Nga EXPRESS

◾◾◾

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Hivzi ISLAMI, ka parashtruar 55 pyetje, në fakt, akuza për Rexhep Qosjen. Kreu i Akademisë përdorë termat nga më të rëndat për Qosjen. Express sjell të plot shkrimin e plot të Islamit.

I vetëquajturi At i kombit; i vetëshpalluri mendja e kombit; i vetëproklamuari I Madhi dhe më I Madhi i kombit; egocentristi i kompleksuar, halucinanti e linçuesi; psikopati për skena e prapaskena; megalomani, narcisoidi, frikacaku, gënjeshtari, hipokriti, shpifësi monstruoz dhe intriganti i kombit; ndotësi i mjedisit kulturor, kombëtar dhe shoqëror; i sëmuri i botës shqiptare; përçarësi më i madh i kombit; kacagjeli nihilist; denoncuesi i të gjitha personaliteteve të rëndësishme të letërsisë, të kulturës, të shkencës dhe të politikës shqiptare andej e këndej kufirit; anti Kadare dhe anti Rugovë i tërbuar; projektuesi paranoik i fushatave; mjeshtri për t’i projektuar të zezat e veta te të tjerët; servili e shërbetori i të gjitha pushteteve; moralisti i pamoralshëm; mësuesi pa kredibilitet; ndërgjegja e përbaltosur; pushti i kombit; njeriu pa miq dhe shokë; shkatërruesi i çdo raporti njerëzor; njeriu pa asnjë ndjenjë humane; trimi pas betejës së fituar nga të tjerët; denoncuesi policor i Akademisë; shkruesi zgjërdhishëm i ”Morfologjisë…”; nga institucionet shkencore e kulturore denoncuesi i parë i demonstratave të vitit 1981; hedhësi i benzinës në zjarr në kohën e ”revolucionit të vonuar demokratik” në Shqipëri; migranti i rruar e i maskuar; vajtuesi më i madh i Josip Broz Titos në ish-Jugosllavi; bolsheviku dhe enveristi më i devotshëm; bartësi i botimit të pamfleteve politike, të rënda 288.000 euro; humbësi më i madh i zgjedhjeve në historinë e zgjedhjeve në rruzullin tokësor; fituesi i çmimit 7 Korriku i Serbisë, që nuk e ktheu kurrë…!

Pas këtij portretimi, e dini kush është ky njeri? Nëse nuk e dini, ky është REXHEP QOSJA, i vetëquajturi “At” i kombit.

PYETJET:

1▪️Thua se e jep kokën për të vërtetën, po pse nuk e dhe deri tash kur pate shumë raste?

2▪️”Mendje e kombit”, pa mendje për vetveten, a ke probleme më shumë me vetveten apo me të tjerët?

3▪️A po i vuan akoma pasojat e patologjisë së një mentaliteti mesjetar-fisnor?

4▪️Nga buron kënaqësia dhe paranoja që t’i ofendosh të gjitha personalitetet e mëdha në fushën e shkencës, letërsisë, kulturës, politikës shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë?

5▪️A shkove prej lektorit të zakonshëm të Radio-Prishtinës drejt hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik, pa magjistraturë shkencore?

6▪️Pse nuk munde t’i jepje provimet në shkallën e tretë në Beograd? Cilat ishin pengesat?

7▪️A shkove pa magjistraturë shkencore drejt në doktoratë?

8▪️A të mbështeti më së shumëti prof. Fehmi Agani për paraqitjen e doktoratës pa magjistraturë, kundër të cilit më vonë e zhvillove fushatën më të egër?

9▪️A u bëre drejtor i Institutit Albanologjik pa konkurrencë dhe a u zgjodhe tre mandate rresht në atë funksion, që ishte përjashtim në gjithë ish-Jugosllavinë?

10▪️A e kërcënove me revole drejtorin legjitim të Institutit Albanologjik dhe a ia shave nënë e babë, ndërsa në opinion thoshe që ai të ka sharë e kërcënuar?

11▪️A pate ndonjë arsye të madhe që të japësh propozim e mendim pozitiv dhe së fundi ta votoje Sinan Hasanin për anëtar të ASHAK-ut?

