Nga Mirton MATAJ

◾◾◾

Gjithmonë kam besuar që përshtypja e parë për një njeri nuk është kurrë e gabuar.
Nuk ka vit që një ose disa ngjarje të mos ma përforcojnë këtë opinion.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe me Kastriot Çipin.
Kisha rreth një vit që pasi po lexoja gjithçka që shkruante dhe fliste në mbështetje të kauzës së Teatrit Kombëtar regjizori, isha gati të besoja që zotëria ishte në këtë lëvizje pa axhendë të caktuar dhe i shtyrë nga motive komplet profesionale.
Por jo…I mësuar që prej fillimit me privilegje dhe me karrike, herë si nëndrejtor e herë si drejtor, lakmitë dhe ambiciet për të qenë në krye dhe në qendër të vëmendjes e kanë shtyrë kësaj rradhe Kastriotin drejt politikës.

Kastrioti që nuk ka vënë dot në skenë një dramë të suksesshme në jetë të vet, do tani të formojë një tjetër parti, të paparë ndonjëherë dhe të aplikojë një mënyrë qeverisje të ngjashme me atë të Zvicrës…

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, të besojmë që është një përpjekje personale, për të gjetur vetveten në një fushë tjetër apo thjesht një krizë e moshës së mesme por jo…
Ideologjia e maskuar me demokraci dhe Zvicër do t’a shfaqte fytyrën në fundin e shkrimit:

Na duhet një parti që i kushtëzon marrëdhëniet me BE dhe SHBA me interesin e mirëqenies së shqiptarëve!!!

Pra na duhet një parti që t’i tregojë vendin imperializmit amerikan dhe lakenjve të tij evropianë…
Na duhet një parti që mundësisht të udhëhiqet nga një tjetër artist i dështuar si Rama, na duhet një parti që të pranojë, mini-Shengenin, të ringjallë miqësitë ruse dhe kineze dhe sidomos të mbajë larg Shqipërisë shqiptarët e Kosovës, që aq fshehtësisht dhe patologjikisht i urren Kastrioti dhe antarët imagjinarë, të partisë së tij imagjinare.

Si përfundim desha t’i kujtoj regjizorit, nëndrejtorit, drejtorit, aktorit, kritikut, politikanit…që njeriu i lig dhe i paaftë është i lig dhe i paaftë në të gjitha fushat e jetës!

▪️Shkrim i Kastriot Çipit

Na duhet një parti e re, doemos opozitare, por e ndryshme nga të gjitha ekzistueset.
Na duhet një parti pa kryetar, por me Kryesi, e cila ndryshon sipas rezultatit zgjedhor të partisë. Kandidatët më të votuar në zgjedhje parlamentare e bashkiake, bëhen anëtarë të Kryesisë së re.
Një parti që ua heq pushtetin deputetëve (edhe të vetëve) dhe e kthen pushtetin tek sovrani, duke sanksionuar të drejtën e ndryshimit të Kushtetutës vetëm me referendum.
Një parti që rithemelon shtetin sipas modelit zviceran, bazuar te demokracia direkte.
Një parti që eliminon me Kushtetutë dhe ligj pushtetin e njëshit, në të gjithë piramidën e administratës publike, duke vënë në çdo rast individin drejtues në kontrollin e një organi kolegjial.
Një parti, që ia kalon Qeverisë kompetencat e Kryeministrit dhe Këshillit Bashkiak ato të Kryebashkiakut dhe i bën këta të fundit anëtar primus-inter-pares (të parë mes të barabartëve) të Qeverisë dhe Bashkisë, me atribute thjesht përfaqësuese, pa asnjë të drejtë vendimmarrëse.
Një parti që e kufizon afatin e shërbimit të deputetëve progresivisht në 20, 16 dhe pastaj 12 vjet dhe mandatet e kryebashkiakëve dhe anëtarëve të Qeverisë në 8 vjet.
Na duhet një parti që e bën Qeverinë të dobët para Parlamentit dhe Parlamentin të dobët para zgjedhjeve dhe referendumeve.
Na duhet një parti që kërkon një sistem zgjedhor që e bën realitet përfaqësimin e drejtë dhe llogaridhënien, duke i kthyer zgjedhjet nga një shans i vetëm një herë në katër vjet, në një proces kontrolli, gjykimi e pastrimi të vazhdueshëm, në çdo stinë të mandatit të të zgjedhurve.
Na duhet një parti e re që punon me shqiptarët dhe për shqiptarët.
Na duhet një parti që nuk merr urdhra nga ambasadorët e huaj në Tiranë.
Na duhet një parti që i kushtëzon marrëdhëniet me BE dhe SHBA me interesin e mirëqenies së shqiptarëve.

PS Në foto, Asambleja e Kantonit të Glarusit, në vitin 2006, që vendosi ndryshimin e hartës territoriale dhe shkrirjen e 25 bashkive në 3 bashki.

Facebook Comments