Nga Erl KODRA

◾◾◾

SOS

Për të kuptuar disa gjëra, nuk është e nevojshme të jeni inxhiner ose urbanist. Shqipëria e ka gatuar katastrofën e saj urbane me një këmbëngulje çmendurake. Ndrërtimet kaotike e kanë pushtuar Shqipërinë fund e krye. Katastrofa urbane ka ndodhur; përtej çdo përfytyrimi. Tirana dhe Durrësi, dy qendrat urbane më të mëdha të Shqipërisë, tashmë gjenden në mëshirën e zjarrit, përmbytjes dhe tërmetit. Katastrofat vijnë papritur, por ato marrin përmasa apokaliptike në terrenin tonë urban. Kështu, Tirana dhe Durrësi janë kthyer në dy zonat më të rrezikshme në Europë, nën një kërcënim permanent nga zjarret, përmbytjet dhe termetet.

▪️▪️▪️

Shqipëria është një vend i varfër, tejet i varfër. Të gjithë e njohim historinë politike të vendit tonë, politikë e cila ka diktuar jetën ekonomike të qytetarëve, ka diktuar ekzistencën e pronës, ka diktuar zhvillimet demografike. Në këtë kuptim, Shqipëria ndodhet në një situatë të pazakontë, në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore. Në të vërtetë, është e vështirë të bëhet përkufizimi i gjendjes reale, domethënë, të përcaktohet në terma konkret realiteti tragjik në të cilën jetojnë shqiptarët. Ky shkrim është një përpjekje për të kuptuar mjedisin dhe përmasën ku jetojnë rreth 1.4 milion banorë, mes një pasigurie absolute për jetën dhe pronën e tyre.

Ekzistenca e jetës për qeniet njerëzore, njësoj si për çdo gjallesë tjetër, është e lidhur pazgjidhshmërisht me mjedisin ku jeton. Nëse mjedisi nuk të jep sigurinë se nuk do të përmbytesh nga uji, nuk do të digjesh nga zjarri dhe nuk do të vritesh nga termeti, atëherë ky mjedis nuk është i përshtatshëm për të jetuar. Në këtë kuptim mjedisi, domethënë hapësira reale ku jetojnë rreth 1.4 milion banorë, jo vetëm që nuk jep sigurinë minimale, por realisht është kthyer në një mjedis të rrezikshëm, të papajtueshëm për jetën. Ky pohim është shumë i rëndë, por i domosdoshëm për të kuptuar realitetin tonë tragjik. Të kuptohemi, këtu nuk është fjala thjeshtë për disa kritere teknike që nuk janë respektuar, por për shkelje ligjesh elementare të shkencave ekzakte. Ligji i Rëndesës është absolut. Vetëm të çmendurit nuk mund ta kuptojnë një absolutizëm të tillë.

Ndërtimet në Tiranë dhe Durrës kanë shkelur të gjitha normat elementare të sigurisë, kanë thyer të gjitha rregullat e urbanizmit, me babëzi dhe cinizëm të pashoq. Tirana dhe Durrësi, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë, janë kthyer në qytete që nuk funksionojnë, që nuk mund të përballojnë numrin e lartë të banorëve (dendësinë e popullsisë), që nuk mund të absorvojnë qytetarët, ku rrugët dhe rrugicat nuk mund të përballojnë lëvizjen e njerëzve dhe makinave. Në Tiranë dhe në Durrës janë me qindra mijëra banesa në ndërtesa shumëkatëshe, ku nuk mund të shkojnë makinat e emergjencave, siç janë ambulancat dhe zjarrëfikset. Kështu, Tirana dhe Durrësi janë kthyer në mjedise të papajtueshme me jetën.

Është e pamundur të shkruaj se çfarë mund të ndodhë nëse Tirana dhe Durrësi goditen sërish. Në një rast të tillë, ekzistenca e kombit do të vihej në pikëpyetje.

Kjo gjendje e rrezikshme nuk zgjidhet me lutje. As nuk mund të vazhdojmë të jetojmë nën një kërcënim të tillë apokaliptik. Deri tani, Zoti na dha shenjën se mënyra jonë e jetesës është e papërshtatshme me konceptet e jetës së sigurtë. Është dorën tonë të ndryshojmë realitetin, së pari duke respektuar Ligjin e Gravitetit.

Shoqëria e ka në dorë ndryshimin e mjedisit. Ky ndyshim duhet të jetë i thellë dhe radikal. E ardhmja e kombit nuk mund të lihet më tej në dorë të fatit. Po çfarë mund të bëjnë shqiptarët për të ndryshuar mjedisin e rrezikshëm ku jetojnë? Në të vërtetë, ajo çfarë do të shkruaj më poshtë mund të ngjajë e pamundur, por për mendimin tim, më e pamundur më duket të vazhdojmë të jetojmë në të njëjtin mjedis. Thjeshtë, shqiptarët duhet të kuptojnë se qytetet ku ata kanë ndërtuar jetën e tyre janë një mjedis armiqësor me jetën.

▪️Së pari, duhet ndërmarrë një studim i thellë urban për Tiranën dhe Durrësin, si dy qytetet më të rrezikuara. Ky studim duhet të përfshijë gjithça; rrugë, kanalizime, ujësjellësa, energji elektrike, transport publik, ura, vepra arti, duke përcaktuar me kritere rigoroze shkencore ndërtimet e rrezikshme.

▪️Së dyti, duhet të hartohet një plan i unifikuar urbanistik për Tiranën dhe Durrësin, bazuar mbi kritere të forta shkencore. Çdo investim i ri publik duhet të bëhet në bazë të këtij plani të ri.

▪️Së treti, plani i ri i zhvillimit urban të qyteteve tona duhet të bazohet në kritere të rrepta shkencore. Shteti duhet të përcaktojë zonat ku mund të ndërtohet dhe zonat ku nuk mund të ndërtohet. Ndërhyrja e shtetit mund të jetë efikase, duke blerë (shpronësuar) pronat ku mund të ndërtohet sipas planeve të miratuara, duke i rishitur këto sipërfaqe për ndërtimet e reja. Në rrethanat e jashtëzakonshme ku ndodhet vendi, kjo është e vetmja mënyrë që të shpëtohet e ardhmja e kombit.

Tërmeti i djeshëm (26 nëntor 2019) mund të jetë tragjik, por kjo tragjedi duhet të merret si shenja dhe shansi i fundit që ne duhet të ndryshojmë.
Përndryshe, tërmeti i ardhëm mund të jetë apokaliptik.

Djaloshi që vdiq duke buzëqeshur

Jemi ende në kohë.

Facebook Comments