Intervistoi Lindita BUSHGJOKAJ

◾◾◾

Juristja Enida Bozheku në një intervistë për gazetën “Shekulli” analizon situatën politike në vend. Ajo thotë se zgjidhja e krizës do të ishte krijimi i një Pakti Kombëtar, por që bazohet në ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore
Pas refuzimit të BE-së, vendi po kalon probleme serioze politike, ku partitë nuk gjejnë gjuhën për ndryshimet e kërkuara nga Europa. Ekspertja e çështjeve politike dhe juristja Enida Bozheku në një intervistë për “Shekulli”-n nxjerr në pah dobësitë e qeverisjes, e cila sipas saj vuan nga “lufta për pushtet”.

Znj. Bozheku, si e komentoni situatën politike brenda vendit pas refuzimit të BE-së?

Nuk mendoj që situata e brendshme ndryshon në qasjen e saj si pasojë e refuzimit të çeljes së negociatave. Tashmë u bënë disa vite resht që Shqipëria vuan “luftën për pushtet” të klasës politike dhe si rrjedhojë refuzimi për në BE nuk ndryshon objektivat e interesave të ngushta politike të kujtdo force që në aparencë bënë sikur mendon për “të mirën e popullit”, por në të vërtetë, BE, për ta, është thjeshtë “opium” për të manipuluar masat.

Sipas jush, a ka një marrëveshje të fshehtë Rama-Basha për të mos ndryshuar Kodin Zgjedhor?

Në përgjigje të parë do të mendoja po, për vet faktin se reforma zgjedhore e 2008 erdhi si një marrëveshje mes PS dhe PD, dhe, sot, nuk ka arsye të volitshme për asnjë nga aktorët politik aktual që të kërkojnë të humbin hegjemoninë që kodi zgjedhor aktual i ka dhënë partive. Ndryshimet e Kodit zgjedhor, aktualisht, duket të jetë kryesisht formale dhe aspak substanciale. Kjo lë të mendohet se askujt nuk i intereson një reformë e thellë e sistemit zgjedhor, që do të bënte të mundur eliminimin e listave të përpiluara nga Kryetari i Partisë dhe kthimin në garim të individit direkt, si kandidat i mundshëm për të përfaqësuar partinë por i zgjedhur direkt nga populli, e jo populli që voton partinë me kandidatin anonim të zgjedhur nga Kryetari.

A mendoni se duhet një pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës?

Besoj që kjo do të ishte zgjidhja e duhur, por pakti do të duhej të niste me reformën kushtetuese zgjedhore, pasi vetëm ajo do të mundësonte një sistem përfaqësimi të drejtpërdrejtë dhe kthim në vlera të afta më pas për të hapur rrugën e reformave në tërë sistemin tonë shoqërorë. Tek e fundit nëse flasim për pakt kombëtar këtu do të duhej që tryeza të mos ishte vetëm partiakë por protagonist të saj të ishte e mbarë shoqëria, ku me të kuptoj përfaqësues nga elita ekonomike, akademike, shoqërie civile dhe intelektualë pjesë e diasporës.

Si e komentoni vendimin e BE për shtyrjen e negociatave ndaj Shqipërisë?

Vendimi i Be për shtyrjen e negociatave në arenen publike – jo pushtetase ishte i pritur deri diku dhe i bazuar mbi fakte objektive qe lidhen direkt me situaten politike te “ndezur” në Shqipëri dhe me faktin se aktualisht vëndi jonë është në një prej fazave reformuese te sistemit të vet, siç është reforma në Drejtësi. Duke u nisur nga situata institucionale që është krijuar më mungesën e institucioneve bazë të drejtësisë, siç është Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë duket të ishte utopi shpresa nga ana e qeverisë, se Shqipërisë do mund ti jepej dritë jeshile për çeljen e negociatave. Sa për faj, mendoj që përgjegjësia bie e tëra mbi politik-bërjen tonë dhe klasën politike tonën në tërësi por edhe mbi faktor të tjerë menaxhimi të brëndhëm të hallakave bashkërenduese të Shtetit siç është ai me gjyqësorin – reforma në drejtësi dhe élitën ekonomike.

Si e parashikoni gjykimin e BE-së kundrejt Shqipërisë dhe qeverisjes së partive?

BE ka disa standarte që janë pjesë e bashkimit të saj dhe mbi të cilat udhëhiqet, si pasoj kur Shqipëria ka një krizë politike të tillë ku mungon dialogu dhe vullneti real për të stabilizuar dhe forcuar pozicionin e Shtetit Shqipëtarë, mendoj që BE ka patur një qasje konform politikave të saj karshi nesh, e nga këtu ajo ka dhënë një vendim që përputhet krejtësisht me vizionin e vet europian, përtej problemeve të brëndshme që vet BE ka.

A po merr masa qeveria për zgjidhjen e problemeve që ka vendi?

Mendoj që Qeveria, aktualisht, ka më shumë qasje propagandistike se sa një vullnet real për të zgjidhur problemet e vëndit. Nuk ka një dëshirë funksionale reformuese, jo të shpejtë hë për hë, dhe as një vizion afat-gjatë plani zhvillimi të vëndit. Fakti që emigracioni është shtuar në shifra alarmante, me një dëshirë të ethshme të shqipëtarëve për të abandonuar vëndin, tregon që politikat e ndërmarra janë të dobëta e/o inekszistente në kuptim konkret dhe të prekshëm nga qytetarët.

Facebook Comments