Nga Prof.Dr.Haqif MULLIQI

◾◾◾

Nga fundi i vitit 1942 dhe me fillim në vitin 1943, Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) nisi që me seriozitet ta shqyrtonte edhe çështjen e Ballkanit, e ne këtë kuadër edhe atë shqiptare. Në këtë periudhë, FO-ja, përpos se po merrej me shqyrtimin e materialeve të arkivosura dhe atyre që po arrinin nga terrenet nga misionarët që i kishte shpërndarë nëpër tërë Ballkanin, materiale këto që po ekzaminoheshin nga ekspertët më të shquar britanik, ajo ngjeshur shqyrtonte dhe analizonte edhe materiale nga proveniencat e ndryshme, për çështje të ndryshme, të hapura, ndër të cilat, mbase, çështja shqiptare ishte më delikatja. Kështu, kjo ministri, në mënyrë intensive, është marrë edhe me studimin e vizioneve, koncepteve dhe pikëpamjeve të shqiptarëve lidhur me heshtjet e të shkuarës por edhe të të ardhmes së Shqipërisë, dhe Kosovës, gjë që mund të konsiderohet edhe si një përpjekje mbase që qeveria e këtij vendi të madh dhe me influenca ndërkombëtare ta kristalizojë një qëndrim të qartë ky vend dhe diplomacia e saj lidhur me çështjen e cila vazhdon të jetë më të ndjeshmet edhe sot e kësaj dite.

Ekspertët britanik mendonin se në luftën e dytë botërore kufijtë etnik u njësuan me kufijtë politik

