Nga Bislim ELSHANI

◾◾◾

Daniel Sinani është një antropcolog i njohur serb në Universitetin e Beogradit, në Fakultetin Filozofik, Dega e Antropologjisë. Bashkë me antropologun tjetër, Ivan Kovaçeviq, ai radhitet ndër më të mëdhenjtë në Serbi në këtë fushë. Me angazhimin dhe meritën e tij Serbia arriti të vinte në listën preferenciale të UNESKO-s të vlerave kulturore të botës tri tradita kulturore serbe: festën familjare, vallëzimet kolo dhe këngët me lahutë. Për këtë të fundit u bë një zhurmë e madhe post festum nga etnologët shqiptarë që kishin qenë në gjumë, duke e kontestuar atë traditë si shqiptare dhe joserbe.
Traditat kulturore ballkanike shpeshherë gërshetohen e marrin forma të ngjashme në gjithë hapësirën ballkanike. Le të kujtojmë me këtë rast dokumentarin “Whose is this song? të regjisores bullgare për këngën “Mu në bahqen tënde” të Eli Farës. Do të ishte e natyrshme që nga etnologët shqiptarë të kontestohej edhe vallja kolo, mirëpo studiuesve tanë gjithologë që përpiqen të deshifrojnë me gjuhën shqipe të gjitha mbishkrimet etruske e kreto-mikenase, nuk u kishte bërë përshtypje (ndoshta as që e kanë lexuar), romani i shkrimtarit arbëresh, Carmine Abate, që mban titullin “Vallja e unazës”. Titulli është paksa hutues (faji i përkthyesit), sepse bëhet fjalë për një valle unazore (kolo) dhe jo për ndonjë unazë si një aset i valles. Pra gjurma e valleve të lashta pellazge duhet kërkuar para së gjithash te arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Gjithsesi, kjo valle është e pranishme edhe në figurinat më të vjetra të qytetërimit danubian, dhe suksesi serb në Unesko ka të bëjë edhe me këtë aspekt, dmth. me tentimin që serbët të paraqiten si trashëgimtarë të një kulture mbi 4-5-mijë vjeçare danubiane, pavarësisht se në hapësirat ballkanike janë dukur vetëm 1400 vjet më parë.
Mirëpo asgjë nuk i ndihmoi Daniel Sinanit kur u përballë me moderatorin karagjoz serb, Milomir Mariq, të cilin denjoi ta pranonte në bashkëbisedim më herët edhe kryeministri ynë në detyrë. Mariqi, duke u kapur pas mbiemrit të tij që i dukej i dyshimtë, si një mbiemër shqiptar, e quajti atë një të dërguar të Thaqit e të Haradinajt në Beograd, për tu bërë gjykatës moral i kolegëve universitarë. Sipas tij, në rastin e kundërt, një intelektual serb do të pushkatohej në Prishtinë prej këtyre figurave politike. Ky fakt ngjalli një reaksion të arsyeshëm nga gjithë ajo pjesë e inteligjencës serbe që kanë mend në kokë në vend të krundeve. Ia vlen të veçohet me këtë rast reagimi i politikanit socialdemokrat serb Nenad Çanak, i cili i tha atij në sy se “Ishte e keqja më e madhe serbe”. Dhe kur ky iu kundërpërgjigj, se “po të ishte kështu, atëherë Serbia meriton të quhet histori suksesi”, Nenad Çanak u korrigjua për t’u bërë akoma më i hidhur: “Në fakt, ti s’je e keqja më e madhe, por ti je simboli i së keqes serbe, je si ajo puçërza në fytyrë që s’është thjesht puçërz, por një simptomë e Variola Verës.” Ndërkaq vetë Daniel Sinani u tregua i kujdesshëm, nuk e ngriti zërin vetë, por e ngritën të tjerët për të. Me gjithë kontributin e tij të padyshimtë dhënë kulturës dhe shtetit serb, ai u ndje si një i mjerë dhe si dikush që ka mizën nën kapuç. Vërtetë që ai s’kishte të bënte asgjë me shqiptarët, (sipas Mariqit, kolegët e tij universitarë thonë se ai ka origjinë goranësh), mirëpo ai me 30 shtator 2019 e provoi për herë të parë se ç’do të thotë të jesh shqiptar në Serbi.
Daniel Sinani, i lindur e i shkolluar në Kralevë të Serbisë, ka shkruar shumë libra nga fusha e antropologjisë, në të cilët ka trajtuar shumë aspekte jetësore të traditës dhe të së sotmes serbe, qoftë religjionit, bestytnive, demonologjisë, ritualeve të varrimit, qoftë jetës moderne urbane. Por ajo që s’ka trajtuar ai deri më sot është njëri ndër aspektet themelore të profilit antropologjik serb: urrejtja ndaj gjithçkaje joserbe dhe në veçanti shqiptare. Po të ishte një antropolog me klas, ai do të ndiqte shembullin e një antropologu tjetër serb, siç është Ivan Çoloviqi, që nuk i është shmangur asnjëherë ballafaqimit me demonët mesjetarë serbë që e kanë çuar dhe me gjasë po e çojnë sërish shoqërinë serbe drejt tërbimit. Pra libri i ardhshëm që do të duhej të shkruante ai normalisht do të duhej të mbante titullin: Antropologjia e të qenit shqiptar në Serbi. Ose së paku, Antropologjia e elementit joserb në Serbi. Dhe për këtë do t’i mjaftonte të intervistonte të afërmit e tij goranë, pronarë të furrave në Beograd e në Novi Sad.

Facebook Comments