Nga At Foti CICI

DEKORIMI I JANULLATOSIT NGA PRESIDENTI GREK:
“Për mbrojtjen e Greqisë dhe Helenizmit”

Kryepeshkopi i KOASh-it, Anastasios Janullatos, u dekorua përsëri dje nga Presidenti i Greqisë, z. Pavlopulos. Nderimi i radhës, mbas dekorimit para dy muajsh në Selanik, u bë në institucionin për promovimin e gazetarisë, “për mënyrën se si e mbron Greqinë dhe Helenizmin, diçka që na frymëzon të gjithëve”, tha midis të tjerash Presidenti.

Nga pikëpamja politike, Kryepeshkopi e meriton të dekorohet shpesh në Greqi: Shkombëtarizimi i Kishës Ortodokse në Shqipëri është tashmë fakt i kryer, një arritje përndryshe e pamundur, falë zgjuarsisë dhe aftësive të tij të pashoqe!

Helenizimi i KOASh-it ishte një projekt shumë i kushtueshëm, por dhe shumë i suksesshëm, madje me pasoja historike të garantuara tej këtij brezi, nga të cilat mund të shënojmë disa pika, në investimet e rrezikshme për të zhbërë sfondin shqiptar në komunitetin ortodoks:

1▪️U mohuan sistematikisht dhe u nxinë personalitetet që luftuan dhe arritën kombëtarizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri, duke shkëputur nga kujtesa kishtare e besimtarëve vitet 1920-1990.

Përveç aspektit kombëtar, u çuan në harresë edhe klerikët me kombësi shqiptare që u përndoqën për besimin ortodoks gjatë diktaturës ateiste; për të mos pasur asnjë shenjë lidhëse me të kaluarën e përbashkët historike.

2▪️Në ndërtimin e kishave të reja u imponua një arkitekturë helene, me një simbolikë dhe ikonografi greqisht, në masën mbi 95%, duke mëkuar brezin e ri me bindjen se shqipja qenka gjuhë e pafuqishme për të qenë e barabartë me gjuhët kishtare të popujve fqinjë.

U bllokua plotësimi i teksteve liturgjike për kombëtarizimin e Kishës, duke u mjaftuar në 6% të përkthimeve të trashëguara, por duke mashtruar me disa ribotime të tyre dhe me premtime të rreme se do të bëhen, “kur të vijë ora e Zotit”.

Në të njëjtën kohë, u ndërkall greqishtja në Tiranë, Korçë, etj, ndërsa në mjaft kisha në jug të Shqipërisë, si në qytetin dygjuhësh të Sarandës, gjuha shqipe u ndalua krejt!

3▪️U përjashtuan nga kryesia e Kishës shqiptarët ortodoksë, duke emëruar në pozitat kyçe shqiptarë nga familje myslimane, madje të gjithë individë mafiozë dhe të kompromentuar me abuzime ekonomike dhe seksuale.

Përjashtimi i ortodoksëve u bë për të themeluar imazhin se KOASh-i u përbëka nga grekë dhe myslimanë të konvertuar prej misionit grek, por edhe për të futur përçarjen brendashqiptare më vonë; për ta lënë luftën mbrapa!

4▪️Kryepeshkopi luftoi dhe pengoi organizimin e shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, ndërsa kapi dhe futi nën influencën e tij politike diasporën shqiptare ortodokse në ShBA.

Në vitin 1999, kur Kryepeshkopi i Athinës vendosi hapjen e një kishe në gjuhën shqipe në Athinë, Kryepeshkopi Anastasios përdori lidhjet e tij me qeverinë greke, duke e bllokuar procesin dhe duke e shtrënguar Kryepeshkopin e Greqisë të tërhiqet!

Në vitin 2005 Kryepeshkopi Anastasios mbylli kishën e re në gjuhën shqipe në Toronto, Kanada, gjë që shënoi dështimin përfundimtar për organizimin e shqiptarëve ortodokse jashtë Shqipërisë.

5▪️Mbas këtyre akteve strategjike, në vitin 2006 u imponua një statut antishqiptar, duke zbritur dhe cunguar dekretin e dhënies së autoqefalisë (1937), në disa nene që fytyrojnë një kishë kombëtare.

Një nga nenet antivendore të statutit të ri ishte përjashtimi i diasporës shqiptare nga juridiksioni i KOASh-it: Diaspora ekzistonte në statutin e mëparshëm, të vitit 1950. Madje ky ndryshim vrastar u fut tek nenet e pandryshueshme!

Kjo u krye me largpamje për të ngrirë perspektivën e ndërgjegjësimit identitar të shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë, nga njëra anë, por dhe për të nxitur konflikte dhe çarje brendakishtare në të ardhmen, përderisa neni është ligjëruar si i pandryshueshëm!

