Nga Jakup B. GJOÇA

◾◾◾

Adela
Nuk ka zemër njeriu që të durojë dhimbjen tënde.
Adelë
Ti ike nga kjo botë sepse nuk e durove dot këtë Shqipëri të sotme.
Adelë, bijë
Ti ike nga kjo botë, duke mbyllur edhe sytë me një copë rrobë, sepse nuk doje të shikoje në frymën tënde të fundit përçudnimin e kësaj Shqipërie të sotme.
Nuk vrave vetëm jetën tënde por vrave edhe çdo zemër prindi.

Adelë
Ti ike nga kjo botë sepse nuk kishe më shpresë të jetoje me dinjitet si njeri.

Ti Adelë, ike për të na dëftuar neve shqiptarëve se kjo Shqipëri e sotmja është vrastare e së ardhmes të fëmijve tanë.

Adelë, bijë, ti nuk u vetëvrave.
Kjo Shqipëri e sotme TË VRAU.

Adelë, kjo Shqipëri e sotme, i vrau edhe vajzës time shpresën se këtu në Atdheun e saj mund të jetohet me dinjitet, me ndershmëri.
Adelë, edhe vajza ime në moshën tënde ishte kur, duke u larguar nga kjo Shqipëri e sotme, më tha me lot në sy:

– Babi, më thuaj një fjalë, pse duhet të jetoj më në Shqipëri.
Edhe dëshirën të mësoj, ma mohoi…

Adelë, bijë
Ti (por as vajza ime) nuk linde me kaq fat, sa të ishe bija e Ministres së Rilindjes Lindita Nikolla që të merrje bursën e taksapaguesve shqiptarë e të studioje në Paris e pastaj të punoje në Bankën e Shqipërisë me rrogë 10.000 Euro në muaj.
Edhe pse ti Adela ishe studente shkëlqyer e Universitetit Publik të Tiranës…

Ti Adelë ( por as vajza ime)
nuk linde me kaq fat, sa të kishe baba Gjeneral Ministër Sandër Lleshin që me paratë e Shqiptarëve të studioje në Gjermani e pastaj të emëroheshe ambasadore në Zvicër…
Por ti Adela u diplomove me nota “SHKËLQYESHËM” në Universitetin Publik të Tiranës por kjo Shqipëria e sotme të vrau shpresën se me meritën tënde intelektuale dhe profesionale mund të punësohesh në shtet…

Ti Adela
ishe e pafat sepse në Jetën Tënde nuk njohe Edi Ramën si shok e drejtues apo Erjonin e MJAFT-it që të të emëronin Drejtoreshë të Përgjithshme të Doganave të Shqipërisë, si Elisa Spiropalin, vetëm e vetëm pse Elisa qëllonte me domate Kryeministrin…

Ti Adela
nuk u bëre kaq e zellshme dhe e përkushtuar sa ta cilësoje Kryeministrin e kësaj Shqipërie të sotme ” SKËNDERBE” që si shpërblim i servilizmit të emëroheshe Ministre e Marrëdhënieve të Kryeministrit të kësaj Shqipërie të sotme…

Ti Adela
ishe kaq njeri i dlirtë sa nuk munde të duroje barrën e madhe të sakrificave të prindërve të tu, që me djersën dhe mundin e punës së tyre të arsimuan ty në universitet, por edhe pse u diplomove SHKËLQYESHËM mbete e papunë…

Sepse ti Adela
nuk ishe kriminele, as trafikante e dënuar nga Gjykatat Penale që Kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme të të emëronte deputete apo Kryebashkiake.

Ti Adela,
U vetësakrifikove për të na bindur ne shqiptarëve sa pak vlerë ka Jeta e njeriut në këtë Shqipëri të sotme.

Ti Adelë
Viktima e ndershërisë njerëzore, na the me gjakun tënd se kjo Shqipëri e sotme nuk është më e shqiptarëve, derisa babai e nëna jote nuk kanë asnjë mundësi që me djersë, sakrifica, ndershmëri të ushqejnë fëmijët e tyre as me bukë e kripë.
Kur Kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme u jep klientëve të vet Shqipërinë me koncension për 30 vite.

Adela, ti me vetëmohimin tënd
u the shqiptarëve që kjo Shqipëri e sotme nuk është e shqiptarëve në 30 vite që vijnë, ngaqë ky kryeministër i sotëm e ka shitur me koncesione çdo shpresë të shqiptarëve për të jetuar në Atdheun e tyre.

Ti Adela, duke vetëikur nga kjo jetë,
u the shqiptarëve që sot nuk kanë më Atdhe, sepse kryeministri i kësaj Shqipërie të sotme shqiptarëve ua rrëmbeu Atdheun, ua shiti me koncension.

Adelë, ti duke u vetësakrifikuar e pashpresë të jetoje me ndershmëri
I the çdo prindi që ky kryeministër i kësaj Shqipërie, i tha babait dhe nënës tënde që për çdo fëmijë që lind dhe do të lindë nuk ka më Shqipëri.
Çdo fëmijë që lind në këtë Shqipëri të sotme, ose të ardhmen e ka në varr, siç të detyruan ty Adelë,
ose të arratiset nga kjo Shqipëri, siç detyruan vajzën time, siç detyruan të arratisen nga kjo Shqipëri e sotme 450.000 mijë shqiptarë.

Adelë
Ti e dije se 80 % e shoqeve dhe shokëve të tu duan të largohen përgjithmonë nga kjo Shqipëri e sotme, sepse u janë vrarë ëndërrat, dëshirat të jetojnë e punojnë në këtë Shqipëri të sotme…

Adelë, bijë.
ato britmat e tua të fundit mbase zgjojnë ndërgjegjen e prindërve të tjerë.
Që të luftojnë për të ndërtuar atë Shqipëri që deshe ti të jetoje…

Adelë, bijë…
Falna që nuk mundëm të të jepnim një tjetër Shqipëri, që ti të jetoje…

Facebook Comments