Nga Jonila GODOLE

◾◾◾

Në mes të festimeve për 30 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, lajmi se botuesi i ri i gazetave të Berlinit „Berliner Zeitung“ dhe „Berliner Kurier“ kishte qenë bashkëpunëtor i STASI-t, tronditi opinionin publik gjerman. Holger Friedrich me pseudonimin “Peter Bernstein” thuhet se ka spiunuar dhe vëzhguar kolegë dhe miq të afërt nga dhjetori 1987 në shkurt 1989. Në deklaratën e tij pas këtij lajmi, ai justifikohet me faktin se nëse nuk bashkëpunonte do ta burgosnin. Një grup prej 5 gazetarësh dhe dy ekspertë të historisë dhe dosjeve do të zbardhin dokumentet për të parë rolin e vërtetë të botuesit Friedrich dhe pasojat për njerëzit që ka dëmtuar.
Holger Friedrich bashkë me të shoqen kanë bërë emër në Berlin si biznesmenë të suksesshëm pas vitit 1989. Në një intervistë pak kohë më parë në NZZ (Neuer Züricher Zeitung), ata kishin deklaruar se në bashkëpunim me Bashkinë e Berlinit do të modernizonin portalin „berlin.de“, në formën e një App-i, ku secilit i skanohej pasaporta dhe brenda pak sekondove mund të identifikohej dokumenti, numri ID, si dhe detaje të tjera të personit. Menjehere pas publikimit të lajmit për perfshirjen e Friedrich në strukturat e STASIT, bashkia e Berlinit nxitoi të sqaronte se „nuk ka ardhur ende koha që t’i lejohet një firme private të ketë akses të thellë në informacionet sensitive të berlinezëve“.
Historia e Friedrich si bashkëpunëtor mbetet të verifikohet gjithsesi. STASI kishte 90.000 punonjës zyrtarë, shumica e të cilëve siç thonë ekspertët “janë ende mes nesh”, pa u zbuluar ndonjëherë. Ashtu si edhe viktimat e tyre, që ende vuajnë pasojat.

Duke lexuar këto ditë raportimet e shumta mediatike për këtë rast, mendova sa ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit mund të jenë sot pronarë mediash, gazeta, TV, Radio, portale interneti? Do të ishte një ide e mirë për një seri artikujsh investigativë nga gazetarë kurajozë nëse i drejtohen Autoritetit të Dosjeve dhe marrin informacion për këtë. Edhe pse ligji nuk parashikon lustracion për askënd, informimin e lejon. Sepse vërtetë në fillim të 1990-ës brezi i parë i gazetarëve ishte i ri në moshë dhe mbase pa lidhje me Sigurimin dhe strukturat e tjera (edhe pse ky informacion duhet verifikuar!!), por pronarët e medias nuk kaluan asnjëherë në sitë, njësoj si në të gjitha fushat e tjera, politika, gjykatat, policia, akademia dhe universitetet.

Ka ardhur dita të ngremë pyetjen: Si mund t’u lihet në dorë informimi i paanshëm i publikut, edukimi i brezit të ri etj., ish-funksionarëve të sistemit, apo ish-bashkëpunëtorëve të mundshëm të Sigurimit? Në rastin më të mirë, pas verifikimit mbase nuk do gjenim asnjë për bé. Por një transparencë do të ishte e vlefshme, sepse do të na hiqte dyshimin nëse e djeshmja nuk po vazhdon ende të kontrollojë të tashmen.

Holger Friedrich

Facebook Comments