Nga Erl KODRA

◾◾◾

Imagjinoni sikur Ambasadori Donald Lu të kishte patur një sjellje tjetër për Reformën në Drejtësi, domethënë, deklaratat e tij të kishin qenë ndryshe, asnjanëse, dhe të ftohta.
(Në këtë tekst nuk do të shkruaj për Ambasadoren Romana Vlahutin dhe për pasardhësin e saj Luigi Soreca, pasi këta individë nuk mund të merren seriozisht).

“Shtetet e Bashkuara mbështesin Reformën në Drejtësi, por kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, term i cili nuk ekziston në Kushtetutën e Shqipërisë, me vetëm 69 vota. Shtetet e Bashkuara nxisin Parlamentin e Shqipërisë që të votojë një Prokuror të Përgjithshëm sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Pikë.”

Kjo deklaratë e munguar e Ambasadës Amerikane në Tiranë mund të shpëtonte Shqipërinë.
Por kjo deklaratë nuk erdhi kurrë, për më tepër, deklarata të tjera me përmbajtje thellësisht shqetësuese erdhën nga Rruga e Elbasanit, të gjitha në mbështetje të Edi Ramës dhe Rilindjes, që ditë pas dite e zhytën vendin në këtë kaos kushtetues, të pashembullt në historinë e Shtetit Shqiptar.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka mbajtur një qëndrim të çuditshëm dhe tendencioz kundër interesave më të mira të shqiptarëve. Ambasada Amerikane ka shfrytëzuar sentimentet e qytetarëve për ShBA-të si një vend mik dhe aleat i madh i çeshtjes shqiptare.
Kështu, deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, kanë dëmtuar thellësisht besimin e shqiptarëve, duke e identifikuar veten si mbështetëse e një regjimi kriminal dhe e një operacioni mafioz për të marrë kontrollin e institucioneve të reja të Drejtësisë.

Këtu ka një problem serioz, që kurrësesi nuk mund ta nënvleftësojmë.
Shqiptarët janë një popull që kanë përjetuar traumë të gjatë nga regjimi i terroristit Enver Hoxha.
Vuajtjet e shqiptarëve në komunizëm tejkalojnë edhe fantazitë hollivudiane. Punonjësit e Ambasadës Amerikane me siguri kanë dëgjuar se regjimi i Enver Hoxhës ka shkuar në plumb shqiptarë të pafajshëm, ka burgosur dhe internuar me mijëra të tjerë, krimi i vetëm i të cilëve ka qenë dashuria për Shtetet e Bashkuara.
Është e papranueshme që Ambasada e ShBA-ve të injorojë historinë dhe vuajtjet e shqiptarëve në komunizëm, duke u risjellë në kujtesë makthin e horrorit komunist. Ambasada duhet ta kuptojë se më e pakta, gjysma e shqiptarëve janë popull i djathtë, thellësisht antikomunist.

Ambasada Amerikane në Tiranë, dhe personalisht Ambasadori Donald Lu, me mbështetjen pa kushte që i kanë dhënë derdimenit Edi Rama, kanë krijuar një klimë konspiracioni që të kujton agjitacionin dhe propagandën.
Reforma në Drejtësi nuk mund të kthehet në një mekanizëm përvers që çimenton regjimin njëpartiak.
Për më tepër me eksponent të kapur nga mafia e Edi Ramës.
Standartet e dyfishta dhe të shumfishta në procesin e Vetting-ut të prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të papranueshme.
Shembulli i Ardian Dvoranit e shkatërroi përfundimisht besimin e qytetarëve, se më në fund po ndërtojmë Drejtësinë e Pavarur.

Besimi te Shtetet e Bashkuara është fondamental për interesat e tona, por edhe për interesat e ShBA-ve në rajon.
Individë të veçantë, qofshin këta edhe ambasadorë, nuk mund të përdorin dhe të shpërdorojnë besimin dhe sentimentet e shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara për interesa të çuditshme.
Shqiptarët e Shqipërisë vërtetë janë një popull i vogël, por shqiptarët në Ballkan janë po aq sa serbët; dhe ata janë aleatët më të mëdhenj të ShBA-ve në këtë pjesë të botës.

21 nëntor 2019

Facebook Comments