Nga Fadil SAHITI

◾◾◾

“Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj; përderisa çdo familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet” – Lev Tolstoy.

M’u duk epike një deklaratë e njërit prej udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje: “Me gjithë qenien tonë qëndrojmë prapa aspiratave të popullit tonë për t’u bërë bashkë”.

Në fakt, ky togfjalësh ka qenë zemra e programit politik që nga themelimi i kësaj partie. Së paku për dy arsye, kjo kauzë politike më duket krejtësisht populiste, iracionale, demagogjike dhe e dëmshme.

E para, nuk besoj se ka ndonjë korelacion logjik mes mjerimit politik dhe ekonomik që i ka pllakosur dy shtetet shqiptare dhe ndarjes sonë si komb. Gjithashtu, vështirë të besohet që bashkimi eventual kombëtar do të na i zgjidhë problemet që i kemi. Madje, mund të ndodhë e kundërta: të bashkuar në mjerim dhe krim, bashkimi në një shtet mund të shtojë më shumë vuajtjet tona.

E dyta, e trumbetojnë bashkimin, por nuk na thonë cilat janë mjetet politike përmes të cilave do ta arrijnë këtë. Nëse e mendojnë vetëm guximin politik që kanë për ta shpallur bashkimin në Parlament, atëherë ky s’është mjet, por akt. Por, një akt i tillë, pa mbështetje ndërkombëtare, mund të prodhojë efekte negative për ne.

Në kushtet e një jete të izoluar, që më shumë i ngjan jetës së kampeve të përqendrimit, ku shumica e banorëve të saj e mendojnë veç ikjen, kërkesa për bashkim kombëtar është postulat politik i papërgjegjshëm. Konsekuenca në këtë kauzë dëshmon se VV nuk ka hequr dorë nga qasja utopike dhe esencialiste e të bërit politikë, qasje që bazohet në një ideal absolut dhe të pandryshuar. Personalisht, këtë e shoh si metodologji politike krejt të kotë, mjaft të rrezikshme dhe që meriton çdo kritikë.

Po ashtu më bëri përshtypje një deklaratë e liderit të VV-së dhënë një televizioni, ku tha se “për idealet tona të përbashkëta, unë jam i gatshëm të vdes”.

Nuk besoj që i duhet dikujt vdekja e tij, apo përkushtimi i tij për të na bërë të lumtur. Jemi ngopur me heronj të luftës dhe të vdekjes. Neve na duhen heronj që dinë të përmirësojnë cilësinë e jetës sonë dhe që e konsolidojnë besimin tonë tek shteti. Një qytetar që jeton në kushte të mjerimit mund ta ketë veç një kërkesë: si t’i zvogëlojë apo evitojë vuajtjet e jetës.

Një parti politike me orientim majtist dhe një politikan modern majtist do të adoptonte qasje racionaliste mbi politikën; do ta vinte fokusin në luftën kundër të keqes më të madhe në shoqëri, e të tilla ka mjaft; programin e vet politik nuk do ta bazonte në një ëndërr, në një kauzë utopike, por në principe shkencore dhe në evidencë empirike; do të fokusohej në evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, e jo në arritjen e gjoja të ‘lumturisë’ së kombit.

Dallimi në mes qasjes racionale dhe qasjes utopike në politikë është larg të qënit thjeshtë dallim verbal. E para mund të zbatohet në çdo moment, gjersa qasja utopike mund të shtyhet vazhdimisht deri në një datë të mëvonshme, atëherë kur kushtet janë të favorshme. E para, në çdo kohë dhe në çdo vend është e provuar si e suksesshme, kurse e dyta historikisht ka çuar vetëm në përdorimin e dhunës. Morbiditeti i liderëve të papërgjegjshëm për të përjetësuar ëndrrën e tyre politike dhe përjetësimin e emrit të tyre në histori, jo rrallë ka prodhuar gjakderdhje.

Si përfundim, utopia e bashkimit të trojeve shqiptare është pafundësisht më e ndërlikuar sesa mund të mendojnë “profesionistët dhe kujdestarët e patriotizmit”. Realizimi i saj, më shumë se gjithçka tjetër kërkon pasion, që pashmangshmërisht mund të na çojë drejt dhunës. Në anën tjetër, qasja racionale në politikë është metodologjikisht e shëndoshë, tokësore dhe e thjeshtë për t’u realizuar. Krejt çfarë duhet është krijimi i institucioneve që mundësojnë reformimin, ta zëmë të shëndetësisë, të ekonomisë, të sistemit arsimor etj. Në rast dështimesh, dëmet nuk janë shumë të madha dhe rregullimi i tyre nuk është shumë i vështirë.

Është e rëndësishme që kjo kritikë të kuptohet si duhet. Nuk e kritikoj idealin duke pretenduar se një ideal nuk mund të realizohet kurrë, se gjithmonë duhet të mbetet një utopi. Ajo që unë kritikoj është ngjyrimi politik që i japin populistët nocionit ideal, e kauzën për bashkim kombëtar e shoh si të tillë – utopi. Kjo sepse një bashkim fizik dhe juridik gjithëkombëtar kërkon ndryshime shumë gjithëpërfshirëse, pasojat praktike të së cilës janë të vështira për t’u llogaritur. Nga ana tjetër, një bashkim funksional dhe i vërtetë ekonomik, kulturor, arsimor, sportiv, pa prekur kufijtë aktual – që e eviton konfliktin me fqinjët dhe me bashkësinë ndërkombëtare – është shumë më i arritshëm dhe shumë më i dobishëm.

Facebook Comments