Përgatiti Indrit VOKSHI

◾◾◾

lindi me 22 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës. Emri i tij ishte Zef Ndoka. U dorëzua prift, françeskan e u njoh si At Gjergj Fishta ose patër Gjergj Fishta. Shqiptari i parë i nominuar për çmimin Nobel. Ky personalitet me veprën “Lahuta e Malcis” i ka dhanë secilit shqiptar nxitje e shkëndijë për t’i vluar gjaku i patriotizmit, gjaku i përkatësisë e i mbrojtjes së vendit dhe krenarisë shqiptare. Megjithatë, po të arrish ta kuptosh ai nuk është thjesht shkrimtar romantik por edhe teoricien politik. Tek poema “Shqypnia e Lirë” ai shpall se shteti i ri i Shqipnisë duhet të jetë sovran, “me gjithkënd vllazën e shokë, por secili n’cak të vet”. Meqenëse poema është shkruar në vitin 1921, mbas mbylljes së Konferencës së Versajës kur Shqipnia u la e copëtuar kështu siç është sot, Gjergj Fishta nuk pajtohet me fatin por, shkruan si udhëzim për brezat e ardhshëm: “Nesër, me ndihmë t’Zotit, do ta bajm prap Shqipnin t’lirë, prej Preveze n’leqe t’Hotit, prej Tivarit n’Manastir. Edhe flamuri i Shqipnisë si flakë vnie e Perenis, do t’valvitet n’Kaçanik”. Ai kumton se pavarësisht si vendosi Versaja, ne nuk duhet të heqim dorë prej Bashkimit të Shqiptarëve, sepse nesër vjen rasti përsëri. Në poemën “Çohi t’dekun” ai vajton përvuajtshëm humbjen e tokave, qyteteve e fshatrave shqiptare duke shkruar: “Maroi Kosova, Janina hupi e ndoshta Tepeleni, shkoi Manastiri, Dibra e Gjakova, vendet ma t’mira ne na i morri shkau, e çasht ma zi aj vlla me vlla na dau”. Ndërsa në poemën “Mehmet Ali pasha” ai qorton vllavrasjen e shqiptarëve për llogari të t’huajve. Mehmet Ali pasha, ambasador i sulltanit në Kongresin e Berlinit vjen në Gjakovë dhe u kërkon shqiptarëve t’i dorëzohen tokat Malit të Zi. Klanet shqiptare, nga njana anë Abdullah begu që e kishte strehuar me besë ambasadorin, përplasen me klanin e Lidhjes Ahmet Korenica e Sulejman Vokshi të cilët kërkonin kokën e Memhet Alisë. Fishta shkruan: “Shqiptar, po tu u vra mes veti, për nji pashë që e çueka mreti.. A sheh njiher sa e zezë ni provë, asht tu e rrek sot mbi Gjakovë, veç për shkak t’ni njeri t’huej, që veç dam, nji t’mirë s’suell kuej. Plot tri dit e plot tri net, krisi pushka npër qytet, der sa n’mramje kulla u muer, e u ra pasha mbshtill n’kujer”. Kudo në veprën e tij, Fishta lëshon thirrje për bashkim, bashkim gegë-toskë, bashkim musliman e të krishten, për Shqipni. Pra vepra e Gjergj Fishtës nuk është poemë me lëndina, lule e zogj që cicërojnë. Ajo është manifesti politik për kombin shqiptar në Ballkan, manifest i shprehur me rima. Manifest ku jepet amanet për bashkimin e tokave që na janë marrë me dhunë e “Pleqni t’Parisit”, sovranitet por edhe miqësi me të tjerët, gjithashtu bashkim, jo vllavrasje. Fishta me veprën e tij mbetet i rrezikshëm për çdo projekt anti-kombëtar e deedukues. Prandaj komunizmi në vitin 1961 ia zhvarrosi eshtrat dhe ia flaku në lumin Drin. Enver Hoxha e ka kritikuar në “Zëri i Popullit” si njeri tradhëtar i cili “donte të na armiqësonte me popujt e Jugosllavisë”. Ismail Kadare, gjithashtu, pas Enver Hoxhës, ka shkruar po në “Zëri i Popullit” se Fishta është element regresiv, obskurantist e i dëmshëm. Megjithatë, Zoti është i madh, mundi nuk humb e kështu sot 158 vite pas lindjes dhe 89 vjet pas vdekjes së Fishtës, shqiptarët nderojnë atë dhe i mësojnë vargjet e tij përmendësh. Ndërsa ata të cilët e linçuan nuk nderohen prej askujt. Fishta e pati zemrën flakë për ketë vend e për ketë popull, se nuk shpjegohet ndryshe ai pasion në të shkruar dhe ajo zjarmi në shprehje. Nuk shau as e denigroi popullin shqiptar por theksoi se prej kësaj rrace ka lindur Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit e Gjergj Kastrioti-Skëndërbe, duke u kujtuar kësisoji se mundësitë i kemi. Kemi marrina e devijime por kemi edhe potencial të dëshmuar përgjatë shekujve. Ai sikur synonte t’i jepte kurajë një populli të traumatizuar nga luftrat ballkanike, të sakatuar në jetë e në pasuri, të shuar në shpresë e në perspektivë. Në rolin që i kishte caktuar vetes e i kishte caktuar Zoti, si prift për të trajtuar shpirtra e zemra, Gjergj Fishta u tha shqiptarëve kur ishin në gjendjen më të dëshpëruar të tyre: çohuni, ngrihuni, mundeni, çfarëdo që ka ndodhur, ju do të fitoni, sepse ju jeni këta, nipat e burrave të fortë e me nam. Ky qe mesazhi. Çdo fëmijë në fillore e nëntëvjeçare e çdo adoleshenti në gjimnaz i duhet mësuar “Lahuta e Malcis”.

At Gjergj Fishta

Facebook Comments