Nga Faruk MYRTAJ

◾◾◾

Vetëtimthi u bë e ditur se në qendër ishte çelur një sallon, një lokal, një klub. As prurësit e lajmit s’dinin si ta quanin.
Bëhej fjalë për një hapësirë brenda ca mureve që, së paku nga jashtë, qenë veshur në mermer të bardhë. Si vello nuseje, u tha. Në portikun e hyrjes qe gdhendur: “Vetëm Për Të Ndershmit”.

E kush qenkan këta?! Kush i caktoka, kush i zgjedh cilët janë e cilët s’janë të ndershëm?! Dokrra! Me siguri ndonjë mënyrë e re të fituari lehtë, ndonjë parti tjetër po lind, në këtë fundvjeshtë, në mos është dhënë leja për shtëpi publike në këtë vend namusqar, thanë njerëzia. Dhe, si ne keto raste, u nisën për andej.
S’mund ta neglizhonin këtë lloj ftese, as ta urtonin kureshtjen e ngacmuar me emërtim ngjyer në moral e ndershmëri.

Në këtë vend njerëzit nuk i shmangeshin rrekjes për tu përfshirë në histori të pafundme, njera më të çuditshme se tjetra. Te tere shpresojnë në mënyra të ndryshme, edhe pse vazhdojnë të gënjehen në mënyrë të njëjtë; rropaten deri në frymën e mbrame të një shprese të zhgënjimit tjetër, e kjo përsëritet pa pushim; mbase ngaqë besojnë se s’kanë për t’u mashtruar më. Kurrë.
Të gjithët e kryeqytetit drejtohen për nga qendra. Mbushur tërë shëtitorja, rrugët që lakohen e lidhen mu përpara “Vetëm Për Të Ndershmit”, gjëmojnë nga heshtja e mbytur e turmës.
Pamja i ngjan një fushe me lule dielli, me vështrimin për nga hyrja ndriçuar me projektorë. Prej kësaj emërtese të pa-ngjarë, nisuen të ndjehen banorë të një kryeqyteti botëror. Dhjetra a qindra mijë, aty, pa asnjë përpjekje të identifikohen. Mjaft që janë atje. Pjesë e misterit që provon se janë ata që janë.

Tërë ajo masë frymore kalon fare afër me “Vetëm Për Të Ndershmit”, si demi që i qaset bezes së kuqe, por pikërisht pranë portikut nuk provon t’i mbaj këmbët. Trazuar së brendshmi shtyhet e bën më tej. Sikur s’ka të bëj fare me ato fjalë të gdhendura në mermer që e sollën deri aty. Aq i bën me secilën prej shkronjave të përdoruara në “Vetëm Për Të Ndershmit”.

Ajo masë pulson tek largohet, por vete-e-vjen atje më tej, ngjitet e zë vend në trotuaret, rrugicat e rrugëzat përqark dhe, prej atje, ndjek me sy e shoqëron me të qeshura, zëra thumbues e gjeste inkurajuese, o thjesht me nënqeshje shpotitëse dhe uuuu…, afrimin e të tjerëve, sidomos të cave që guxojnë e rrijnë pak më gjatë në atë copë shesh. Më kureshtarët, që e vonojnë hapin atje pranë, të shumtët e tyre në të vërtetë janë anonimë. Tepër buçko, o tepër shtatlartë, vërehen prej së largu. Thua ata të jenë të Ndershmit?!
Dikush paskej provuar të hynte atje. Pa ofruar arësyen përse.

Çdokush e kishte kureshtjen për të hedhur sytë atje brenda. Pse jo, pse të mos hyj edhe unë? Kush më pengoka të ngjis ato pak shkallë dhe ta kapërcej portikun?
Qenë ngjitur, kështu thuhej, kishin kaluar shkallët e para, por pa arritur mirë tek harku me shkronjat e gdhendura, sipas fjalëve që s’dihej ku lindin e ku vdisnin. Pikërisht aty u ishin mekur hapat, ndjerë lodhur, këputur e leqendisur, qenë rrëzuar si shakuj përdhe, i kishin marrë hopa, krahë e kofshë, ngarkuar si thasë me misër foragjer në ambulancat e gatishmërisë së shpallur në vigjilje të çeljes së “Vetëm Për Të Ndershmit.”

Kryeulur, fajtorë pa faj, o në faj të pa ditur, të tjerë qenë nisur e kthyer mbrapsht, prej falangave plotë djem të hazdisur, aradhëve të burrave të gatshëm të mateshin për nderin dhe sedrën e tyre, por edhe prej vargut si tespie të shkuara të të moshuarve, veteranëve të Luftrave me gjokset rënduar nga medaljet e lirisë që kurrë s’kishte ardhur përgjithnjëshëm në këtë truall. Secili në grupin e vetë, hoje të turmës së madhe gjëmimtare.
Jeta provoi tu mësoj gjithçka, por dukej se nderi e ndershmëria nuk qenkej rritur e as plakur bashkë me ta; nuk merrej vesh në i kishin fituar a humbur luftrat botërore…As në dijeni s’po i vinin për klubet që hapnin në paqe…Po kush tjetër, nëse të ndershmit s’qenkemi ne?