Çështja e Kosovës ishte një prej çështjeve më problemore në tavolinat e diplomacive të mëdha që nga Lufta ballkanike dhe ndarja e saj nga Shqipëria kur edhe u krijua një debalanc i madh ndërmjet shqiptarëve dhe fqinjëve të të tyre hegjemonë dhe grabitqarë. Ndërsa, krizat e mëdha, Lufta e Parë Botërore, e sidomos ajo e dyta e aktualizuan rishtazi këtë çështje, duke vënë si sfidë për diplomacinë perëndimorë çështjen shqiptare në Përgjithësi si dhe atë të Kosovës në veçanti. Në veçanti të angazhuar rreth kësaj çështjeje ishin diplomatët britanik, duke përfshirë këtu qeverinë e Iinston Çërçill si dhe kabinetin e Mbretit Xhorxh të V-të.
Lidhur me çështjen e Shqipërisë, problem të veçantë paraqiste fakti se Shqipëria ishte aneksuar nga Italia dhe e kishte humbur pavarësinë në këtë mënyrë. Amerikanët e mbështetnin pavarësinë e Shqipërisë, Moskën e shqetësonin veprime të grupeve partizane në Ballkan, të cilat, në fillim të organizmit kundër pushtuesve kishin bërë veprime të cilat nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik ishin cilësuar si të papranueshme dhe tejet nacionale, kështu që, së andejmi, arriti një direktivë për të gjitha partitë komuniste në jug të Evropës, që t’i shtypin ndjenjat nacionaliste, veçanërisht brenda radhëve të tyre.
Sipas britanikëve, kjo kishte ndikim të madh edhe tek komunistët partizan në Shqipëri dhe, në Pezë, në shtator të vitit 1942, u hapën udhë që të bëhen ndërlidhje të ngjeshura të marrëdhënieve ndërmjet partive komuniste të Shqipërisë, Greqisë dhe të Jugosllavisë si sinjal dërguar Moskës se gjërat në Shqipëri po ndryshonin dhe se mund të pritej në fazë e re e rezistencës nazi-fashiste. Ndërsa, pas Pezës, si refleksion i tërë kësaj, edhe me direktiva të Tiranës, gjatë vitit 1943 u formua një organizatë komuniste e cila i jepte llogari Titos, qëllimi i së cilës duket se ishte t’i shtypte ndjenjat anti-serbe te shqiptarët e këtushëm të cilët përbënin shumicën absolute në regjion. Në janar të vitit 1944 në Bujan (Veri i Shqipërisë së sotme – Malësi e Gjakovës) u mbajt një kongres në të cilin morën pjesë 52 delegatë, duke përfshirë këtu edhe serbët dhe malazezët si dhe dy deputetë të ish-parlamentit jugosllav ku, u morën disa vendime të cilat ua mundësonin qytetarëve të Kosovës që, pas mbarimit të luftës, të vendosnin vet se në bashkësi të cilit shtet do të dëshironin të jetonin në të ardhmen. Ishte ky një vendim i cili egërsoi liderët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në veçanti ata të Serbisë.
Para kësaj, meqë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik ia (ri) njohën pavarësinë e Shqipërisë të suprimuar nga Italia fashiste, para dhe pas njohjes së pavarësisë së vendit, Foreign Office, me qëllim të orientimit të qëndrimeve të veta do të kërkojë ndihmë nga edhe nga grupe të ndryshme të ekspertëve të çështjeve ballkanike, nëpër universitet e mëdha të Britanisë së Madhe që në mënyrë të veçantë të trajtonin çështjen shqiptare në Ballkan me të gjitha anët e problemit. Ndaj dhe, pas kësaj u sajuan harta të ndryshme dhe elaborate mbi çështjet që ndërlidhen me mundësitë e ekzistimit dhe të zhvillimit të Shqipërisë, sidomos pas rrethanave të pandehura që mund të ndodhnin pas përfundimit të luftës në Ballkan, por edhe më gjerë në Evropë.
Më poshtë në këtë punim do të sjellim disa aspekte nga një dokument kompleks dhe shumëfaqësh të cilin për nevojat e diplomacisë britanike i kanë bërë në atë kohë ekspertë të Universitetit të Oksfordit, konkretisht të Kolegjit për Politika Ndërkombëtare të Baliolit.
Sipas gjetjeve në këtë hulumtim, vërtetë serioz, shohim se, ekspertët britanik parashihnin se, pas përfundimit të luftës dhe armiqësive në Ballkan, Shqipëria do të dalë si shtet i pavarur dhe sovran, porse nuk përjashtoheshin probleme të mëdha të cilat ndërlidheshin drejtpërsëdrejti me specifikat që kishte regjioni si dhe trashëgimitë e mosmarrëveshjeve dhe armiqësive nga e kaluara. Shih për këtë, propozimet më të shpeshta të ekspertëve kishin të bënin me atë se, Shqipërisë i duhej një lloj mbikëqyrjeje ndërkombëtare të cilën ata e cilësonin si udhëheqje dhe kontroll nga “Këshilltarë të huaj”. Po ashtu, sipas këtyre analizave nuk përjashtohej mundësia që Shqipëria të futej në ndonjë bashkësi të shteteve Ballkanike, apo dhe mund të refuzohej aderimi në këtë bashkësi e cila ishte paraparë me marrëveshjen Greko-Jugosllave të 15 janarit të vitit 1942. Shqipëria, e cila, duke hyrë në union me Mbretërinë italiane e kishte humbur pavarësinë, sipas ekspertëve në fjale, pas lufte do të duhej ta filloje sendërtimin e saj nën mandatin e një apo dy superfuqive të pa interesuara për këtë vend. Për këtë gjë u propozuan Britania e Madhe ose ShBA-te, ose që të dyja këto së bashku.
Analizat tjera, jo vetëm të ekspertëve të këtij universiteti, por edhe të ekspertëve të qeverisë si dhe të atyre të pavarur sajonin teza, por edhe vizatonin harta të ndryshme të Shqipërisë, por të gjitha këto ngriheshin në nivel spekulimesh meqë nuk jepeshin mendime lidhur me atë se çfarë do të jete definitive para Konferencës së Paqes e cila, siç dihej, do të pasonte fill pas luftës. Por, një prej konstatimeve më të përafërta dhe më të përsëritura nga të gjithë ekspertët kishte të bënte me atë se, ishte fare e sigurt se, në të ardhmen, asnjë federatë apo konfederatë ballkanike nuk do të kishte gjasë për sukses pa përfshirjen e Shqipërisë në të, duke pasur parasysh, në radhe të parë, rëndësinë vitale të Shqipërisë për mbrojtjen e Ballkanit nga agresioni eventual që mund t’i behej gadishullit ballkanik në përgjithësi.