12▪️A pate arsye plotësuese ta vajtoje me aq sentimentalitet Titon?

13▪️Po Enver Hoxhën, pse vazhdon ta konsiderosh personalitetin më të madh të kombit?

14▪️Pse nuk ke kurajo qytetare dhe intelektuale të japësh dorëheqje nga ASHAK kur e denoncon çdo ditë dhe e urren patologjikisht?

15▪️A është e moralshme ta merrësh “rrogën kombëtare”, si e quan kur i akuzon anëtarët tjerë të Akademisë, kur nuk e ke shkelur pragun e saj tash e 15 vjet?

16▪️A ishe i pari drejtor i një institucioni kulturor e shkencor që i denoncove demonstratat e studentëve të vitit 1981? A është gazeta “Rilindja” dëshmi për këtë denoncim?

17▪️Sa herë e takove kryetarin e Jugosllavisë së Zhablakut (1992-1993), “babain” e kombit serb, Dobrica Qosiqin, në Manastirin Prohor Pçinjski?

18▪️Çka bisedove me Qosiqin? Për ndarjen e Kosovës?

19▪️Në vitin 1989, kur derdhej gjaku në Kosovë dhe rrënohej autonomiteti i saj, a u takove me shokun Vidoje Zharkoviq në Beograd, politikan nga Mali i Zi dhe funksionar i lartë në ish-Federatën Jugosllave dhe përgjegjës për KOS? Nëse po, çka bisedove me të?

20▪️Po me Dushko Ristiqin dhe Mihaillo Zvicerin kishe raporte të ngushta?

21▪️Pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, kur u derdh gjaku, a i deklarove gazetës sarajevase “Oslobodjenje” se je qytetar lojal i Jugosllavisë?

22▪️Si drejtor a pranove me vetëdije në punë në Institutin Albanologjik njerëz të UDB-së dhe të KOS-it?

23▪️A bëre divorc me gjyq nga gruaja legjitime dhe faktike vetëm për ta mbajtur banesën shoqërore, së bashku me shtëpinë luksoze? A vazhdove jetën normalisht me gruan “e divorcuar” në këtë banesë dhe në këtë shtëpi derisa ajo ishte gjallë?

24▪️A bëje orgji me gratë e huaja, të qarqeve të njohura të Kosovës në hotel “Dajti” e gjetiu në Shqipëri? Po orgjitë në Maqedoni, në motelet e atëhershme, poashtu me gratë e e këtyre qarqeve?

25▪️A erdhi në krizë bashkëpunimi midis dy universiteteve – UP-së dhe UT-së për këto sjellje tuaja amorale?

26▪️A kishe sjellje të tillë edhe në zyrën tende në Institutin Albanologjik?

27▪️A humbe me vota të fshehta për anëtarë të Pleqësisë së Institutit Albanologjik pasi përfundove tre mandate si drejtor?

28▪️A humbe me vota të fshehta për anëtarë të Kryesisë së KMDLNJ-së?

29▪️A humbe katastrofalisht në zgjedhjet e para menjëherë pas luftës (2000) dhe pas Rambujesë (1999)?

30▪️A i more në komunën e Prishtinës, bile në koalicion me një parti, vetëm 155 vota?

31▪️Me këtë rezultat të votimeve, a ishe jolegjitim në Konferencën e Rambujesë dhe në emër të kujt e nënshkrove “paqen e përgjakur”, siç e quan vetë?

32▪️Në vitin 2000 t’u nda çmimi “Nderi i Kombit”, por gjysma e kombit me votë të lirë nuk ta pranojë. A do ta kthesh këtë çmim?

33▪️A është e vërtetë se u mundove ta përjashtoje nga puna dr. Ibrahim Rugovën në Institut Alabanologjik sa ishe drejtor?

34▪️Por kur e mbrojtën anëtarët e tjerë të Pleqësisë, a është e vërtetë se ia ndale rrogën për disa muaj me pretekst se kishte qëndruar në Shqipëri më gjatë se sa duhej dhe nuk po i kthente librat e bibliotekës?

