Nga Red VARAKU

◾◾◾

Menjëherë pas deklaratës së të nominuarës së Presidentit Trump , ambasadores Yuri Kim para senatit amerikan, vjen një deklaratë krejt e panevojshme e z. Palmer rreth situatës politike në Shqipëri, para disa studentëve të një Universiteti ne Prishtinë. Një deklaratë që e vë seriozisht në dyshim rolin e z. Palmer në lidhje me situatën e krijuar në Shqipëri, pjesë e të cilës ka qenë deri dje edhe ai, ku tashmë dihet që dështoi me sukses, për shkak të anësisë së hapur që ai dëshmoi, duke u bërë palë në shkeljen e vendimit të një institucioni të pavarur siç ishte dekreti i Presidentit. Pikërisht, për shkak të këtij akti skandaloz, atij iu hoq edhe e drejta për të mbikqyrur situatën politike në Shqipëri. Vetëm në këtë kontekst të ri duhet parë dhe deklarata e tij.

Në fakt, ishte pak moment i parehatshëm për të, sepse iu desh që të pranonte publikisht, që projekti i shefit të tij Bolton për ndarjen e Kosovës dhe mbështetja që vetë Palmer i kishte dhënë Ramës, kishte qenë një dështim spektakolar, por jo vetëm.

Me atë deklaratë, jo vetëm dëshmoi një padituri të thellë në lidhje me situatën politike në Shqipëri, por njëkohësisht dëshmoi një inkoherencë të çuditshme me dy deklaratat e tij të mëparshme, sepse vetëm disa muaj më parë, i kërkonte qeverisë të ngrinte Gjykatën Kushtetuese dhe të arrestonte përgjegjësit e krimit elektoral të zgjedhjeve të vitit 2017, dy detyra për të cilat kjo mazhorancë jo vetëm nuk e ka vënë ujin në zjarr, por po bën gjithçka për t’i penguar.

Ai provoi publikisht, që ai është një ndër përgjegjësit kryesorë të kësaj krize, sepse me paaftësinë e tij, e konsideron të fabrikuar krizën shqiptare. Me anësinë e tij të hapur për kryeministrin më të korruptuar shqiptar z. Rama i bëri një dëm shumë të madh demokracisë shqiptare, ndërsa me bindjen e tij se Shqipëria është fanar ndriçues, jo vetëm për ballkanin, por për të gjithë globin, rrezikoi ta çojë vendin drejt një konflikti shumë të rëndë, që nëse nuk do të kishte qenë për ndërhyrjen radikale të një linje të përgjegjshme brenda DASH, mund të përfundonte në një përplasje fatale me pasoja të pakthyeshme.

Deklarata e tij ishte më së paku e pacipë, ndoshta ndër deklaratat më të pacipa bëra ndonjëherë nga ndonjë zyrtar amerikan i niveleve që ai përfaqëson, sepse mesazhi i tij tregon jo vetëm një mungesë të thellë respekti për interesin e popullit shqiptar, fatet dhe fëmijët e të cilit ndodhen nën thonjtë e pisët të narkoshtetit më të rrezikshëm në Europë dhe po largohen masivisht nga vendi, por midis rreshtave lexohej një shqetësim i pajustifikueshëm për humbjen e sigurt të pushtetit të Ramës në zgjedhje të afërta të parakohshme.

Ftesa që ai i bëri Opozitës, që të marrë pjesë në hartimin e reformës zgjedhore, ishte një gjest edhe më skandaloz nga pikëpamja e njohurive elementare për një zyrtar serioz, që reflekton se ai as që ia ka idenë se si po zhvillohet situata në Shqipëri.

Ai befasoi jo vetëm komentuesit politikë, por edhe ndjekësit part-time të politikës, kur i bëri thirrje Opozitës të bashkēpunonte për reformën zgjedhore, sepse të gjithë e dinë që deri tani, e vetmja që ka dëshmuar vullnet për bashkëpunim, duke hequr dorë edhe nga protestat dhe duke u ulur në tavolinën e dialogut është vetëm Opozita.