Sipas eksperteve të Oksfordit, në fund të fundit, Shqipëria është ”porta kryesore” për hyrje në gadishullin Ballkanik. Por edhe faktin se shqiptarët ishin numerikisht një popull i domethënshëm në shumicën e shteteve të Evropës jug-lindore.
Në “pretendimet territoriale të fqinjëve” në mënyrë të gjere dhe objektive, ekspertët e këtij universiteti prezantojnë qëndrimet e shteteve përreth Shqipërisë. Sa u përket qëndrimeve jugosllave dhe greke, sipas këtyre ekspertëve, del se këto dy shtete angazhohen që Shqipëria të kthehet në suazat e kufijve të vitit 1939, madje duke mos fshehur pretendimet e tyre territoriale edhe për pjese nga territoret brenda këtyre kufijve.
Këta ekspertë e vinin në shënjestër një fakt të qëndrueshëm se, më 1939, italianët e kishin përfituar simpatinë e një numri të shqiptarëve, sidomos të atyre që kishin mbetur jashtë Shqipërisë së Londrës duke e kthyer pjesën më të madhe të territorit shqiptar që në dy konferencat e mëparshme (atë të Londrës dhe të Versajës) kishte mbetur jashtë, veçanërisht nën Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe të Sllovenëve. Ajo që e shihnin si të mundshme këtë ekspertë ishte se, Beogradi, pavarësisht nga rendi dhe sistemi politik që do të instalojë, megjithatë, ishte shumë e besueshme se, pas lufte do ta kërkojë jo vetëm kthimin e Kosovës dhe pjesës tjetër shqiptare, por si shtesë të kësaj edhe Shkodrën si dhe Luginë e Drinit. Ndërsa, në lidhje me Greqinë, thuhej se pretendimet territoriale të saj ndaj Shqipërisë ishin më të zëshëm së ato të jugosllavëve. Këta ekspert e bënë gjithashtu të njohur se edhe në shtetin fqinjë, në jug të Shqipërisë, ekziston një numër i konsiderueshëm i banorëve me prejardhje shqiptare.

