Nga Agim XHAFKA

◾◾◾

Korça dallohet për përdorimin e llagapëve. Nuk gjen një njeri të vetëm pa një të tillë. Dëgjon p.sh si u gdhive o But,si je o Okllai,hë Mastrapankë çfarë po bën,ik tutje Gogozhare…Për të vazhduar me sharrje tipike si kokë damberdilë,zarbë,teneqe e shpuar,farashuk,akoma në kolopoçka je… Gjuha e zonës mbushur me ngjyra e plot nënshtresa kuptimore. Që shkojnë deri në perqeshje,por asnjëherë në fyerje.
Një emërtim tjetër kanë pasur njerëz realë,por që shfaqnin simptoma të sëmundjeve mendore.. Këtyre u vendosnin nofka edhe qesharake,për të zbutur simptomat tek ta. P.sh Pandi Gjiza,Peci Bajamka,Stavri Maçoku,Pandi Këndeska,Taqo Babuci,Maqo Pehlivani e plot të tjerë që dihej se si kudo do të gjendeshin edhe në mes gjithë asaj popullsie.
Ndër këta,mua më ka rastisur që më shumë të njihja Pandi Gjizën,nga që shtëpinë e kam pasur afër stadiumit dhe ai ka qënë tifoz i zjarrtë i “Skënderbeut”. Nuk gjej asnjë lidhje mes tij me fjalën gjiza. Iu ngjit si p.sh. Stavrit maçok nga mbrapa. Këto emërtime i lëshonte dikush e në pëlqeheshin të ngjiteshin që asnjë vendim gjykate nuk ta ndërronte më.
Pandi Gjiza,kur e kam njohur unë ka qënë ndoshta 40 vjeç a më pak. Më dukej kaq se vetë isha ende pa shkuar në shkollë. Kishte një trup mesatar,i imët,ecte si duke kërcyer,kthente kokën majtas e djathtas se i flisnin të gjithë dhe zërin të çjerë,si të gërvishtur me xham. Përherë ishte i kuq flakë në fytyrë,nga që në çdo lokal e ftonin,i jepnin nga një teke e ndonjë kërnackë e ai teke pas tekeje rrinte si gjysëm xurxull në rrugë. Nuk e di ku e kishte shtëpinë,por di që korçarët e donin. Nuk e fyenin,nuk e percmonin,e qirasnin dhe i rrihnin shpatullat me mirësjellje. Në stadium ai hynte deri tek fusha e rrinte perherë prapa portës së kundërshtarit. Se donte të ishte sa më pranë golit. E kur ai bëhej Pandi hiqte bluzën,e vërviste nga gëzimi e bënte xhiro rreth stadiumit sikur ishte ai shënuesi. Njerëzit i argëtonte e në kor shpërthenin Pandi,Pandi. I shkëlqenin sytë dhe dukej që larg që ishte i lumtur,shumë i lumtur.
Kështu mbaj mend edhe trajtimin e Peçi Bajamkës. Një tip tjetër që kishte mangësi të dukshme,por edhe hobi të tjera. Ai mbante një foto të Xhina Lobobrixhidës e ishte ngulur në tru se në një botë tjetër e kishte pasur dashnore. Dhe ua tregonte e ritregonte korçarëve. Të gjithë e dëgjonin dhe bënin të habiturin. Peci gjendej në qiell të shtatë në ato çaste.
Korçarët e mij përherë kanë treguar respekt për njerëzit me defekte. Se ishin të bindur që faji nuk ishte i tyre,gabimi ishte diku tjetër. Dhe pa hyrë në analiza ata i donin dhe i mbanin pranë këta qytetarë me shenja të dukshme anormaliteti. Siç mbajmë në bufe një relike porcelani,që na është thyer anash,por rri bukur me filxhanët e kafes dhe gotat e verës. Apo si gota e ujit që ka një cifël se e kemi përplasur tek kana,por e mbajmë se pijmë nga krahu tjetër.
Qyteti me këta tipa merrte më shumë dritë e ngjyra. I thyhej monotonia e kthehej në një kaleidoskop që nxjerr veç pamje mahnitëse.
Pandi Gjiza tashmë fle tek varrezat e qytetit. Bashkë me të ngjashmit e vet. Qyteti ka të tjerë si ata. Por kam siguri absolute se tek vendvarrimi i tyre sot nuk mungojnë lulet. Siç u dhuroheshin kërnackat në të gjallë. Se historia e qytetit tim lodron mes njerëzve normalë dhe jo normalë,si ylberi që krijohet nga të gjitha ngjyrat.
Eh,ç’më mbive deri në Amerikë,o Pandi Gjiza i Korcës sime…!

Facebook Comments