Nga Erl KODRA

◾◾◾

Kësaj ane fluturat mblidhen vetiu,
Ndalojnë gurëve të varreve,
Pulitin krahët e larmë e dridhen.
Ikin e vijnë gjithë natën.

Fluturat joshen
Me trandafila të bardhë,
Të lidhur me kordele të zeza,
Me shenja kristali në cep.

Dy flutura u ulën.
Njana mbi flokë,
E tjetra
Afër gjoksit tim.

“Babë, a je ti? Se nanën e njoha,
Prej fustanit me pika”

Fluturaku mbi flokë
U dridh pak, e shkundi,
Kremin e krahëve
Në qerpik.

“Nanë, fëmijët u rritën, e unë
Me time shoqe shpesh ju kujtojmë,
Netëve të vona në veri.”

31-10-2019

Facebook Comments