Nga Indrit VOKSHI

◾◾◾

Nëse ka diçka poshtëruese e të neveritshme është transmetimi që media e Tiranës i bën ceremonisë së përkujtimit të një ekstremisti i cili shtiu me armë drejt policisë shqiptare. E shtimja me armë mbi autoritetin e shtetit nga një ekstremist i grupimeve të cilat nuk njohin integritetin territorial të Shqipërisë dhe punojnë për shkëputjen e Jugut, përbën akt anti-shqiptar, terrorist e kërcënues për vendin tonë. Përkujtimi i këtij personi mund të zhvillohej si ceremoni private familjare pasi askush nuk mundet t’i ndalojë familjarët ta përkujtojnë të afërmin e tyre. Mirëpo politizimi i përkujtimit duke i dhënë zë e figurë ngjarjes është kërcënues dhe destabilizues. Pse duhet politizimi dhe pse duhet transmetuar e pompuar politizimi? Kujt i shërben politizimi, përveçse klaneve anti-shqiptare të cilat kanë interes ta politizojnë e ta bëjnë të madhe duke e ngritur në nivel martiri personin që shtiu mbi Shqipërinë? Kufinjt e Shqipërisë njihen si nga Konferenca e Londrës me vendimin e 29 korrikut 1913, si nga Konferenca e Versajës 1919. Pra si në planin kombëtar si në planin ndërkombëtar kufinjt e Shqipërisë janë legjitimë e të njohur. Kësisoji Shqipëria ka të drejtë t’i mbrojë kufinjt e vet si edhe të luftojë me çdo mjet secilin individ apo grupim që synon cënimin e tyre, kudoqoftë jo vetëm brenda territorit shqiptar. Duhet theksuar se interesi i Shqipërisë është për mardhënie të mira me Greqinë. Mardhënie respekti e reciprociteti, duke respektuar secila palë integritetin e tjetrës. Mirëpo duhet theksuar gjithashtu se mardhëniet Shqipëri-Greqi as mund të maten as mund të peshohen e as mund të përcaktohen nga qëndrimet mbi individët si Kacifas e as grupinet ku kacifët gjejnë ngrohtësi. Qëndrimet mbi raste si Kacifas e organizatat mëmë të tyre, smund të jenë relative dhe smund të jenë të interpretueshme. Ato lypset të jenë të qarta; të dy shtetet, si Shqipëria e si Greqia, duhet të dënojnë me seriozitet individet dhe grupet të cilët kryejnë akte terrori e kërcënimi të integritetit si kundër Shqipërisë si kundër Greqisë. Vetëm mbi ketë premisë mundemi të kemi mardhëniet e mira të cila ne i dëshirojmë. Gjithçka tjetër është poshtëruese e nuk i shërben mardhënieve të mira.

Facebook Comments