonë në burgjet e gulagët e diktaturës, Reshati nuk e pranoi kurrë rreshtimin e Shqipërisë përkrah diktaturave komuniste.
Edhe pas rrëzimit të Perdes së Hekurt, Reshat Kripa mbeti Atdhetari që kish qenë, një luftëtar i rangut të parë kundër çfarëdolloj tentative për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës. Ai së bashku me të motrën, aktoren e paharruar Drita Pelinku (Kripa), u angazhuan pa u lodhur në betejën e demokracisë së re të Shqipërisë për respektimin e të drejtave të njeriut.
Reshat Kripa ishte themelues i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe një aktivist i pashoq në betejën për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e drejtë të ish-të përndjekurve politikë. Në këtë sfidë të dytë të jetës së tij pata fatin ta njoh personalisht Reshat Kripën dhe të ndaja me të energjinë e angazhimit për një kauzë të drejtë.
Me largimin e tij, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, por aktivizmi i tij politik, publicistik e shoqëror do të mbeten trashëgimia e tij më e vyer për bashkëvuajtësit, si dhe të gjithë shqiptarët që ndanin me të aspiratën për ta parë sa më shpejt Shqipërinë një anëtare të denjë të familjes europiane. U prehtë në paqe!

© Gazeta Dielli

Facebook Comments