Edhe më e çuditshme ishte pjesa e deklaratës ku theksohej se faktori ndërkombëtar do të mbështesë reformën dhe populli shqiptar duhet të vendosë më pas për orientimin e tij në zgjedhje të lira dhe të drejta, që në thelb nuk është gjë tjetër vetëm ajo që Opozita dhe kryetari i saj Lulzim Basha ka kërkuar që prej momentit të djegjes së mandateve , qeveri tranzitore, që do të realizojë zgjedhjet parlamentare në të njëjtën ditë me ato lokale, në mënyrë që të zhbllokohet integrimi europian. Kjo i vuri kapak sharlatanizmit të këtij njeriu.

Ndërkohë, vetë përfaqësuesja zyrtare e Presidentit Trump , e emëruara drejtpërdrejtë nga ai për të zgjidhur krizën shqiptare, për herë të parë pranoi krizën e rëndë ku ndodhet vendi , si dhe pranoi që kjo krizë është edhe pengesa kryesore për integrimin e vendit .

Nuk është hera e parë që në administratën e z.Trump kemi një ‘papërputhshmëri’ të tillë të deklaratave të zyrtarëve, por ky nuk është një rast i tillë. Sepse, deklarata e z. Palmer mbetet thjeshtë një deklaratë e një zyrtari dinak, që përpiqet të fshehë dështimin dhe të jetë në koherencë me qëndrimin e tij në vazhdimësi në përpjekje për të fshehur thelbin, ndërkohë që Presidenti Trump, ia ka hequr plotësisht të drejtën e adresimit të çështjeve të brendshme të Shqipërisë, pikërisht prej paaftësisë së tij dhe ia ka ngarkuar këtë çështje të nominuarës së tij të këtij viti si ambasadore Znj. Yuri Kim. Ajo u nomiua fiks një ditë pas mbështetjes skandaloze, që Palmer i dha zgjedhjeve të paligjshme të 30 Qershorit, duke ia hequr kështu nga duart çështjen e krizës shqiptare Palmerit.

Ajo ka një karrierë 20 vjeçare në Shërbimin e Jashtëm të ShBA dhe vjen në Tiranë si diplomate karriere, jo si përfaqësuese politike. Ndoshta, shumica në pushtet do të dëshironte vazhdimësine e ambasadorëve ‘teknikë’ si Donald Lu, por fatmirësisht Washingtoni e ka kuptuar dëmin që i kanë sjellë Shqipërisë njerëz të tillë si Lu ,të dyshuar fort si të përfshirë në korrupsion, siç ishte rasti i përfshirjes së tij haptazi në rastin e Bankers, aferë kjo e denoncuar publikisht nga ish kryeprokurori Llalla.

Pra, qëndrimi zyrtar i SHBA në lidhje me çështjen e krizës shqiptare është vetëm ai i shpallur nga ambasadorja e nominuar nga Presidenti Trump, Yuri Kim. Ndërsa detyra e z. Palmer si i emëruar special i Presidentit Trump, për ata që nuk e dinë akoma ,janë vetëm investimet kineze në Ballkan, që menjëherë pas emërimit të z. Palmer po futen edhe në Shqipëri, siç njofton ambasada amerikane.

Në fakt kjo shpjegon edhe lehtësinë idiote me të cilën z. Palmer u shpreh në një përpjekje të shëmtuar për të mjegulluar qëndrimin zyrtar amerikan. Kjo shpjegon edhe mungesën e jehonës mediatike për këtë deklaratë tejet të padobishme , që në fakt është thjesht një deklaratë , që në mënyrë të shëmtuar i shërben Ramës dhe qeverisë, duke u përpjekur të manipulojë hapur , qëndrimin zyrtar të SHBA.

Facebook Comments