Nga Red VARAKU

◾◾◾

Më në fund erdhi dhe ajo që të gjithë shqiptarët prisnin me padurim: vendimi dhe angazhimi amerikan për zgjidhjen e rrugës pa krye ku e kishte futur demokracinë shqiptare marrëzia dhe paaftësia e një njeriu. Sigurisht, që bllokimi i negociatave dhe nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu ishin qartësisht angazhime europiane për zhbërjen e regjimit, por angazhimi amerikan është tjetër gjë në sytë e shqiptarëve. Sepse, ata e dinë që me atë nuk ka shaka dhe se fjala e tyre është e dyta pas fjalës së Zotit, për çdo shqiptar.

Të gjitha mediat dhe komentatorët politikë dje u strukën dhe heshtën
përballë deklaratës më të rëndësishme të Ambasadores Amerikane Yuri Kim përballë senatit në lidhje me krizën e rëndë ku ndodhet vendi, sigurisht jo pa qëllim.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerit më të rëndësishëm të Shqipërisë, në deklaratën e saj para senatit , rrëzoi të gjitha pretendimet e kuzhinës kryeministrore, çorba e të cilës prej kohësh mbante të mpirë dhe të çoroditur opinionin publik shqiptar, me tezën idiote të Ramës, gjoja sikur për amerikanët në Shqipëri nuk ka asnjë krizë dhe gjithçka do të vazhdojë normalisht deri në vitin 2021.

Përmes këtij deklarimi të shprehur qartë e zeza mbi të bardhë, nëpërmjet ambasadores Yuri Kim, Amerikanët konfirmuan se Shqipëria mbetet prioritet strategjik në rajon për SHBA.

Angazhimi i parë i saj në lidhje me situatën politike në Shqipëri ishte ‘nxitja që udhëheqësit e vendit të zgjidhin ‘ngërçin’ aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE’.

Për ata që vërtet nuk e kuptojnë dhe për ata që hiqen sikur nuk e kuptojnë , zgjidhje e ‘ngërçit’ në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE’. do të thotë prerë, që SHBA mbështesin strategjinë e BE në lidhje me situatën e re në Ballkan, ku vihet re një prani e shtuar e rrezikut rus dhe kinez. Duket që SHBA dhe BE janë bërë bashkë për një ndërhyrje të shpejtë dhe radikale në rajon për të sprapsur Rusinë dhe Kinën nga rajoni. Pas Kosovës dhe Maqedonisë, rradhën me sa konfirmon edhe Yuri Kim e ka Shqipëria.

Edhe pse z. Palmer kishte pêrmendur fjalën ngërç politik , asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk kemi pasur futjen e kësaj krize në një axhendë të qartë politike dhe asnjëherë deri tani nuk kemi pasur më parë një deklaratë për zgjidhjen e saj në terma kushtesh dhe afatesh.

Pra, për herë të parë kemi një pranim të hapur të krizës së rëndë ku ndodhet vendi nga faktori amerikan dhe për herë të parë dëgjojmë për një angazhim serioz në zgjidhjen e kësaj krize. Ky në fakt ishte edhe lajmi më i rëndësishëm që prisnim, sepse sado ekspertizë të ketë Gjermania për zgjidhjen e krizës, autoriteti i vetëm që i ka zgjidhur historikisht krizat në Shqipëri ka qenë vetëm autoriteti amerikan.

Amerikanët deklaruan dje nëpërmjet ambasadores, që zgjidhja e krizës politike politike do të kryhet në funksion të perspektivës europiane të Shqipërisë. Kjo do të thotë asgjë më shumë dhe asgjë më pak , që amerikanët pranojnë si të vetmen mënyrë për zgjidhjen e krizës , zbatimin i nëntë kushteve të Gjermanisë.

Pas kësaj deklarate, nuk besoj se ka njeri në Shqipëri dhe jashtë saj , përveç atyre që paguhen dhe kanë një pakt me z. Rama, që nuk është i bindur se kriza shqiptare është bërë pjesë e rëndësishme e axhendës amerikane dhe kësisoj po shkon me shpejtësi drejt zgjidhjes.

Tashmë, nuk ka më asnjë dyshim, që integrimi i Shqipërisë në BE do të bëhet vetëm pas plotësimit të nëntë kushteve, ndërkohë zgjedhjet e parakohshme nën nxitjen amerikane, do t’i japin fund përfundimisht edhe tranzicionit të stërzgjatur politik shqiptar.

Facebook Comments