Nga Blerim LATIFI

◾◾◾

Qosja dështoi të bëhet mendimtar politik. Ai ngeli gjithnjë revolucionari i përherëshëm që kurrë s’e kuptoi institucionalizmin liberal-përendimor; i brymosur në socializëm, duke pretenduar që vetëm ai e di “të vërtetën” dhe duke i ndarë shqiptarët në “heronj” dhe “tradhtarë”.

«Nga një numër tekstesh të Qosjes që kam lexuar, kam parë një deficit serioz të kulturës filozofike në këto tekste, njohuri sipërfaqësore të filozofisë politike dhe terminologjisë filozofike në përgjithësi. Kjo është fatale. Ashtu si në matematikë që e huq fare po nuk dite të operosh me raportet e numrave, edhe në filozofi, po nuk dite të operosh kujdesshëm me konceptet, bie në lajthitje komplete. Është një fakt i njohur se kritikët e mirë letrarë karrierën e tyre e përfundojnë si mendimtarë e filozofë, por tek Qosja ky proces intelektual ka dështuar. Qosja ka dështuar të bëhet mendimtar.

E kam thënë edhe njëherë tjetër: Qosja vazhdon ta bindë veten se ka hesape për të qëruar me dy njerëz, Ibrahim Rugovën dhe Ismail Kadarenë. Me të parin e lidh mosdurimi politik dhe me të dytin zilia e famës mes shkrimtarësh. Megjithë defektet e tij politike, Rugova ka një vend të rëndësishëm në historinë politike të Kosovës dhe Qosja si duket nuk po gjen qetësi pa e thyer ikonën e tij, ndërsa inati me Kadarenë vjen nga një fakt i thjeshtë: derisa Kadareja sot gëzon famën e një shkrimtari botëror, Qosja përgjithësisht gëzon famën e një shkrimtari lokal. Dhe meqë të dy armiqtë e tij privat kanë pasur qëndrime jo fort të pëlqyeshme për islamin, Rugova me prokatolicizmin e tij kulturor e deri diku edhe politik, dhe Kadareja me anti-osmanizmin e tij konsekuent, Qosjes i mbetet të dalë në anën e kundërt, të bëhet pro-islamik dhe pro-osman. Dhe Qosja është duke e bërë një gjë të tillë. Nuk është çudi që një ditë të dalë të bëjë apologjinë e salafizmit politik [fundamentalizmit islamik] në Kosovë. Inatet janë këshilltarë të këqij të njeriut: gjithmonë e shpijnë në rrugë të gabuara.»

Prof. Blerim Latifi – “Rexhep Qosja rrugës për në Sham” (8 tetor 2014)

Facebook Comments