Nga Kolindo VJERDHA

◾◾◾

Lajmet sa vijnë e zënë njëri- tjetrin në lidhje me largimin e shqiptarëve e specifikisht pjesës më vitale të saj rinisë. Sot çdo i ri e ka në planet e tij afatgjata ose afatshkurta largimin nga Shqiperia duke gjetur për këtë njëmijë e një arsye. Duket se shpresa e shqiptarëve për të zhvilluar jetesën brenda kufinjëve të vendit tonë sa vjen e bëhet më minimale.
Kjo është pasojë e gjendjes në të cilën po kalon sot vendi ynë. Duket se jemi të zhgënjyer sepse pritëm për 30 vite e sot përsëri jemi në vend numëro e kur më pas shohim ritmin e zhvillimit në vendet fqinje kuptojmë ku realisht jemi. Zhgënjimi ka arritur aty ku nuk mban më. Provuam çdo qeverisje, provuam çdo model, por nuk morëm asgjë pas. Sot nuk kemi një jetesë në nivelin e pritur. Kushtet në institucionet ku punojmë nuk janë ata të kërkuarat, arsimi po ashtu nuk është në nivelet e pritura për të mos thënë më keq. Këto besoj janë arsye të mjaftueshme që të bëjnë të mos e mendosh dy herë largimin. Për të mos vazhduar më pas me pasigurinë e cila shtrihet në të gjitha fushat e jetës. Ndihemi të pasigurtë nga gjithçka, nga krimi tashmë i veshur me pushtet, ndihemi të pasigurtë pasi nuk kemi një vend pune të sigurtë. Këtu e dimë fare mirë se me ndërrimin e pushteteve kemi ndërrim të të gjithë administratës e në fund këto na shiten si vende të hapura pune. Kjo gjë tregon mungesë stabiliteti . Pra studentët e sotëm, që nesër do të jenë intelektualët e ardhshëm nuk gjejnë mundësi punësimi. Investimi kolosal i tyre në arsimim nuk përkthehet në një vend pune për të cilin janë kualifikuar. Nëse shkojmë më tej te niveli i pagava, ku shumë studime e nxjerrin si më të ultin në rajon, pyetja që lind natyrshëm është “ Pse duhet të qëndrojmë në këtë vend? ”. Këtu me këtë nivel pagash shfrytëzohesh. Sot ne nuk kemi një shtresë të mirëfilltë të mesme. Padyshim që niveli intelektual që jep shumë për vendin meriton të ketë një sjellje tjetër nga shteti. Meritokracia mungon. Një i ri sot ndonëse mund të ketë kualifikimin e kërkuar nuk arrin të gjejë një vend pune se korrupsioni është i pranishëm kudo. Korrupsioni nuk është utopi, por jemi vetë ne që e praktikojmë me apo pa dijeninë tonë. E në këto kushte ku është katandisur ky vend si mundet një i ri të punojë e të jetojë, kur e ka më të lehtë të çajë në tregun perëndimor? Në vendin tonë korrupsioni është ai që ta hap derën i pari. Këto janë indikatorët më ndikues për largimin e të rinjve.
Rinia sot ka humbur besimin. Ka humbur besimin se ky vend mund të bëhet, por ka humbur edhe dëshirën për të jetuar këtu. Ky besim nuk rifitohet aq thjeshtë vetëm me premtime në ajër që i merr era, duhen bërë plane konkrete e rezultate të prekshme. Realisht kemi mbërritur në një pikë kritike. Duhen ndërmarrë hapa të menjëhershëm sepse në të kundërtën rrezikohemi nga shpopullimi. Zona të caktuara sot nëpër Shqipëri banohen vetëm nga mosha e tretë sepse të gjithë fëmijët e tyre kanë marrë rrugët. Punët që ata detyrohen të bëjnë në vendet ku shkojnë janë punë të rënda krahu, ku në vendin e tyre do t’i bënin po të merrnin të njëjtat benefite. Gjithçka lidhet me kushtet e jetesës për të cilat të gjithë luftojmë. Është e thjeshtë ta kuptosh se ku qëndron problemi, puna është sa të gatshëm jemi ta zgjidhim.
