Nga Fadil SAHITI

◾◾◾

Nuk është e lehtë të shkruhet rreth integritetit intelektual të dikujt që për shumëkë kosniderohet “baba i kombit”.
Jo sepse mund të jem i vogël, por për shkak se ambienti shoqëror në të cilin jetojmë, dominohet nga mentaliteti tribal.

Do isha i lumtur sikur ky shkrim i imi të ishte i përqëndruar në një analizë të ndonjë vepre të tij akademike.
Kjo sepse ndonëse nuk i kam lexuar të gjitha, nuk mund të mos kem admirim për veprat e tij shkencore.
Prodhimi i kaq shumë veprave shkencore kërkon angazhim absolut intelektual, e mbi të gjitha pasion dhe dashuri të madhe për kombin tënd. Krejt cfarë kam lexuar nga puna e tij është romani “Vdekja …” dhe “Morfologjia e ….”.

Të parën e pëlqej shumë, ndërkaq të dytën – ndonëse në kohën kur e kam lexuar kam qenë fare i ri – kurrë s’e kam pëlqyer.
Vepra është e shkruar në frymën e ethosit të tij.
Akademiku literalisht e shfryn mllefin e vet, “vret dhe asgjëson” intelektualisht shumë kolegë të tij të asaj kohe.
Ai madje e fillon krtitikën e tij duke i thur elozhe sistemit socialist vetëqeverisës, një qëndrim ky befasues për pretendimet e tij se kurrë s’ka qenë admirues i ish-sistemit politik.

Të gjithë e dimë se arma e vetme e intelektualit është të bërit kritikë.
Qosja e ka përdor këtë armë vazhdimisht, sidomos prej fundit të viteve 80-ta të shekullit të kaluar.
S’ka si të mohohet fakti se zëri i tij ka qenë zëri i ndërgjegjies së kosovarëve.
I ka bërë jehonë halleve dhe kërkesave politike të kosovarëve sa herë që ka mundur. Por, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë zëri i vetëm.
Intelektualë të tjerë, si I.Rugova, e kanë bërë të njëjtën gjë.
Ata që e mbajnë mend takimin e famshëm mes shkrimtarëve shqiptar dhe serb në vitin 1988, e kujtojnë fjalimin e z. Rugova.
Të mohosh kontributin intelektual të
I.Rugovës në atë kohë, shpërfaq një lloj meskiniteti, për të mos thënë një lloj autoritarizmi intelektual.

Kritika intelektuale e akademikut pas luftës deformohet edhe më shumë.
Duket kritikë pa integritet. Kjo sepse ai pa mëdyshje merr pozicion politik. Kritika e tij kryesisht përqendrohet në dy pika. Kritikon cdo gjë që është e lidhur me PD-në në Shqipëri dhe liderin e saj, si dhe LDK-në në Kosovë dhe liderin e saj.
Kritika e tij mund të përmbaj shumë të verteta, sepse, ta zëmë, gjendja e mjerueshme në shtetin shqiptar lidhet ngushtë me keq-qeverisjen e Berishës.
Nuk ka përse të amnistohet fajësia politike as e këtij të fundit, ndonëse Rugova kurrë nuk ka pas pushtet efektiv gjatë jetës së tij.
Shumë mund të pajtohen edhe me kritikën e tij karshi liderit të sotëm të LDK-së, që dëshiron ta quaj veten Rugovë të dytë.

Por ajo që e karakterizon kritikën akademike të Qosjës është jo konsistenca.
Asnjëherë (së paku unë nuk kam lexuar dicka të këtillë) nuk e ka ngrit zërin kundër kleptokracisë politike e instaluar në Kosovë nga viti 2008 (përjashto vitet e fundit kur të gjithë e kuptuam kush janë këta njerëz). Ai kurrë nuk ka folur, ta zëmë, për gjendjen mizerable në sistemin arsimor të Kosovës. Kurrë nuk e ka kundërshtuar hapur sistemin politik mafioz të instaluar në Shqipëri. Përkundrazi, jo rrallë i ka thur elozhe socialistëve dhe liderit të tyre.
Edhe punën e dy akademive e ka vlerësuar me dy optika. Me të drejtë ka kritikuar ashpër politizimin dhe mospunën e akademisë së Kosovës, gjersa asnjëherë nuk e ka berë të njëjtën gjë për atë të Shqipërisë, anëtar i së cilës është edhe vet.

Vazhdoj të besoj se për gjendjen ku kemi rënë si shoqëri shqiptare nuk mund të fajësohet vetëm klasa politike.
Faj të madh ka edhe shtresa intelektuale e kombit.
Intelektualët e formatit të akademik R. Qosjes kanë dështuar të shërbejnë si ndergjegje kritike.
Dijen shkencore dhe intelektuale nuk e kanë vënë në funksion të së vërtetës, asaj që është e mirë dhe e drejt në cdo situatë dhe në cdo kohë.
Fatkeqësisht dijen e tyre e kanë tregtuar si çdo mall tjetër, e shpërblimet që i kanë marr nga politikët nuk kanë qenë të vogla.

Facebook Comments