Nga Red VARAKU

◾◾◾

Nuk ka ndryshuar asgjë në projektin politik dhe qëndrimin e Lulzim Bashës, megjithë ngazëllimin e tellallëve të pushtetit për ta trajtuar si të tillë. Ashtu siç edhe pati premtuar, Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë hap pas nga projekti i tij për të kaluar përgjegjësinë e drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.

Ai vazhdon i qetë dhe i vendosur në projektin e tij për t’i dhënë fund tranzicionit politik në Shqipëri, për t’i hapur rrugën një ndryshimi të madh që mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik.

Me të njëjtën vendosmëri, ai mbajti të tendosur opozitën kundër pushtetit, qysh një javë pas zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2017. Me të njëjtën vendosmëri ai e ktheu lëvizjen opozitare në një lëvizje të strukturuar politike, kundër sistemit të vlerave të vitit 2013, marrëveshjeve të pamoralshme, aleancës me qelbësirat për të vjedhur zgjedhjet. Ai arriti në një farë mënyre t’i jepte kauzë luftës dhe dëshpërimit që mbillej nga urrejtja, lakmia për pushtet dhe arroganca e shëmtuar e Ramës.

Me të njëjtën vendosmëri personale, ai ndërmori dy aktet më të forta politike që kanë ndodhur ndonjëherë në të gjithë hapësirën shqiptare dhe jo vetëm. Dy akte shumë të forta, që nuk kanë të krahasuar me asnjë akt tjetër politik. Dy akte që nuk ka guxuar askush t’i ndërmarrë. Dy akteve të cilave i frigoheshin edhe vetë udhëheqësit ‘e fortë’ të tranzicionit, djegjen e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale, akte që u mbështetën masivisht si asnjëherë tjetër.

Ky projekt nuk është i ri, sado të vjetër i kemi tellallët e kryeministrit nëpër studiot luksoze të televizioneve me pronarë të dyshuar, jo vetëm për korrupsion . Këtë projekt, Lulzim Basha e pati shpalosur në kuvendin e fundit me demokratët, që në Dhjetorin e shkuar, kohë kur protestat studentore ishin në kulm, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku deklaronte:

“Sot, ne kemi nevojë për një politikë perendimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta, jo për parrulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk eshte e lehte, por as e pamundur.

Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve.
Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes, që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re.Ne duhet të krijojmë kushtet .Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.

Hapja e rrugës për këtë kalim të madh, për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik. Ky është dhe do të jetë deri në fund qëllimi im kryesor dhe, mbi të gjitha, si drejtues i Partisë Demokratike”.

Pra, projekti i Lulzim Bashës, në thelb synon krijimin e kushteve dhe ndërtimin e rrugës për një kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.

Sali Berisha me Lulëzim Bashën

Dy vendimet politike, ai i djegjes së mandateve dhe ai i bojkotimit të zgjedhjeve,më të fortat që janë ndërmarrë nga një udhëheqës politik, synonin pikërisht dhënien fund të tranzicionit dhe tranzitorëve të establishmentit të korruptuar politik. Dy vendime, që janë njëkohësisht edhe vendimet më të sulmuara dhe kontestuara që prej vitit 1990, për të cilat z. Basha ka marrë jo pak kosto politike dhe mbase ndërkombëtare.

Por, kjo kosto ia ka vlejtur, sepse nëpërmjet këtyre akteve të forta ai ka provuar para shqiptarëve vendosmërinë e tij për t’i dhënë fund tranzicionit me çdo kosto . Ai ka fituar besimin e shqiptarëve, të cilët e mbështetën fuqimisht në protestat më të gjata dhe më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri . Të dy aktet po rezultojnë fatale për kënetën e establishmentit politik në Shqipëri, përbindëshat e të cilit janë zgjuar menjëherë, sepse këto akte i kanë zhveshur nga çdo maskë dhe legjitimitet.

Pas këtyre dy vendimeve tepër të forta , të cilat e kanë nxjerrë lakuriq dhe jashtë loje establishmentin politik shqiptar, Turi Kombëtar i Shpresës që z. Basha ka nisur me të rinjtë në Shqipëri nuk është gjë tjetër, veçse një vazhdimësi normale e projektit të tij për ‘hapjen e rrugës për një kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri’.

Turi Kombëtar i Shpresës, nuk është gjë tjetër vetëm se një dialog i hapur me të rinj për të evidentuar hallet reale të shqiptarëve, për t’i dhënë një shans një brezi tjetër, të pastër të pakorruptuar të japë kontributin e tij, pse jo për të marrë në dorë edhe fatet e këtij vendi.

Sigurisht, kjo qëndrueshmëri dhe vazhdimësi i ka çoroditur jo pak spektatorët dhe analistët politikë shqiptarë, sepse për herë të parë ndodhen përballë një konsistence të tillë dhe refuzimi kaq të fortë për një marrëveshje politike. Dhe për habinë e tyre, kjo rezistencë e padëgjuar, vjen nga një lider, të cilin ata paradoksalisht, në mënyrë naive e konsiderojnë ‘jo të fortë’.

Sepse, në Shqipëri forca dhe fuqia nuk matet nga aktet politike, por nga fuqia e parrullave, predikimeve dhe aftësisë për të prodhuar spektakël. Kjo vendosmëri për të mos bërë marrëveshje në dëm të interesit të qytetarëve, është edhe një model brilant që do të ndiqet këtej e tutje nga të gjithë opozitarët, kushdo qofshin ata.

Lulëzim Basha
LP

Turi Kombëtar i Shpresës është edhe faza e fundit e projektit të tij, i cili synon në thelb kalimin e madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Sigurisht, që rruga që ka zgjedhur Lulzim Basha kërkon kurajo dhe vendosmëri për t’u realizuar, sepse përballë ka një makineri pushteti dhe propagande të bërë njësh me krimin, si dhe një mentalitet shoqëror që preferon të rreshtohet me të fortët.Përballja që po afron këtë pranverë pritet të jetë historike. Është një përballje midis dy modeleve njerëzore dhe politike, me filozofi diametralisht të kundërta.

Është përballje finale që do t’i japë fund tranzicionit dhe do të sjellë në pushtet një frymë të re dhe një elitë të re politike, ekonomike dhe shoqërore, ashtu siç edhe Lulzim Basha ka premtuar. Një përballje, që do të hyjë në historinë shqiptare si triumfi i qytetarëve të ndershëm mbi aleancën e bandave më të rrezikshme në Europë.

Trump & Basha

Facebook Comments