Greqia dhe Serbia angazhime kundër çfarëdo lloji të ekzistimit të Shqipërisë

Krijimi i një Shqipërie të fortë dhe të pavarur, nga këto dy shtete fqinje, shihej si rrezik i drejtpërdrejtë për to. Një Shqipëri e dobët, konsideronin udhëheqësit e këtyre shteteve, do ta tërhiqte vëmendjen e shteteve e ndonjë fuqie të madhe, apo më shumë syresh të cilat mund të paraqiten edhe si mbrojtëse të interesave të saj. Këto, përpos aspiratave territoriale ndaj Shqipërisë, ishin arsye të tjera, të forta, që i cytnin Greqinë dhe Jugosllavinë të angazhoheshin kundër çfarëdo forme të ekzistimit të këtij vendi. Nga ana tjetër, Italia përshkruhej si shtet politika e të cilit në mënyrë të veçante ishte çdo herë e orientuar nga Shqipëria. Gjithashtu, bëhej me dije për rrezikun nga komunizmi rus i cili me permanentë orvatej të gjeje ndonjë dalje strategjike në Adriatik. Por, mbi të gjitha, në këto elaborate të eksperteve britanike theksohej së “dëshira e shqiptareve është integruese, pra për një shtet etnik, përkundër dallimeve dezintegruese që janë prezente në mesin e tyre”, me ç’rast apostrofohej veçanërisht religjioni si faktor dezintegruese.
Nga fundi i vitit 1943 në Shqipëri arrijnë tre oficerë të BLO-se (Oficerë Britanik të Ndërlidhjes). Këta ishin majori Bill Meklin, kapiteni Dejvid Samjlli dhe togeri Gari Daf. gjatë të njëjtit vit dhe gjatë vitit 1944, numri i oficerëve të ndërlidhjes shtohej në vazhdimësi. Madje, njëri ndër këta oficerë, i cili në Shqipëri do të arrijë më vonë, Regjinald Hibert, në ditarin e tij të cilin më vonë e shfrytëzoi për botimin e librit të tij “Fitorja e hidhur”, në të cilin lidhur me çështjen e Kosovës mes të tjerash shkruan: “Askush nga pala britanike në atë kohë nuk duket të ketë qenë i ndjeshëm për natyrën me thepa të çështjes së Kosovës, madje as ta ketë vështruar si një çështje që duhej marrë parasysh. Në fakt, gjatë luftës ajo do të provohej së do të ishte një çështje themelore, ndërsa ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, një pengesë e madhe për të rezistencën e efektshme kundër gjermaneve, dhe një truall diplomatik i paqëndrueshëm për të gjithë të jashtmit që u përpoqën të luajnë një lojë atje. Në vitet e para të luftës u nënvleftësua nacionalizmi shqiptar dhe domethënia e tij në raport me Jugosllavinë”. I njëjti, në lidhje me ndjenjat dhe disponimin e shqiptarëve, e në veçanti në lidhje me komunistët, shkruan: “… Brenda Shqipërisë, madje edhe PK-së, të cilën shumica e shqiptarëve jo komunistëve e shihnin si dorë të fshehure të sllavëve, e cila edhe është krijuar me ndihmën e Jugosllavisë, ushqenin shpresën së parimi i vetëvendosjes do të respektohej nga partitë komuniste të Ballkanit dhe se atëherë Kosova do të bashkohet përgjithnjë me Shqipërinë, dhe së të gjithë shqiptarët me në fund do të bashkohen… PKSH e pa veten të detyruar që me 1943 dhe 1944 të pranoje që parimi i vetëvendosjes nuk do të zbatohej në Kosove dhe në zonën e Dibrës”.
Siç raportonin oficerët britanike, në fillim të gushtit (1 dhe 2 gusht të vitit 1943) në Mukje u mbajt një mbledhje shumë me rëndësi dhe, siç flasin edhe dokumentet. Në këtë mbledhje krerët shqiptarë kanë të rënë dakord që të formohej një komitet për shpëtimin e Shqipërisë në të cilin Nacional Çlirimtarja dhe Balli Kombëtar do të përfaqësoheshin së bashku. Përfaqësuesit e Nacional Çlirimtares u pajtuan gati plotësisht me propozimin e Ballit Kombëtar së duhet bërë një luftë për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë etnike, por evidentohej së Nacional Çlirimtarja kishte një propozim që, natyrisht pas përfundimit të luftës, të organizohej plebishiti për Kosovën. Por, sikur u pa më vonë, për një vendim të tillë NÇ-ja u qortua rreptë nga ana e komunistëve jugosllavë dhe së shpejti Komiteti qendror i PKSH-së hodhi poshtë këtë vendim që doli nga ajo e cila më vonë njihej me emrin Marrëveshja e Mukjes, e madje u urdhërua që të ndërpritet çdo bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Oficerët britanikë 8 gushtin e konsideronin si datë të fillimit të luftës qytetare të Shqipërisë, pra luftës ndërmjet shqiptarëve komuniste dhe atyre nacionalistë, apo, siç e shprehnin ata edhe ndryshe, ndërmjet jugut dhe veriut. Oficerët në fjale përpos ndërlidhjes që bënin ndërmjet forcave të cilat luftonin kundër okupatorit dhe shtabit aleat, gjegjësisht Ministria e Luftës e Britanisë së Madhe, filluan të interesoheshin edhe për kufijtë brenda të cilëve gjendej Shqipëria. Këta, pra oficerët britanik, zakonisht, ankoheshin për mungesë të hartave dhe të statistikës lidhur me të dhënat që kishin të bënin me banorët të “territoreve të aneksuara”- siç i quanin ata, këto toka shqiptare. Në bazë të të dhënave që u ishin ofruar, ata kishin hartuar ca harta që do t’u hynin në shërbim gjatë punë së tyre. Sipas atyre hartave, numri i banorëve në ato territore sillej diku prej 500. 000 deri në 1.000.000 banorë. Porse, gjithsesi, e kishin parasysh se edhe me këtë rast një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve kishte ngelur edhe jashtë kufijve që ishin formuar gjatë luftës. Me këtë oficerët kishin parasysh territorin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Bujanocit, territore këto që i mbante nën okupim Bullgaria.
Por, ajo që mbase është e rëndësishme të theksohet me këtë rast është se, ekspertët britanik, në analizat e tyre, në fund të vitit 1943 mendonin se lufta, në fakt ia kishte dalë që të barazonte kufijtë nacional me ata politik dhe se, çështja e për bashkimit të territoreve shqiptare në një territor unik, nuk do të duhej të ishte ndonjë çështje të cilën nuk do të duhej konsideruar në të ardhmen qeveria e këtij vendi të madh dhe domethënës në diplomacinë evropiane.
Lidhur me këtë, janë interesante edhe qëndrimet dhe mendimet e intelektualëve shqiptar në lidhje me çështjet në fjalë. Një pjesë të të cilave do ta sjellim si më poshtë.