35▪️Është e vërtetë se krejt librat e zgjedhura të Institutit Albanologjik i ke bartur në shtëpi? Po pikturat e Akademisë, i ke në shtëpi?

36▪️A është e vërtetë se pas mbylljes së kufirit me Shqipërinë në vitet 1981-1991, vetëm ti i merrje librat e Shqipërisë përmes rrugëve që vetëm ti i di?

37▪️A është e vërtetë se shumë botime tua janë të kompiluara e të vjedhura nga librat e Shqipërisë dhe librat e leksionet e Beogradit? Po disa përkthime dhe disa harta a i përvetësove dhe nga botimet e mia?

38▪️A është e vërtetë se për botimin e pamfleteve tuaja Qeveria e Kosovës i dha 238.000 euro, ndërsa honorar i more 137 euro?

39▪️A është e vërtetë se disa vjet më parë edhe MASHT-i i Kosovës ia dha “Toenës” së Tiranës 50.000 euro për botimin e pamfleteve tua në 22 vëllime? A mund ta dimë sa komplete të pamfleteve të ”Toenës” dhe të Qeverisë së Kosovës janë shitur?

40▪️A është e vërtetë se je i vetmi shqiptar që i urren edhe të vdekurit, të cilët i ke urrejtur për së gjalli?

41▪️Pse e urreje kaq shumë Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë? Nuk shkove as në varrim, po as familjen nuk e ngushëllove?

42▪️Po pse e urren tash Rugovën kur nuk është më në mesin e të gjallëve?

43▪️Pse aq shumë e urreje poetin tonë të madh Ali Podrimjen sa ishte i gjallë? Pse e urren kaq shumë Podrimjen edhe për së vdekuri?

44▪️A mund ta dimë pse nuk erdhe në asnjë mbledhje komemorative të anëtarëve të vdekur të Akademisë dhe nuk i shprehe ngushëllime asnjë familjeje, nga vdekja tragjike e akad. Fehmi Aganit më 1999 e deri te vdekja akad. dhe poetit Ali Podrimja më 2012;

45▪️Kur erdhi i ringjallur Skënderbeu në Kosovë, me një pritje madhështore nga populli, pse popullin e quajte qenë dhe kudra?

46▪️A është e vërtetë se dy ditë para bombardimeve (e hënë, më 22 mars 1999), të caqeve serbe nga NATO-ja e thirre popullin që të mos e braktisë Kosovën, sepse ne atdhe tjetër nuk kemi dhe në këtë mënyrë po i përmbushen synimet armikut?

47▪️A është e vërtetë se i pari, i rruar e i maskuar, ike nga Kosova në mars 1999?

48▪️A është e vërtetë se në Bllacën katastrofike (1999), ashtu të tebdylosur, të thirren njerëzit e Qeverisë probullgare? A gumlloi megafoni: Rexhep Qosja le të dalë? A dole?

49▪️A është e vërtetë se si ”Baba” i kombit, e le popullin në mëshirën e barbarisë, popullin në të cilin thirreshe gjithë jetën dhe vazhdon të thirresh?

50▪️Deri sa të doli mjekërra, sa ditë qëndrove në Maqedoni dhe ku ishe i fshehur?

51▪️Pasi të doli mjekrra, a është e vërtëtë se në Tiranë deklarove se shqiptarët që kanë mbetur në Prishtinë janë lojalë ndaj regjimit serb?

52▪️A është e vërtetë se në një TV të Kosovës pas luftës serbëve të Kosovës u garantove të drejtën e vetëvendosjes, me Graçanicën shtet të tyre? Në emër të kujt e bëre këtë?

53▪️A ishe i pari që kërkoje të shkonte veriu i Kosovës në Serbi? Në emër të kujt fole?

54▪️Gjithë jetën, a e hidhje gurin dhe e fshehje dorën?

55▪️Gjithë jetën përdore e keqpërdore shumë njerëz, i gënjeve, i mashtrove, i shantazhove, i kërcënove, po edhe sa lakej të kanë mbetur sot, 2-3 apo më pak?

Facebook Comments