Nga Red VARAKU

◾◾◾

Kur Gjykata Kushtetuese e Perusë kishte deklaruar se ishte gati të merrte një vendim, që do t’i ndalonte diktatorit peruan Alberto Fujimori kandidimin për një mandat të tretë, aleatët e Fujimorit në Kongres i shkarkuan menjëherë tre nga shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin ‘qesharak’ se vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kishin shkelur kushtetutën, kur kishin menduar t’i heqin të drejtën ‘kushtetuese’ Fujimorit për një mandat të tretë.

Ky është një shembull ilustrues që dëshmon, që ‘kapja’ e Gjykatës Kushtetuese është një gjë thelbësore për diktatorët, sepse Gjykata Kushtetuese është i vetmi mekanizëm, që praktikisht mund ta kufizojë deri edhe ndërpresë pushtetin e një diktatori.

Nga ana tjetër, mbrojtja e saj është thelbësore për Opozitën, sepse një Gjykatë Kushtetutuese e pavarur garanton egzistencën e saj, duke e mbrojtur atë nga fuqia shkatërruese e pushtetit.

Pra , ‘betejat’ për Gjykatën Kushtetuese, në thelb nuk janë asnjë herë teknike, siç po përpiqen ta parashtrojnë në çdo shkrim apo studio Pinokët e pushtetit.

Ato janë gjithmonë përpjekje ulëritëse të qeverisë për ta futur nën kontroll GJK dhe për ta përdorur atë në funksion të axhendës së saj dhe në asnjë rast tjetër në histori, nuk është provuar e kundërta.

Pra, nëse egziston frika se dikush do që ta ketë atë nën kontroll, si dhe ka fuqinë dhe instrumentet për t’ia arritur këtij qëllimi, është frika vetëm nga pushteti dhe në asnjë rast nga Opozita.

Opozita, cilado qoftë ajo, për nga vetë pozicioni i saj, është në mbrojtje të Kushtetutës, sepse vetë Kushtetuta është mekanizmi që e mbron atë nga fuqia shkatërruese e pushtetit.

Çdo devijim nga ky parashtrim është përpjekje për të fshehur thelbin e ‘betejës’, që po ndodh midis një pushteti ilegjitim, që i ka ‘kapur’ të gjitha dhe Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës është institucioni i fundit që ka mbetur i pavarur. Është kështjella e fundit që nuk ka rënë akoma në duart e pushtetit. Është mburoja e fundit për demokracinë, që po i reziston fort dhe me vendosmëri dhunës, brutalitetit dhe shantazhit të këtij pushteti.

Pikërisht për këtë meriton mbështetje maksimale të padiskutueshme nga të gjithë faktorët.

Facebook Comments