Nga Red VARAKU

◾◾◾

Pëplasja me Perëndimin dhe Europën ka qenë gjithmonë fatale për çdo kryeministër shqiptar. Kushdo që e ka provuar ka thyer kokën . Kjo kështu ka qenë, kështu është dhe kështu do të mbetet.

Bllokimi i integrimit megjithë përpjekjen dhe dashamirësinë e Kancelares Merkel për t’i hapur ato, dëshmoi se krisja me Perëndimin e kryeministrit shqiptar është aq e thellë, saqë nuk mund të riparohet dot më. Sepse, nëse Europa nuk ia kishte hapur derën këtij kryeministri tre herë radhazi , kësaj radhe ajo jo vetëm që nuk ia hapi fare derën, por i tha prerë që sa kohë të jetë ai kryeministër, ai as nuk mund të trokasë dot më në derën e Europës .

Bllokimi i negociatave nuk ishte thjesht një shpullë, por një mesazh i prerë që Rama tashmë është një njeri që i ka mbyllur përfundimisht hesapet me Europën. Ky ishte mesazh i qartë edhe për socialistët, që ashtu si të gjithë shqiptarët e braktisin menjëherë cilindo që guxon t’i kundërvihet Perëndimit.

Edhe pse ka dhjetra arsye përse socialistët po e braktisin anijen rilindase, që po mbytet në oqeanin e zullumeve të saj, ndër më kryesoret dështimi i plotë i reformave të kësaj qeverie dhe kriminalizimi i saj, mendoj se kyearsyeja e braktisjes së madhe është pikërisht ky qëndrim i fundit i faktorit perëndimor.

Reagimet që kanë filluar brenda PS-së, dëshmojnë që kjo parti është zgjuar , dëshmojnë që edhe pse ajo është trashëgimtare e denjë e një Partie të themeluar në Jugosllavi , ajo mbetet ende një parti që ka një bërthamë perëndimore brenda saj, që nuk mund ta durojë dot një lider që i kthen shpinën Perëndimit dhe kthehet me fytyrë nga lindja vetëm për të ruajtur pushtetin e tij dhe hajdutëve pranë tij.

Është e pakuptueshme për një parti , që deri dje mburrej me mbështetjen perëndimore, që të pranojë sulmet e shëmtuara ndaj gruas së Presidentit të Francës , sulmet ndaj vetë Presidentit Macron dhe karshillëkun e hapur ndaj Europës dhe Perëndimit.

Gjithashtu, një socialist nuk mund ta kuptojë dot angazhimin e kryeministrit tonë të perënduar në krijimin e Jugosllavisë së Re, e cila nuk është tjetër veçse pjesë e projektit të Eurazisë, projekti famëkeq i Aleksandër Dugin, frymëzuesi kryesor i Putin. Këtë e bën pikërisht një javë para se Europa të merrte vendimin fatal për bllokimin e Integrimit. Një angazhim jo vetëm antiperëndimor dhe kundër interesave të Kosovës, por edhe tejet i pacipë, kur mendon që kombi shqiptar i detyrohet gjithçka Perëndimit.

Por, pas kësaj ‘shpulle’, xixat e të cilës i shikojnë edhe mbështetësit fanatikë të kryeministrit, askush nuk dyshon më se kush është në të vërtetë armiku i vërtetë i Perëndimit. Bllokimi i integrimit, përjashtimi i Shqipërisë edhe nga vetë bisedimet per hapjen e negociatave, kërcet fort dhe është mesazh i qartë, edhe për më kokëtulët .

Që Rama tashmë është angazhuar kundër çdo rekomandimi të Perëndimit, vetëm për të zgjatur pushtetin e tij në mënyrë që të pastrojë partinë nga kundërshtarët dhe të vjedhë edhe atë që ka mbetur nga pasuria e shqiptarëve dhe jo për interesin e shqiptarëve, kjo tashmë është e qartë si drita e diellit për të gjithë. Ndaj, mbështetja për PS po bie me shpejtësi, sidomos këto ditë, pas bllokimit të negociatave. Ajo është katandisur në një grusht mbështetësish të majmur me gjakun e këtij populli, por që nuk kanë asnjë lidhje me idealet e PS.

Sigurisht, që halli i socialistëve nuk mund të jetë pushteti i Ramës, por atyre i dhimbset si Shqipëria ashtu edhe PS, e cila ka degraduar në një grusht servilësh që e shohin Ramën si zot të gjithëfuqishëm. Kjo rrezikon ta rrudhë deri në zhdukje mbështetjen për PS. Dhe është pikërisht ky shqetësim që ka prodhuar këtë reagim të brendshëm ndaj piktorit të rrjedhur. Sepse, PS nuk mund të mbetet peng i hallit të një artisti që kërkon të qëndrojë në pushtet me çdo çmim, duke paguar me gjakun e bijve të këtij vendi, që janë të detyruar ta braktisin Shqipërinë nga marrëzia e këtij njeriu.

Facebook Comments