Nga Red VARAKU

◾◾◾

Sipas të gjitha të dhënave të raporteve ndërkombëtare, me Ramën Shqipëria po rrëshqiste drejt një modeli lindor, gati putinist, me një frymë të rritur autoritarizmi, media të kontrolluara, opozitë jashtë sistemit, korrupsion kapilar dhe një qeveri që ushqen përçarjen kombëtare dhe sulmon haptazi Opozitën .

Ky model në të vërtetë po krijonte një të ardhme të pasigurt për shoqërinë shqiptare, e cila reflektohet tek numri i madh i azilkërkuesve. Një regjim që nëpërmjet bashkëpunimit me krimin e organizuar kishte asgjësuar tërësisht procesin politik, si pasojë po zhdukte fare nga harta elektorale opozitën, e cila për shkak të propagandës, pak nga pak po perceptohej si fatkeqësi kombëtare.

Regjimi i Ramës ishte kthyer në një regjim që ka detyruar, jo vetëm qytetarë të thjeshtë, por edhe gazetarë të rëndësishëm të braktisin vendin dhe të kërkojnë azil politik për shkak të kërcënimit të jetës së tyre dhe familjarëve të tyre. Ishte kthyer në një regjim që ka mbyllur media vetëm për shkak se ato media denonconin aferat e qeverisë së tij, duke kërcënuar seriozisht pushtetin e tij, siç ishte rasti i televizionit Agon Channel.

Një regjim, që është përfshirë në skenarë ogurzi destabilizues siç ishte rasti i votimeve pa Opozitën në 30 Qershor, i cili mund të provokonte një luftë vëllavrasëse midis shqiptarëve. Një regjim që ka bllokuar Reformën në Drejtësi nëpërmjet përpjekjes për ta kapur atë . Një regjim që nuk ka nxjerrë para drejtësisë sa e sa dosje ku janë të përfshirë eksponentë të lartë të PS-së, nëpërmjet një kryeprokuroreje tërësisht politike dhe të kapur.

Ishte pikërisht kjo situatë e rëndë , e cila e detyroi faktorin ndërkombëtar që të merrte vendimin e pakthyeshëm për zhbërjen dhe varrosjen e këtij regjimi kriminal.

Bllokimi i integrimit për Shqipërinë, nuk ishte tjetër vetëm se pjesë e skenarit për çmontimin e tij. Ky vendim u parapri nga një proces i gjatë tranzicioni, sigurisht nën ndikimin e politikës perëndimore, me qëllimin final për të zhbërë plotësisht regjimin e Ramës. Një regjim që po kthehej në një faktor destabiliteti edhe në rajon, për shkak të lidhjeve dhe projekteve të tij të dyshimta për ndarjen e Kosovës, apo për projektin antiperëndimor Surrel-Beograd të Jugosllavisë së Re.

Ky proces tranzicioni nisi qëllimisht me protestat masive studentore të dhjetorit të shkuar, të cilat Rama i shtypi me shumë dinakëri. Çmontimi vazhdoi me “bombat” e përgjimeve të Zërit të Amerikës dhe gazetës gjermane BILD. Përgjime ku parakalonin në rrezht eksponentët më të lartë të PS dhe krimit të organizuar , madje në disa prej tyre dëgjohej dhe vetë zëri i kryeministrit.

U pasua me djegjen e mandateve nga ana e Opozitës dhe pastaj me protestat popullore më masive dhe më të gjata të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë e mbase në të gjithë Ballkanin. Por, zgjedhjet pa Opozitën, e tejkaluan parashikimin e partnerëve tanë , sepse ato ishin prova finale , që zbuloi karakterin kriminal të këtij regjimi. Ky akt zbuloi se metastazat e kancerit rilindas kishin shkuar gjer në kockë të shoqërisë, që do të thotë se edhe terapia do të zgjasë pak.

Një proces, që është drejt përfundimit dhe finalizimit , edhe pse përpjekja për t’i rezistuar ndryshimit nuk ishte parashikuar të ishte kaq e pacipë.

Sado përpiqet që Rama shfaqet i qetë në publik, ai e di që fati i tij është vulosur në mënyrë të pakthyeshme. Ashtu si në Kosovë dhe Maqedoni, edhe në Shqipëri fundi i establishmentit të vjetër politik, i cili mishërohet plotësisht tek personaliteti i Ramës, tashmë është i qartë.

Edhe pse hyj tek ata njerëz që mendojnë se Rama, jo vetëm duhet larguar sa më shpejt nga pushteti , por duhet edhe të përfundojë në qeli, sforcimi i Opozitës drejt vendimeve të nxituara më duket i pavend, sepse mendoj se Opozita e ka bërë betejën e saj , ndoshta ndër betejat më të mëdha, që ka bërë ndonjë Opozitë në historinë shqiptare të pluralizmit, sepse përballë ka pasur një mutacion politik unik për nga lloji dhe soji.

Tanimë përfundimin e këtij operacioni, siç po shikohet edhe nga ofensiva perëndimore, që ka nisur menjëherë pas 30 Qershorit si asnjëherë tjetër, e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët, të cilët janë të angazhuar në imponimin e plotësimit të nëntë kushteve të Bundestagut nga ana e qeverisë shqiptare , që në fakt do të thotë zgjedhje të parakohshme me kodin e ri zgjedhor. Pra, operacioni për ç’rrënjosjen e establishmentit të korruptuar në Tiranë me të njëjtën metodologji që u aplikua në Maqedoni dhe Kosovë, është drejt fundit dhe çdo nxitim ose gabim sigurisht që nuk do të bënte tjetër vetëm se do ta hidhte në erë produktin e saj .

Shqipëria është me fat që ka kaq shumë mbështetje në rrugën e integrimit europian! Qeverisë nuk i ka mbetur rrugë tjetër vetëm se të plotësojë të gjitha kushtet e Bundestagut. Sepse Shqipëria ka nevojë për një Qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri që e ka prioritet integrimin europian, një qeveri që punon për shqiptarët dhe Shqipërinë si gjithë Europa.

Facebook Comments