◾◾◾

Me shqipëruesin e njohur të letërsisë hispanike. Do doja të isha në një darkë me Flutura Açkën, Agron Tufën dhe Agim Baçin
“Pedro Paramo” një nga librat monumental të letërsisë hispanike ka vetëm pak që ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Bajram Karabollit. Rulfo është vetëm një; në oqeanin e madh të kësaj letërsie që prej kohësh kanë nisur të flasin në shqip; nën shqipërimin e Karabollit. Me atë tërheqjen që ta jep natyrshëm përkthimi, Bajram Karabolli njësohet lehtë me autorët e librave që ka përkthyer. Përkthyesi është zëri i autorit në gjuhën që e ka sjellë. Më poshtë ai bëhet pjesë e rubrikës “librat e zemrës” e suplementit Literatura.

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

“Ema Bovarí” (Gustave Flaubert), “Aana Karenina” (Leon Tolstoi), “Martin Iden” (Xhek London), “Mbi heronjtë dhe varret” (Ernesto Sabato), “El Aleph” (Borges), “Saga e Forsajtëve” (Xhon Gollsuorth), “Pedro Paramo” (Huan Rulfo), “Festa e cjapit” (Mario Vargas Losa), “Detektivët e egër” (Roberto Bolanjo), “Aura” (Carlos Fuentes), “Pallati i ëndrrave” (Kadare), “Lumi i vdekur” Jakov Xoxe), “Gurit të varrit ia rrëfej” (Agron Tufa), “Biri i botës” (Demir Gjergji), etj.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Pedro Paramo” i Juan Rulfo-s

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

“Lulet e mollës” ” (Xhon Gollsuorth), “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje” (Stefan Cvajg) “Fati i njeriut” (Mihail Shollohov), “Erdha vetëm për të folur në telefon” (Gabriel G. Markes), ”Para ligjit” (Kafka), “Mrekullia e fshehtë” (Borges) ,“I vdekuri dhe stuhia” (Ervin Nezha), “Shamiverdha” (Thanas Medi), etj.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Lexoj shumë: Romanin, tregimin, poezinë, esenë, etj. Pak kam lexuar: drama, komedi dhe, sidomos, libra biografikë.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Ndoshta, “Napoleon de Marengó a Waterló” (General Baron de Marbot) dhe koleksion i gazetës “Dielli” (1916 – 1924)

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Martin Iden i romanit “Martin Iden” (Xhek London)

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Mbase është e veçantë që unë nuk e kam nisur leximin me libra për fëmijë, pasi më mungonin, por me: “Hanko Halla” (Ali Asllani), “Bagëti e bujqësia” dhe “Qerbelaja” (Naim Frashëri), “Baba Tomorri” (Çajupi), etj. Këto ishin librat që kishte im atë. Leximin e librave për moshën e kam nisur pas klasës së katërt fillore, ndërsa në pallatin qiellor të letërsisë kam hyrë në vitet e gjimnazit, ku kam përpirë, pothuaj, gjithë letërsinë e përkthyer dhe atë tonën.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Po. Sa herë që regjimi komunist ndalonte libra. Fjala vjen, romanin e Dhimitër Xhuvanit “Tuneli”, unë nuk e kisha lexuar dhe e kërkova, pasi qe ndaluar, gjë që ishte me shumë rrezik. Por, telash i madh ishin edhe shumë libra të tjera të ndaluara që i mbaja fshehur.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Në atë kohë terrori, unë isha arratisur nga realiteti vrastar dhe isha strehuar në realitetin e letërsisë artistike. Kësisoj, ky realitet imagjinar ka ndikuar fuqishëm në formimin e karakterit dhe personalitetit tim. Unë jetoja me heronjtë e librave artistikë dhe jo me heronjtë e punës socialiste. Janë të shumtë personazhet e librave, të cilët kanë lënë gjurmë të fuqishme në jetën time. Po përmend disa: Martin Iden, Ema Bovari, Ana Karenina, Gregor Melehovi, etj.

Nga librat që keni lexuar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

“Pedro Paramo” (Juan Rulfo), “Mbi heronjtë dhe varret” (Ernesto Sabato), “Festa e cjapit” (Mario Vargas Losa), po edhe të tjerë.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Ferma e kafshëve” (George Orwell)

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Agron Tufa, Flutura Açka dhe Agim Baçi.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Ka vite që e kam kohën shumë të kursyer dhe, para se t’i futem leximit të një libri, informohem mirë për vlerat e tij. kështu që nuk e lë në mes.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Siç thashë edhe më lart, pak interes kam për librat biografikë, të cilët po pushtojnë vitrinat e librarive. Nuk kam menduar kurrë të shkruaj ndonjë autobiografi.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Dikur, edhe i kthehesha ndonjë libri për herë të dytë si për shembull: “Ema Bovari” (G. Flaubert), “Doni i qetë” (M. Shollohov), “Lulet e mollës” (Xh. Gollsuorth), apo ndonjë tjetër. Kam kohë që mund të rilexoj ndonjë faqe apo fragment të librave më të pëlqyer, por jo tërë librin. Kjo, thjesht për kursim kohe.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Janë shumë. Aq shumë, sa, vërtet, ndihem keq t’i përmend.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Duke përkthyer autorë të huaj, unë përherë jam duke lexuar. Kur e përzgjedh vetë autorin dhe librin që do të përkthej, e lexoj si i babëzitur. Ndërsa librat e porositura nga botuesi janë ndryshe. Ka nga ato që më tërheqin, por ka nga ato me të cilat nis përkthimin, pa i lexuar.

Facebook Comments