Përgatiti Bislim ELSHANI

◾◾◾

Duke hulumtuar kohët e fundit për fenomenin Handke dhe akademinë suedeze të Nobel-it, zbulova një iluzion që vazhdon të qarkullojë akoma midis intelektualëve tanë: atë të trajtimit ndaras të veprës artistike nga autori dhe jeta e tij private. Në librin e tij “mbi shkrimtarin dhe fantazmat e tij” Ernesto Sabato argumenton se shkrimtari dhe vepra janë një. Sidoqoftë, edhe po u trajtuan ndaras, mos vallë vepra e Handkes është e pafajshme dhe vetëm thjesht një lojë inteligjente tekstore ashtu siç argumentuan zyrtarët e akademisë suedeze? Studiuesi gjerman Jürgen Brokoff pohon të kundërtën, se në fakt e keqja e Handkes konsiston në artin e tij, përkatësisht, në veprën e tij artistike dhe jo në deklaratat e tij publike. Ai i kishte bërë qëmoti anamnezën të gjitha veprave letrare e eseistike që Peter Handke i kishte shkruar për problemin jugosllav që nga fillimi i viteve 90 e deri në vitet 2000, duke nxjerrë në pah synimet pseudoartistike dhe thellësisht joetike të autorit.

Duke trajtuar falsitetin etik të estetikës së Handkes, Jürgen Brokoff argumenton se Handke kthen përmbys raportin e bukur/e shëmtuar. Normalisht, komponenti i së shëmtuarës në art vihet në shërbim të së bukurës kontekstuale etike dhe estetike. Përkundrazi, lojërat e bukura tekstuale, simbolike, metaforike dhe alegorike të Handkes në veprën e tij vihen në shërbim të shëmtisë morale dhe të së keqes njerëzore. Brokoff përfundon:

“Degradimi i vërtetë i këtij autori nuk ndodh në fushën e politikës, por në fushën e letërsisë. Përvetësimet shumë të rafinuara dhe strategjike tekstuale nga gjuha e nacionalizmit serb, insinuatat e tij anti-myslimane dhe anti-shqiptare në rrafshin simbolik dhe tallja e tij me viktimat muslimane të luftës në Bosnje e bëjnë këtë shumë të qartë. Është diçka e pavlerë dhe triviale që Handke të kritikohet për deklaratat e tij politike publike në dukje naive. Përkundrazi, është koha të kuptohet që një autor i një niveli të tillë si Handke mund të përbëjë rrezik. Ideologjia e tij, e bazuar në shmangien e supozuar të gjërave triviale dhe në përdorimin e mjeteve artistike, pikërisht për shkak të procedimit kaq subtil, përbën njërin nga rrëshqitjet (dalje nga binarët) më problematike të një autori gjermanofon pas Luftës së Dytë Botërore. Fakti që kjo ideologji jo vetëm thjesht është e pranishme, por edhe e depërton thellë veprën e tij – pa dyshim të rëndësishme, – duhet të jetë një shkak për shqetësim.”

Facebook Comments