S’mund të mos pikasje kureshtinë femërore që hutonte tërë atë shesh kryeqyteti. Vështrimet e kujdesura, në mos të trembura, të bukurosheve lozonjare që në historinë botërore u kishin dhënë arësye dhe kuptim luftrave e paqeve, do duhej të lexoheshin, sidosi. Secili, deri te më i fundit i atyre bandillëve në shesh, të tërë që shkonin ndërmend për tu nisur apo arritur diku, do të kalonin, në mos kishin kaluar, përmes këtyre bukurive. Të trupit të tyre, në s’mundnin të kridheshin në ujvarat e syve dhe shpirtrave të tyre të brishtë e delikatë. E, vetëm paskësaj, do mund të hynin ndokund, si te “Vetëm Për Të Ndershmit”. Ne s’jemi mëkati, as vendi i mëkatit s’jemi. Nderi kalon prej nesh dhe tek ne kthehet, pafundësisht. Kjo shenjë e tyre mbetej pa përgjigje.
Rrotulla mbi të cilën marramendeshin përqark tyre pyeste tjetërsoj: Vetëm të ndershëm si? Për çfarë?

Dikur, një riosh të cilit sapo kishte nisur t’i vesonte faqja dhe syri prej bukurisë që ndjente aty, pas orëve të gjata në pritje se cili do hynte përtej atij pragu në mermer, ky djalosh, pra, u nise rrëmbyeshëm për atje brenda. Nemitja si përgjumje, më shumë se pothuaj vrapi i tij, e futi sheshin në një frymëmarrje të ngutur. Pa e fshehur qashtërinë e vetë, në ngut të kthehej sërish në këndin e lojrave tek moshatarët, ai lexoi me zë tërë shkronjat e “Vetëm për të të Ndershmit” si të një faqeje Abetare, pastaj u ngjit në shkallaret, edhe më i brishtë u duk nën portikun e praruar, a thua po shkelte brenda sallonit, hapësirës përtej, por pikërisht aty, pa i humbur syrit të sheshit që e përgjonte si gjyshi nipin, u kthye mbrapsht.
“Vogëlush! Endè s’të është kërkuar provë ndershmërie…”

Turmat këtu nuk kishin qenë kurrë të prira të dëgjonin zë-ulët, por kjo masë nejrëzore sikur provoi të shfaqej disi tjetër.
Po kalonte dita e dytë dhe ajo po rezistonte, si e pajisur në momentin e mbramë me durimin e një ndonjë vetmitari lindur murg. Kurrkush s’kish as pretekst ta qortonte se kësaj here ishte sjellë e nxituar apo pa mend. Hyrja te Vetëm për të Ndershmit s’mund të ishte ftesë për kaq shumë frymë. S’mund të kishte kaq shumë të ndershëm në një kryeqytet të vetëm.

Grumbulli i njerëzve në Sheshin e Madh të Republikës, që te shumtën e kohës ishte qeverisur si mbretëri, vazhdoi të madhohej, Në orët e gjata të nxehtësisë çliruar prej trupit të stërmadh të saj shkëputeshin hera-herës elektrone, kalonin në orbita të tjera, të jashtme, për tu kthyer sërish më vonë.

Se s’ishte e thënë, duke pritur “…të ndershmit”, të tjerët pra “jo aq të ndershmit” ose “jo aq shumë të ndershmit”, të mos i hanin të tri vaktet, të gjerbnin kafe e lëngje të tjera, apo të mos plotësonin nevojat e përditshme të njeriut. Duke pranuar në heshtje se mund të mos pranoheshin brenda mermereve të bardhë, ata qenë të justifikuar të ndiqnin ritualin e jetëve të zakonshme. Largoheshin për pak, bje fjala sa t’i jepnin një të puthur dikujt dhe…ktheheshin sërish në Shesh, me shpresën se ndërkohë dikush kishte provuar ose ishte duke provuar të hynte te “… të Ndershmit”.
Më në fund dikush do të hynte atje. S’mund të besohej që kjo ide fantastike të qe investuar së koti. Aq më pak, s’mund të shkohej ndërmend se tërë ky kryeqytet s’kish njerëz të ndershëm, merituar për në atë hapësirë, që ishte bërë lajm bote…

Mendja edhe shkonte se mund të ishte një farsë, po, edhe shaka mund të ishte, por sikur u zgjat ca si shumë, për tu justifikuar edhe më tej si e tillë. Apo ishte thjesht një derë e stolisur me portik të bukur, imazh kafkian, përtej të cilit nuk hyej e shkohej kurrkund. Po përse … “Vetëm për të Ndershmit”? Pse kërkonin të na ndanin nga njeri tjetri? Kur edhe vetja, zor se ndahej…