▪️ “Shqipëria e gatshme”, nga Masar Sopoti

Në një aneks dokumentesh të Ministrisë së Jashtme (FO) të Britanisë së Madhe, që gjendet në dosjen Ekstrakte nga Kosova e që ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe aspiratat e tyre historike, politike dhe kombëtare është analiza dhe reflektimi substancial i njërit prej publicistëve më të shquar shqiptar të asaj kohe, Masar Sopoti. Dokumenti mban datën 4 prill të vitit 1944 (viti i tretë).
Sipas këtij dokumenti Masar SOPOTI, në pikën A. të titulluar SHQIPËRIA – E GATSHME, ndër të tjerat hedh dritë mbi periudhën kur, tashmë, lufta po përfundonte dhe serbët po bënin planet për interferime të thella në Kosovë duke organizuar madje sulme, të papritura për momentin dhe gjithsesi të panxitura nga ana e shqiptarëve, me çfarë dëshmohej se Serbia po bënte përpjekje të reja të reja që me mish e shpirt, siç thuhet, ta rikthejë Jugosllavinë e vjetër si dhe të zgjerojë kufijtë e saj. “Edhe Tito edhe Mihajloviqin (Drazha)”, shkruan në letrën e tij Masar Sopoti, “ edhe pse në pozita të kundërta, konfliktuale, kanë të njëjtin qëllim krijimin e një perandorie të re PANSLLAVE me kufijtë e zgjeruar”.
Sipas autorit, në këtë periudhë, sllavët, nën maskën e komunizmit, të federatës, të demokracisë dhe të lirisë, po përpiqeshin që të “mashtrojnë racat tjera ballkanike më keq se më parë”. Pasi që, sipas tij, hapi i parë karshi kosovarëve ku ka dështuar, serbët nuk hezituan që ta sulmonin Kosovën dhe shqiptarët, mirëpo, kosovarët ishin shumë të shkathtë dhe të shpejtë në kundërveprimin e tyre, ndaj dhe në mënyrë të furishme, sipas këtij analisti, edhe e zmbrapsen çdo sulm të serbëve. “Kosova ka vuajtur shumë nën shtypjen serbe”, thotë Sopoti, “dhe, tashmë nuk mund të mashtrohet, dhe këtë gjë duhet ta kenë plotësisht të qartë kundërshtarët tanë”, shkruan ai, për të shtuar edhe atë se: tashmë ishte koha kur Kosova kishte vendosur që të mos lejonte që persekutimi i të kaluarës të përsëritej, ndaj dhe, bënte thirrje që, “të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh moshën apo gjininë, janë të mobilizuar dhe të armatosur, nën udhëheqjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit”.
Në këtë dokument, të vlerësuar me rëndësi të madhe edhe nga një këshilltarët politik i Mbretit të Anglisë si dhe udhëheqësve të Ministrisë së Luftës dhe asaj të Jashtme, thuhet ndër të tjerat se ajo që po bënin në atë kohë shqiptarët e Kosovës ishte pikërisht ajo që i nevojitej Shqipërisë e që nënkupton bashkimin e gjithë populli nën një flamur, pra, të atij me shqiponjë të zezë dhe sfond të kuq, që do të ishte më i gatshëm dhe më i fuqishëm të mbrojë të drejtat e veta etnike.
Obligimi është i të gjithëve dhe është vullnet për fitore, thotë tutje M. Sopoti. Sipas tij, Popullit shqiptar gjatë tridhjetë vjetëve të shkuara i janë premtuar shumë gjëra nga fuqitë e ndryshme. Si të papërvojë. Ata në fillim besuan, por më pas e kuptuan se ishin të mashtruar, ngaqë, asnjë premtim nuk u mbajt. Sipas publicistit të njohur, tashmë kishte ardhur një kohë tjetër kur shqiptarët ishin mësuar që të mos mashtroheshin më nga premtimet e ëmbla. “Autsajderat”, thotë Sopoti, “mashtrohen nga premtimet e ëmbla. Të huajt mund të premtojnë gjithçka për të mirën e interesave të tyre të tyre – pavarësi, liri, etj., etj., por, ne jemi djegur njëherë”, shkruan ky artikullshkrues, “dhe më kurrë nuk do t’i dëgjojmë ato premtime pa marrë parasysh se sa joshëse do jenë ato. Ndaj dhe le ta dijë bota se premtimet ne saja nuk do të kalojnë të paqortuara, siç ndodhte më parë”, thotë Sopoti për të shtuar edhe atë se shqiptarët tashmë ishin të përcaktuar fuqishëm që të mbështeteshin në forcën dhe mjetet e veta për ta mbrojtur atë që ishte e tyre dhe e askujt tjetër.

Profesor Haqif Mulliqi

▪️Autori është doktor i antropologjisë dhe profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës

Në vazhdimin e dytë do të lexoni:
▪️Mbi organizimin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit
▪️Cilat ishin arsyet, sipas Bedri Pejanit, që shqiptarët e kërkonin Sanxhakun?
▪️Kujt, sipas përfaqësuesit të Sanxhakut, i kishte takuar përjetësisht kjo krahinë?
▪️Çfarë thoshte Aleksandër Xhuvani për At Gjergj Fishta
▪️Si u rikthye Shën Naumi nën administrimin e Shqipërisë?

Facebook Comments