Nga Kolindo VJERDHA

◾◾◾

Sot zien gjithçka duke nisur nga e gjithë bota e duke përfunduar deri te pragu i shtëpisë së gjithsecilit nga ne. Jetojmë çdo ditë me kokën e mbushur me mendime që nuk shkojnë larg, por deri te e nesërmja. E për çfarë do thotë dikush? Për të ngrënë o miku im, për nevojat më bazike që askush nuk po mendon për to. Bota zien vërtetë, por ajo i ka siguruar minimumi një kafshatë buke popullit. Po ne çfarë duhet të themi? Çfarë duhet të mendojmë që në gjithë historinë tonë askush nuk u kujdes për ne? Kur as shqiptari nuk arriti të ndihmonte shqiptarin, prej kujt duhet të presim më ?
Vorbulla shekullore mbi supet e shtetit që ndonëse 106-vjeçar edhe sot trumbetohet si i ri rëndon sa vetë pesha e kohës. Ne edhe sot si para 106 vitesh luftojmë për liri, por sot nuk na e mori turku, as italiani, as greku, serbi apo malazezi, sot ia morëm vetes. Interesat e ngushta klienteliste që mendojnë vetëm sot për nesër për zhvatjen dhe gllabërimin e pasurisë kombëtare lulëzuan gjatë ketij shekulli. Asgjë nuk ka ndryshuar vetëm emrat, aktorët dhe individët. Dikush mund të thotë rrëmbyeshëm se jemi në demokraci e sot çdo gjë lulëzon në Shqipëri. Më lejoni që të ia kujtoj çdokujt që mendon kështu se në cilin vend jetojmë. Hija e rendë e propagandës na ka mbuluar sytë e nuk na lejon të shohim përtej “çanakut” tonë. Jemi kthyer në individualist, shohim vetëm interesat e ngushta tonat, por çfarë ndodh me të tjerët nuk na intereson. Kjo është arsyeja pse kemi ngecur këtu sot e 106 vite para.
Në ditët e sotme brezi i ri po përjeton një eksod në masë. Me mijëra aplikime janë bërë jashtë vendit. Arsyeja e trombetuar është shkollimi, por realisht nuk mbetet këtu. Të rinjtë nuk kanë dëshirë të jetojnë më në këtë vend i cili sipas tyre nuk do të bëhet kurrë. Pasi kjo klasë politike e këtyre 106 viteve nuk arriti të bënte shtet sot vrau edhe zogun e fundit të shpresës që fluturonte në Shqipëri, “RININË”. Këto 30 vitet e fundit që të gjithë më thonë shpëtuam në demokraci, ku i forti mori gjithcka dhe të tjerët “lëpinë” vetëm sahanet e tyre. Çfarë ndryshoi ju përkrahës të kësaj demokracie? Kuptojeni që ndërruam vetëm individët por jo politikat. Na mbyllën gojën me disa liri të fituara që sot as ato nuk i kemi. Na thonë flisni, shprehuni, thoni mendimin tuaj e si “orlat” na vihen nga pas deri sa na bëjnë të “hamë” edhe fjalët tona. Na ulin aq poshtë e na marrin gjithçka. Na kërcënojnë me “çetat” e krimit që kanë mbirë në çdo cep të Shqipërisë. Universitetet janë kthyer në vende ku sundon pedagogu dhe jo në vende ku merren dije. Sot çdo gjë paguhet sepse e kuptuam mbrapsht kapitalizmin. Pedagogu kërkon rryshfet për provime dhe dinjiteti yt është përtokë para këtyre individëve që kanë të ardhmen tënde në dorë. Kështu të rinjtë detyrohen të shkojnë drejt privatit ku mund të kenë të njëjtët pedagogë, por që paraja e hedhur aty për të bërë shkollimin blen dinjitetin tënd para pedagogut dhe ti respektohesh. Kjo është pabarazia e krijuar. Prandaj Shqipëria hesht, prandaj shqiptarët po largohen. Pikërisht kjo po çon në një tjetër problem shqetësues në mbylljen e shumë vendeve të punës. Me largimin e popullatës dhe shumë shërbime duhen përgjysmuar. Një shembull konkret është arsimi. Në shumë shkolla është e detyruar ulja e numrit të mësuesve të cilët kanë dy rrugë ose të zgjedhin të punojnë në dy apo tri shkolla për të plotësuar normat ose të dalin fare në rrugë. Kështu njerëzit detyrohen të marrin rrugët edhe pse e dinë fare mirë se çfarë i pret në këto vende ku çdokush shfrytëzohet. Po si të qendrojne në një vend që nuk i siguron as mbrojtjen e jetës? Krimi, pushteti e të pasurit janë bërë një. Koha po tregon që vendi po rrënohet dhe po shkon drejt greminës. Edhe mbështetja evropiane që deri më sot ka qëndruar e palëkundur duket se është dorëzuar.