Dyshimet u rritën, teksa po thyhej dita e dytë. Kjo gjindje njerëzore, edhe pse po shfaqej si të mos ishte si turmat e tjera – si ato që ngjireshin pas zgjedhjeve të përgjithshme, panaireve të shitjeve me çmime të ulura, atë orë mezipërmbajtje të vonë përpak sa u ndje gati t’i jepej virtytit të përjetshëm të të qenit turmë: Nëse nuk po dukej së paku një i vetëm të hynte në atë klub, sallë a sallon a çfarë dreqi ishte, atëherë…

Atëherë, ajo e tëra, pra të tërë ata aty, në Sheshin e Madh të Republikës, do të provonin të hynin atje bashkë. Njëherësh. Kështu, askush s’do mbante përgjegjësi individuale. Tek e mbramja, secili prej tyre kishte të drejtë ta mbante veten për të ndershëm, sipas kutit të vetë, përderisa askush s’po tregonte sipas cilit metër do mateshin ata që mund të pranoheshin për atje brenda…

Pikërisht kur idea e Urrasë së Madhe, e Mësymjes së Përqëndruar për të mbrojtur Nderin, po ia vishte e mugullonte krejt vështrimin kësaj mase njerëzore që ishte gati të besonte se e kishte të plotë të drejtën të shndërrohej sërish në turmë, pra në momentin e më-në-fundëm, kur lëshohet fishekzjarri i thirrjes “në sulm…”, nga ana perëndimore e Sheshit, u shfaq silueta e Atij…

A thua e kishin harruar?! Falenderuan Zotin e Qiejve që edhe kësaj here Ai u kujtua për ata aty. Dhe pritën. Ai vazhdoi të afrohej. Për nga dëshirohej të ecte. Tërë ajo masë njerëzish mendonte të njëjtën gjë. Nëse jo Ai, kush tjetër meritonte të hynte te portiku i mermertë? Mbase pa e kuptuar, këtë kishin pritur. S’mund ta kundërshtonte kush. S’kish si të mos vinte, në këtë rreth-e-qark-je të pakuptimtë po të vonohej më. Njerëzit s’kish si liheshin pa strehë shprese. Ishin ftuar të zgjidhnin, të dallonin mes tyre, dhe tashmë, ja, dikush do t’i printe hyrjes atje.

Me kryet atje lart, i qetë si dielli në pranverë pas shirave të vrullshme, arriti, ngjiti shkallët, ndali pak nën portikun që sikur mori trajtën e një kurore, mbi kryet e tij. Nuk ja kërkoi kush, por ai u përkulë lehtë nën harkun e mermertë dhe, nën ngazëllimin shekullor të asaj mase njerëore, humbi atje brenda.
Njerëzit morën frymë thellë, si pas kalimit të një eklipsi të plotë. Hija krijohet diku lart, por syri e ndjen tëholljen e dritës këtu poshtë, e zbret në thellësi të qelizës së vetë. Vetëm për të ndershmit do të provohej pas pak…

Ai doli, shpejt, më shpejt seç pritej.
Asnjë befasi s’dukej në fytyrën e tij. Ata që e njihnin, as që kishin pritur. I tillë ishte, në secilën orë të jetës. Kurrë në mëri. Asnjëherë në mërzi. Asgjë nuk e zhgënjente. Për më tepër, atë ditë, provoi të çelte një trëndafil të qeshure të thellë, dhemshurake, ndonse jo aq të tjetërt nga ajo kur po hynte.
Zbriti shkallët dhe po largohej tërë-kujdesshëm si të donte të shkelte saktësisht në gjurmët e ardhjes. Masa e njerëzve priti, megjithatë. Edhe kur ai vazhdoi të ecte, të largohej, në heshtje.

Si të bënte kujdes mos e trishtonte pritjen e tyre, zgjodhi të mos rrëfente çfarë kishte parë atje brenda. Njerëzit, gjithë-aq, nuk e ndjenë domosdonë e zërit të tij sikur vërtetë t’u tregonte se “…s’kishte vend të lirë atje brenda…”

Ajo masë njerëzish, si jo më parë, ndjehej e tjetërt. Edhe nëse nga numri mund të kundrohej si turmë, qe kthyer në turmë e tij. Jo si turmat e deri-atë-ditë-shme.
Më në fund, pas një pafundi gënjimesh e zhgënjimesh, pas një vargu përdorje-shpërdorjesh, pikërisht kësaj dite kishte ndodhur shndërrimi i madh.
Turma e tij, si një individ që ia njeh vetes aftësitë e paaftësitë, veset e virtytet, po merrej vesh me të pa fjalë.
Apo kishte folur ai? Kishin mundur ta dëgjonin përmes heshtjes? Ishte e njëjta gjë. Nuk pyetën. As njeri tjetrin. Nuk këmbyen asnjë fjalë. Madje, nuk kishin dëshirë të mbeteshin edhe më aty. Asnjë kuriozitet nuk ngjallte “Vetëm për të Ndershmit”.

Dalëngadalë, iu larguan edhe njeri tjetrit.
Si në dëshirë për tjetër marrëdhënie.

Facebook Comments