Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

E kam përmendur edhe më parë një fjali të spiunit më të famshëm, Kim Filbi, ku ai shkruan se çdo shërbim sekret ka seksionin e tij të propagandës. Pra, shërbimet sekrete kanë media përmes të cilave shpërlajnë mendjet e njerëzve, shuajnë mendime ekzistuese dhe mbjellin mendime të reja sipas interesit strategjik të manipulimit të opinionit, siç ata kanë projektuar. Ka qenë edhe shprehje e agjentëve të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri: “Çkuptim ka gazeta pa Sigurimin”. Çkuptim ka media nëse ajo nuk shërben për goditjen e kundërshtarit, për përçarjen dhe për dobësimin e tij? Më ketë filozofi, vazhdon lufta e pushtetit të Edi Ramës kundër Partisë Demokratike. Analistë, gazetarë, portale, televizione dhe emisione, kanë marrë komandën për të sulmuar, për të krijuar hutim, përçarje dhe paqartësi brenda anëtarësisë së Partisë Demokratike. Argumenti kyç i kësaj propagande për dekurajimin e demokratëve është premisa se Sali Berisha mund të vendosë të zëvëndësojë kryetarin e PD Lulzim Basha me dikë tjetër. Berisha mund ta zëvëndësojë Bashën me Jorida Tabakun, shkruante Sokol Balla para do kohësh. Tashti përmes Kreshnik Spahiut, deklarohet se Berisha mund ta zëvëndësojë Bashën me Grida Dumën. Me çfarë thotë kjo propagandë, del se Sali Berisha është njeri i paqendrueshëm, njeri i pavendosur, njeri i paqartë. Të gjithë e dinë se Sali Berisha nuk është as i pavendosur, as i paqëndrueshëm, as i paqartë. Duke shfrytëzuar faktin se Sali Berisha ka reputacion, pëlqehet prej demokratëve dhe është ikonë, propagandistët e fusin emrin e Berishës në lojë dhe e përdorin emrin e Berishës për ta luftuar bash partinë e Berishës. Duke mos ia arritur më të argumentojnë se Basha është kundër Berishës, këta argumentojnë se tashmë mund të jetë Berisha kundër Bashës. Kjo është loja dhe me këto manovra tentohet të goditet opozita, të dekurajohen e të përçahen demokratët, kjo me qëllimin naiv e të pashpresë për tia pamundësuar PD-së fitoren e pashamngshme. Ndërkohë vetë Sali Berisha në të gjitha daljet publike thotë tjetër gjë; ai thotë se mbështet Partinë Demokratike dhe thotë se ska dyshuar kurrë tek Lulzim Basha. Kë duhet të besojnë demokratët? Duhet të besojnë Sokol Ballën dhe Kreshnik Spahiun dhe median që përhap shkrimet e tyre apo duhet të besojnë vetë Sali Berishën në ato çfarë ai thotë për veten e tij? Pa dyshim që demokratët duhet të besojnë Sali Berishën. Flet më mirë Sali Berisha për Sali Berishën, sesa Sokol Balla dhe Kreshnik Spahiu për Sali Berishën. Emri i Grida Duma aktualisht, siç edhe emri i Sali Berishës, përdoren pa vullnetin e tyre nga media e Edi Ramës, si shigjeta për të goditur Partinë Demokratike. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse Edi Rama ka dështuar me ekonominë dhe shqiptarët janë varfëruar ekskluzivisht për faj të tij. Ka dështuar me rendin dhe ligjin sepse krimi është zyrtarizuar dhe është bërë aksioner në pushtet. Ka dështuar me arsim e shëndetësi sepse shqiptarët po emigrojnë nga pasiguria për mbijetesën. Ka dështuar edhe në planin europian sepse me ketë model sundimi, Shqipërisë i përplaset në fytyrë dera e Europës. Ka dështuar edhe në besim e në komunikim, sepse shqiptarët po shohin çdo ditë e më qartë një kryeministër banal i cili sillet si i droguar e i paduruar, si fyes ndaj gazetarëve e si përçmues ndaj shqiptarëve që e kritikojnë. Me gjitha këto dështime, Edi Ramës do t’i duhet të dalë në fushatë elektorale. Çfarë do tu thotë ai shqiptarëve? Ai ska më as premtim, as justifikim e as mallkim që mund t’i vlejë në fushatë. Nëse kryeministri Berisha me shumë arritje në qeverisje në zgjedhjet 2013 zbriti nga 70 në 56 mandate, Edi Rama pa arritje e për më tepër me shumë lajthitje, rrezikon të përfundojë me 35-40 mandate. Ai rrezikon një katastrofë elektorale të padëgjuar në historinë e pluralizmit shqiptar. Asgjë sdo të duket humbja e qeverisë Berisha në 2013, humbje e shkaktuar edhe prej ndërhyrjes së faktorëve të jashtëm, çfarë do të jetë humbja e Ramës në zgjedhjet që do të mbahen, humbje e cila do të shkaktohet kryesisht nga faktorë të brendshëm. Në ketë situatë, Edi Rama mendon se e shpëton sadopak dobësimi i PD-së, diversioni, përçarja, hutimi i demokrarëve dhe i simpatizantëve, prandaj investohet me të gjitha forcat për ta arritur ketë qëllim. Me blerje dhe shantazhe nga njëra anë dhe me shkaktim kaosi mendimor tek simpatizantët dhe votuesit e PD nga ana tjetër, Edi Rama synon të shpëtojë veten e vet dhe kompanitë kliente, asgjë tjetër. Por kjo është një përpjekje e pafrytshme, pa kokrra, sepse punët tashmë kanë marrë rrugën e tyre. Partia Demokratike, Kryesia, Këshilli Kombëtar, degët e partisë në çdo qytet, anëtarët e partisë në çdo lagje e fshat, ish-ministra dhe pretendentët për tu bërë ministra, ish-deputetë dhe pretendentët për deputetë, ish-zyrtarë të lartë e të ulët dhe pretendentët për tu bërë zyrtarë të lartë e të ulët e kanë të nominuar kandidatin e tyre për kryeministër; Lulzim Basha. Vetëm Sokol Balla e Kreshnik Spahiu me portalet që përhapin hedhurinat e tyre, kanë kandidatë të tjerë për kryeministra të PD. Vetë demokratët jo. Kështu, meqenëse punët janë caktuar, analistëve dhe portalistëve, nuk u mbetet asgjë tjetër veçse të shkruajnë pafund me qëllim për t’i justifikuar paratë dhe honoraret që kanë marrë. Shqipëria ka nevojë urgjente ta ndëshkojë ketë model sundimi, sepse ky sundim është pushtim ekonomiko-fiskal i shqiptarëve prej Edi Ramës përmes hartimit të buxheteve që i kanalizojnë paratë vetëm tek tre kompani. Është pushtim i krimit të organizuar të cilit i është dorëzuar shteti. Është pushtim i banalitetit dhe anti-kulturës ku vetë Rama dhe vartësit e tij, shajnë dhe fyejnë njerëzit publikisht duke i trajtuar si turma skllevërish të cilëve mund tu mbyllet goja, mund tu merret prona e shtëpia për interesa të shokëve dhe, drama e tyre mund të shpjegohet me cinizëm: “Kështu ndodh kudo”.

Facebook Comments