Nga Pano SOKO

◾◾◾

“Çuni ku ti lë këto?”
“Ça i ke?”
“Hiç. Nja dy simite me djathë, një koli ujë, ca biskota.”
“Ushqimet janë nga krahu andej. Rrofsh.”
“Asgjë mor bir. Rrofshi ju që po bëni këtë punë. Shiko kam dhe nja dy batanije, po i kam në shtëpi. A ti sjell?”
“Po si ta mendosh. Shife vetë.”
“Po shkoj po i marr po i sjell. Se u ftoh dreqi, u ftoh shumë. Ju këtu do jeni se e kam shtëpinë lart në Ali Dem (60 min me këmbë vajtje-ardhje)”
“Po po. Këtu na ke. Rrofsh.”
“Mos e thuaj atë llaf. Ishalla ndihmojmë ata të shkretët.”

Dhe pas një ore ti e sheh që ka ardhur pa fol fare (ndarjen e vendeve rroba-ushqime e kishte mësuar) ka lënë dy batanijet dhe po largohet po pa folur fare.
Sepse ajo nuk do lavdi, as famë, as lavdërim. Nuk bën foto, as video që t’i montojë e t’i çojë nëpër studio. Ajo kërkon të ndihmojë, në gjithë sinqeritetin e fjalës. Thjesht kaq. Dhe pasi e bën, ikën, zhduket, tretet në trupin e qytetit.

Është në ditë të tilla, jo të zakonshme kur ti kupton një të vërtetë të madhe.

Këtu ka dy Shqipëri.

Ka një Shqipëri të vogël, të shëmtuar që në ditë të zakonshme e gjen rëndom nëpër ekrane konferencash për shtyp, lidhjesh direkte nga selia, kronika lajmesh, speciale dite, lajme portalesh, lajm i fundit, analiza politike debate heroike, banaqe stoike etj.. Një Shqipëri që lëviz nga Sheratoni tek 15-katshi, nga Kodra e Diellit tek Rolling Hills.

Dhe një Shqipëri tjetër, të madhe, të bukur, të heshtur, që nuk e sheh përditë. Një Shqipëri që nuk ngurron të tregojë gjithë madhështinë e saj atëherë kur duhet më shumë.
E takon vetëm aty në shesh. Ashtu heshtas fare, pa dashur as të bjerë në sy, shfaqet madhështore.

Shqipëria e shëmtuar e ka mbuluar Shqipërinë e bukur si një maskë. E ka mbytur, e ka zhytur aq thellë saqë s’i duket as silueta. Fatkeqësisht! Shqipërinë e bukur arrin ta shikosh aq shpesh, sa shpesh bie një tërmet 6.3 ballë me mbi 30 të vdekur.
Sepse duhet një tërmet 6.3 ballë, duhen mbi 30 të vdekur, që të shkundet e të rrëzohet maska.

Këto dy ditë kam parë Shqipërinë e vërtetë dhe sinqerisht jam mrekulluar. Mijëra njerëz të heshtur që japin shumë nga ajo pak që kanë për vete. Ata nuk duan as ta tregojnë atë që bëjnë, thjesht e bëjnë.

Dhe në këtë realitet dialektik, natyrshëm të lind pyetja.

“Po gjithë kjo Shqipëri e bukur, gjithë ky popull mahnitës me cilësi që i gjen vetëm nëpër manuale civilizimesh demokratike, po si dreqin ja dalim të nxjerrim në pah e të vëmë në krye më të keqen e vetes? Si dreqin ja bëjmë?”

Facebook Comments