Nga Red VARAKU

◾◾◾

Presidenti Amerikan z. Donald Trump e ka shpallur Kinën si rrezik kryesor potencial të interesave amerikane, ndaj ka filluar menjëherë një luftë tregtare me të. Shumë analistë e kanë komentuar këtë luftë si një Luftë e Re e Ftohtë, por në rastin konkret një Luftë e Ftohtë Digjitale.

Në kuadër të kësaj ‘lufte’, pjesa integrale e saj është bllokada, që ai i ka vendosur kompanisë Huawei, si një kompani pas së cilës fshihen interesa të errëta të shtetit kinez. Bllokada ndaj Huaweit konsiderohet edhe si perdja e hekurt digjitale e kësaj lufte.

Është pikërisht kjo kompani, që Rama ka vendosur të sjellë dhe të promovojë në Shqipëri duke shkelur kështu me të dyja këmbët vendimin e Presidentit amerikan. Madje ai shkoi deri aty sa mori pjesë në inagurimin e kësaj kompanie dhe deklaroi se tani ndjehej aq i sigurtë, sa nuk kishte nevoje më as për timon.

Është e qartë që ky gjest i Ramës nuk ishte rastësor dhe i pamenduar. Dihej impakti i tij, sepse ambasada amerikane reagoi menjëherë ndonëse jo me vendosmërinë e duhur, duke theksuar faktin që platforma 5G e Huawei është një rrezik serioz për të dhënat e qytetarëve shqiptarë dhe se kryeministri shqiptar po shkel mbi interesa strategjike dhe te sigurise.

Dihet që nga viti 2007 deri në 2017 , Pekini ka deklaruar se ka kredituar me 12 Miliard dollarë projekte ndërtimi në 16 vende, një të tretën e të cilit vetëm në Serbi, 21 % në Bosnjë , 7% në Malin e Zi, kjo referuar studimit të Bankës Europiane të Investimeve. Sipas një studimi të FMN të vitit 2017, Kina po financon 6.2 miliard euro në hekurudha, energji dhe ndërtim infrastrukture në Ballkanin Perëndimor.

Ky model investimi është shumë shqetësues sipas standarteve të BE dhe SHBA , sepse është një model, që ka në thelb korrupsionin dhe mundësinë e dorëzimit të aseteve strategjike një vendi, që më së paku nuk është miqësor ndaj vlerave perëndimore.

Në BE është rritur shqetësimi se vende si Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi mund të bien viktima të asaj që njihet ndryshe si “ kurthi diplomatik i borxhit” . Kjo do të thotë se nëse një vend nuk mund të paguajë kredinë, ajo duhet t’ia dorëzojë këto asete kredidhënësit. Në rastin konkret Kinës, e cila ka një projekt për zgjerimin e influencës së saj në rajon , nëpërmjet Jugosllavisë së Re, që është pjesë e projektit të Rrugës së Mëndafshit.

Projekti kinez i Rrugës së Mëndafshit konsiderohet nga BE dhe ShBA, si një përpjekje e Kinës për të ndarë dhe destabilizuar Ballkanin. Këto investime mund të rrezikojnë seriozisht stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve.

Ndaj, në Shkurt të këtij viti ligjvënësit europianë votuan edhe një procedurë ‘screening’ për investimet e huaja në vendet që duan të integrohen në BE, me qëllim kufizimin e investimeve kineze në sektorë strategjikë si teknologjia dhe infrastruktura.

Kjo është pak a shumë panorama e ‘rrezikut’ kinez në Ballkanin Perëndimor, ndaj të cilës është rritur shumë presioni si nga BE ashtu edhe nga SHBA , e cila së fundmi ka emëruar menjëherë një të dërguar special z. Mathew Palmer për të sprapsur influencën kineze në rajon.

Përballë kësaj situate shumë të rëndë, pritej që reagimi i qeverisë shqiptare sidomos pas refuzimit të hapjes së negociatave dhe nëntë kushteve të Bundestagut, të paktën të ishte bashkëpunues.

Por, kryeministri i papërgjegjshëm shqiptar , jo vetëm që nuk po tregohet bashkëpunues, por me promovimin që ai i bëri teknologjisë kineze 5G të Huaweit, jo vetëm që i bëri një karshillëk të shëmtuar Perëndimit, por ai njëkohësisht e kërcënoi hapur me kthimin e timonit drejt Kinës.

Sigurisht, me këtë akt Kryeministri dordolec shqiptar i dërgoi një mesazh sfidues BE-së dhe SHBA-ve. Por ai nuk duhet të harrojë, që populli shqiptar është ndër popujt më pro perëndimorë në planet dhe e ka ‘votuar’ atë si kryeministër për të mbajtur drejtimin e Shqipërisë drejt Perëndimit, sepse vetëm ata janë aleatët tanë strategjikë. Ai duhet ta ketë të qartë, që edhe nëse guxon ta mendojë tradhtinë e amanetit të popullit shqiptar, atij nuk do t’i fluturojë vetëm karrigja e kryeministrit, por mund t’i fluturojë edhe koka në qeli.

Facebook Comments