Politika ka degraduar. Nëse dikur minimumi në parlament vendoseshin njerëz të arritur e të shkolluar, sot kemi individë që kanë vetëm “shkollën e rrugës”. Si mundet që vendimet më të mëdha të vendit ti marrë një individ që nuk e di as ai vete ku e ka mbaruar shkollën e sa shkollë ka bërë. E përsëri të gjithë hamë veten dhe heshtim. Qëndrojmë e nuk flasim se kemi frikë sa e egër do të jetë hakmarrja e tyre. Kur ata kanë gjithçka e ne asgjë me çfarë t’i luftojmë e kur paradoksi më i madh qëndron në faktin se ata vetë i bëjnë politikat për të dënuar veten? Këtu kemi mbërritur e për të ndryshuar duhet një kthesë aq e madhe sa shqiptarët nuk kanë as forcën dhe energjinë e duhur për ta ndryshur. Jemi te dobët se akoma kemi perdet e propagandës e frikë brenda nesh. Vetëm po i vramë këto mund të ringrihemi të bashkuar. Duhet të bindim më parë veten dhe më pas të luftojmë për kauzat tona.
Në gjithë historinë tonë jemi munduar të ndërtojmë shtet, por faktet tregojnë se kemi dështuar me sukses. Zoti na dënoj me gjithë këto resurse që një vend kaq i vogël do të lulëzonte, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Çdokush që mori pushtetin u mundua të rregullonte interesat e ngushta personale dhe në çdo qeverisje tani e 100 vite më parë u vendos dora e hekurt në drejtim. Shteti rezulton i kapur sot. Administrata është e politizuar. Emërimet gjoja me konkurset e famshme janë katërcipërisht politike. Ne jemi një popull që për çdo sistem kemi gjetur mënyrën për ta kapur dhe vendosur ndikimin tonë në të. Nuk është faji i sistemit, por është faji i aktorëve që e bëjnë sistemin. Papërgjeshmëria e tyre arrin kulmin dhe fodullizmi është prezent në çdo zyrë shtetërore. Kjo natyrisht nuk ka ndodhur sot, por është akumulimi i gjithë këtyre viteve që nga pavarësia deri më sot. Jemi një popull mjaft punëtor dhe idealist , por kurrë nuk na e dhanë mundësinë ta shfaqim. Nga frika e humbjes së pushtetit ata sakrifikojnë edhe Shqipërinë.
Të jetosh sot në një vend si Shqipëria është e pamundur. Siguria ka humbur dhe këtu nuk lidhet vetëm siguria e jetës, por edhe siguria e punës, siguria shëndetësore, siguria ekonomike të cilat duket se kanë degraduar me kalimin e viteve. Siguria ushqimore është një tjetër problem që po shfaqet së fundi. Pra praktikisht Shqipëria është një vend i pabanuar në optikën e një europiani të mesëm. Po këtu jetojnë pra akoma njerëz dhe këto janë heronjtë e vërtetë të kesaj demokracie e cila duket se nuk solli ata ndyshimet që priteshin. Vërtetë një sistem ka benefitet e tij, por nuk duhet të harrjmë edhe të metat. Prandaj sot duhet të mendohet për korrigjimin e tyre për të ulur rreziqet të cilat mund të na vinë pas. Një vend si Shqipëria ka nevojë në rradhë të parë për plane konkrete afatgjata pasi vetëm kështu mund të shohim përpara. Ama fillimisht duhet të heqim dorë nga krimi i lidhur me pushtet dhe nga kapja e shtetit duke filluar nga gjyqësori e deri te media si pushteti i pestë në këtë vend. Roli i çdo pushteti ka peshë në ngritjen dhe mirëfunksionimin e një shteti, prandaj duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të ecë përpara.
Koha kalon dhe historia shkruan kapitujt e ri. Nuk besoj se ka më kohë për të pritur dhe kjo është një thirrje për të gjithë klasën politike. Reformoju dhe shërbe me dinjitet para popullit që të ka votur. Sot mund të kesh pushtetit dhe mund të duket një tjetër jetë, por mos harroni se nesër përsëri do të jeni pjesë e popullit e aty do të vijë edhe gjykimi juaj. Asgjë në këtë botë nuk harrohet dhe asgjë nuk duhet të anashkalohet. Populli ka nevojë për një qeveri që punon për to, por mbi të gjitha punon për Shqipërinë. Padyshim reagimi qytetar është domosdohmëri për një qeverisje të mirë. Nuk ka të pagabueshëm, por gjithmonë duhet të zgjedhim të bëjmë gabimin më të vogël.

Facebook Comments