Një ndër problemet themelore të rinisë lidhet me arsimin. Fillojmë që nga infrastruktura që e kemi trashëguar që nga koha e diktaturës. Të paktë janë universitetet e rinj të ndërtuar e nuk janë pak po 30 vite kohë në dispozicion. Ky është një element që ndikon drejtpërdrejt në mësimdhënie. Mund të vazhdojmë me mungesën e laboratoreve. Një tjetër element i rëndësishem është distanca shumë e madhe pedagog-student ku më shumë se një marrëdhënie bashkëpunimi gjë që duhet të jetë, shkon në një marrëdhënie vartësie. Studentët duhet të motivohen në punë shkencore e jo të mbesin në shabllonet e literaturës. Mos të shkojmë më tej te korrupsioni në universitete i cili është i pamohueshëm e i faktuar tashmë. Kjo zgjidhet vetëm po patëm dëshirën e mirë për të ndyshuar. Duhen vendosur ligje të cilat ta sanksionojnë në dënime të dyanëshme në rast korrupsioni në institucionet universitare. Kjo sjell barazi dhe ndëshkim. Të sanksionohet po ashtu një literaturë bashkohore dhe me nivel, ku nxënësit në çdo universitet të Shqipërisë të marrin të njëjtat njohuri. Po ashtu të ketë nxitje nëpërmjet bonuseve për pedagogët që ndërmarrin nisma studimore në bashkëpunim me studentët. Këto mund të jenë disa elemente përmirësues në ecurinë e arsimit universitar, por nuk janë e gjitha. Ky nivel arsimor është ai që po i shtyn të gjithë të hedhin sytë nga Perëndimi, ku formatimi si student vjen më i plotë dhe në një formë krejt tjetër.
Një tjetër problem që po e largon rininë është edhe punësimi. Kuptohet në vendin tonë sot nuk e ke të sigurtë punësimin pas mbarimit të universitetit. Hapja e vendeve të punës në opinionin tim duhet të vijë si rezultat i rritjes së investimeve të huaja në vend si dhe i fuqizimit të biznesit vendas. Këto janë mekanizma që e vënë në lëvizje ekonominë dhe ndikojnë drejtpërdrejt te punësimi. Që kjo të ndodhë duhet të krijohen kushte të favorshme duke nisur nga siguria e rendit e deri te lehtësimet fiskale. Vetëm bizneset e reja dhe të fuqishme me gama konkuruse në treg mund të sjellin një numër të madh vendesh pune. Kjo do t’i krijonte mundësi të rinjve të specializoheshin në drejtime të caktuara, për të cilat do të kishte edhe treg pune më të madh. Prandaj po ta shohim çdo gjë nis nga forcimi i shtetit. Kjo nuk do të thotë nga forcimi i karriges së pushtetit, por nga ndarja e tij, ku forcimi i gjithesecilës më vete do të sillte edhe forcimin e shtetit në tërësi.
Këtu mungon vullneti dhe dëshira sepse po të ekzistonin këto komponentë nuk do të ishim në këtë gjendje. Kjo është edhe mundësia e mirë për të rifituar shpresën e humbur e për të zhvilluar vendin. Deri më sot bastin më rininë e kanë humbur e po vazhduan kështu rezultatet janë lehtësisht të kuptueshme. Të mos harrojnë se kjo pjesë e popullësisë është shtresa e ardhshme punëtore. Me largimin e saj do të vështirësohet edhe mirëfunksionimi i shtetit. Prandaj e gjithë klasa politike duhet të marrë përgjegjësitë e saj. Reflektimi dhe veprimi i menjëhershëm mund të çojnë në një lehtësim të kësaj situate që për hir të së vërtetës paraqitet e rëndë.

Facebook Comments