6▪️Mbas punës këmbëngulëse dhe suksesit të pamohueshëm në shkombëtarizimin e KOASh-it, në vitin 2016 u shfuqizua vetë autoqefalia, me nenin 63.2, por duke e lënë titullin siç është: Që të përdoret në konfiguracionin e votave të primatëve autoqefalë, siç mëtohet shpesh nga Fanari sot në konfliktet ndër-ortodokse. Statuti i ri është kopsitur, në mënyrë që titulli i autoqefalisë mund të tërhiqet lehtë, nëse kryepeshkopët e ardhshëm ngrenë krye.

7▪️Institucionet në pronësi të KOASh-it komandohen dhe zotërohen sot në mënyrë private nga shtetas grekë, me kontrata pa afat. Po bashkangjis kopje vetëm të një kontrate: 21 prill 2016. Kryepeshkopi iu jep “me hua” (pa pagesë dhe pa afat) bashkëpunëtorëve të tij grekë institucionet dhe pronat e Kishës!

▪️▪️▪️

Edhe pse shtetas shqiptar, z. Janullatos vazhdon të sillet dhe të veprojë si i huaj, majde një i huaj keqdashës dhe i dëmshëm për integritetin e komunitetit ortodoks në Shqipëri. Ai gjen kohë dhe energji të shkojë çdo muaj në Greqi, të marrë pjesë në aktivitete politike dhe kulturore, të cilat vetë ai i kërkon, pa përmendur takimet e errëta private, por ka neveri të shkojë të bëjë një përshpirtje në varret e martirëve të besimit ortodoks në Shqipëri, të cilët i ka lënë atje ku i ndëshkoi diktatura ateiste.

Të gjitha këto, nga pikëpamja politike dhe kombëtare helene, mjaftojnë dhe e meritojnë që Janullatosi të njihet dhe të çmohet vazhdimisht nga Greqia, edhe pse shumica e besimtarëve grekë janë të manipuluar nga shteti dhe media për gjendjen në Shqipëri.

Nga pikëpamja ortodokse, roli i Kryepeshkopit si ambasadori de facto i Greqisë në Shqipëri, nga njëra anë, dhe sjellja e tij si “prima dona”, nga ana tjetër, vazhdimisht i epshur dhe i llastuar me dekorime dhe investime auto-shenjtërimi, me auto-afreskë në kisha, literaturë auto-adhurimi, të shoqëruara këto investime me spiunazh, urrejtje dhe përndjekje kundër atyre që e kritikojnë, gjithë ky perversitet, pra, jo vetëm që është në kundërshtim me besimin dhe traditën tonë kishtare, por nuk ka precedent në krishtërimin ortodoks.

* * *

Versioni i grekësisë që përçon Janullatosi në Shqipëri, pavarësisht propogandës dhe sibilizmave, përpuqet vetëm me një pjesë të vogël të besimtarëve grekë, të atyre që votojnë partitë raciste dhe naziste në Greqi!

Populli grek nuk e di se privatizimi i KOASh-it nuk solli vetëm helenizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri, por dhe zbritjen dramatike të përqindjes ortodokse, si dhe kultizimin e Anastasit, i cili zhbëri rendin kanunor të Ortodoksisë për t’u imponuar në historinë greke dhe shqiptare me standarde politike, jo kishtare.

Popullit i fshihet e vërteta, se në përpjekje për të helenizuar Shqipërinë, janë shpërdoruar shumë fonde, të cilat mund të ishin përdorur për të krijuar mundësi punësimi në fshatrat greqishtfolëse të Shqipërisë, përderisa janë para greke.

Në të kundërt, janë ndërtuar kisha greke deri në Librazhd e Lezhë, pa qenë e nevojshme, të cilat vazhdojnë të jenë bosh! Madje, për të fituar mbështetje politike, Kryepeshkopi ka dhënë fonde edhe për të ndërtuar një xhami në Kosovë.

Besimtarët grekë nuk e dinë se myslimanët e konvertuar që bashkqeverisin KOASh-in, abuzojnë me fondet e kishës, duke mbajtur me paratë greke jo vetëm të afërmit, por dhe dashnoret dhe dashnorët e tyre!

Bota politike dhe kishtare shqiptare është kaq e kalbur sot, saqë po e mbyll me një thënie mbi Shën Athanasin që festuam dje, ditën e dekorimit të Janullatosit: “Athanasius contra mundum!” (Athanasi kundër botës).

Ishte ai që luftoi i vetëm për të vërtetën, kundër perandorëve dhe hierarkisë, kundër të gjithëve. Dhe megjithatë, e vërteta ngadhnjeu!

Mjerë ju!

At Foti Cici

Shkrimi i djeshëm nga agjensia më e madhe e lajmeve kishtare në Greqi, Romfea.gr:

https://www.romfea.gr/ekklisies-ts/ekklisia-albanias/26486-to-idruma-mpotsi-timise-ton-arxiepiskopo-albanias-anastasio

Facebook Comments