Nga Red VARAKU

◾◾◾

Për të kuptuar thelbin kësaj rrumpalle që po ndodh sot në Shqipëri, e cila filloi stuhishëm si me buton, menjëherë pas shpalljes së vendimit për bllokimin e integrimit, duhet të kthehemi në datën 18 Tetor dhe të kuptojmë se çfarë do të thotë bllokim integrimi.

Bllokimi integrimi nuk është njësoj si bllokim negociatash. Bllokimi i integrimit në thelb është një mekanizëm, që përdoret nga Bashkimi Europian, për të përmbysur qeveritë e korruptuara.

Edi Rama e kishte dhe e ka shumë të qartë këtë, përkundër idiotëve që akoma besojnë që fajin për bllokimin e integrimit e ka vetë BE. Ai e ka kuptuar shumë mirë mesazhin e prerë të BE, por ka vendosur të qëndrojë në pushtet qoftë edhe me gjakun e viktimave të pafajshme.

Jo pa qëllim, ai e pati paralajmëruar BE për pasojat e këtij vendimi, që në thelb synonte largimin e tij. Paralajmërimet e tij, ashtu si të çdo diktatoruci, ishin presion i hapur, që nëse BE do kërkonte largimin e tij, kjo do të sillte destabilizimin jo vetëm të Shqipërisë, por krejt rajonit. Ndaj, menjëherë pas kërkesës së BE për largimin e tij nëpërmjet bllokimit të integrimit, ai nisi menjëherë me turfullimë planin për destabilizimin e Shqipërisë dhe rajonit.

Bashkë me aleatin e tij serbomadh, ai u angazhua në një lëvizje tejet provokuese për rajonin. Ai u angazhua në krijimin e mini Jugosllavisë, që është një thikë pas shpine për Kosovën, duke trafikuar kështu gjakun dhe vuajtjet e mijëra shqiptarëve vetëm për ruajtjen e pushtetit të tij.

Ai e di që thika në trupin e Kosovës është thikë në trupin e kombit shqiptar, kështu qëllimi i krijimit të mini Jugosllavisë synon pikërisht një luftë të re në Ballkan. Për këtë pati një reagim të menjëhershëm nga BE, që e dënonte një iniciativë të tillë pa përfshirjen e Kosovës, sepse BE i ka të qarta pasojat.

Edhe masakra kundër njerëzve të pafajshëm, që po shikojmë sot tek Astiri nuk është gjë tjetër vetëm se një tjetër provokim për të shkaktuar gjakderdhje dhe destabilizim midis shqiptarëve, në mënyrë që Perëndimi të kuptojë pasojat e vendimit të tyre dhe me qëllim dekurajimin e të gjithë faktorëve opozitarë. Siç çdo diktatoruc, ai po përpiqet me çdo mjet që të ruajë pushtetin e tij. Ashtu si të gjithë diktatorucët ai është gati të derdhë gjak të pafajshëm për të ruajtur pushtetin e tij.

Pra, fatkeqësisht ai ka vendosur që të mos largohet me dëshirë, ndaj ka nisur këtë agresion kundër njerëzve të pafajshëm, për t’i treguar Perëndimit, që ai nuk ka kohë për të humbur dhe se ai nuk ka pse të presë askënd, kur ka në dorë ofertën e Kinës dhe Rusisë dhe për këtë është gati të bëjë gjithçka.

Me sa duket, kjo është fatura e vendimit të një milion shqiptarëve në vitin 2013. Në ditët në vazhdim skena të tilla dhune dhe poshtërimi të shqiptarëve do të shohim çdo ditë, sepse ndryshe nga Zaev, që e kuptoi mesazhin dhe dha dorëheqjen menjëherë, ai ka vendosur të bëjë gjithçka për pushtetin e tij.

Gjithsesi, operacioni për largimin e tij vazhdon. Do apo nuk do kryeministri, vendimi për largimin e tij është marrë dhe në Maj Shqipëria do të marrë hapjen e negociatave pas zgjedhjeve të parakohshme me reformën e re zgjedhore. Urimi i vetëm mbetet që largimi i këtij njeriu të mos marrë jetë njerëzish të pafajshëm .

Facebook Comments