Nga Pano SOKO

◾◾◾

Negociatat me BE do të hapen kur Shqipëria mos jetë titull dokumenti, por të jetë palë negociuese. Dhe të jesh palë, do të thotë të jesh i barabartë.
Europa pas 20 vitesh është qartësuar që nuk është ofiçinë makinash të shkatërruara nga shoferë të dalë mendsh.
E natyrisht nuk është as sallë reanimacioni..apo as kopësht publik fëmijësh.

Ishte një kohë kur mund të ishte dhe ofiçinë, dhe ne patëm 30 vjet kohë të përfitonim nga bujaria e tyre, siç përfituan disa të ngjashëm me ne. Por ne s’e shfrytëzuam atë rast. Ishim shumë të zënë duke majmur xhepa të thellë hajdutësh dhe Ego të sëmura despotësh.

Iku tani. Është tjetër lojë tashmë.

Europa kërkon që brenda saj të jenë vetëm të ngjashëm me të.
A do ta pranoje ti të jetoje në një shtëpi me dikë që s’punon por që shikon si të përfitojë ushqimin dhe të tjerat nga të ardhurat e tua? – As ata.

Dhe kur them Europa, tashmë nuk bëhet fjalë për qeveritë e Europës. Bëhet fjalë për popujt. Ne na duhet të bindim popujt e Europës që Shqipëria është në të njëjtin nivel me ta, që të mund të na pranojnë brenda tyre.

Prandaj mos u gënjeni. Nuk janë as 7, as 9, as 19 kushtet. Qeveritë kërkojnë aq. Popujt kërkojnë shumë më shumë.

Ata na pranojnë kur ne të kemi shtet.
Kur pushtetet të jenë të ndara nga njëra tjetra.
Kur të jemi të gjithë të barabartë përballë ligjit.
Kur të kemi një parlament që zgjidhet demokratikisht.
Kur populli të ketë të drejtë të zgjedhi vetë deputetët.
Dhe kur këta mos jenë kriminelë.
As analfabetë funksional..
As idiotë..
As dele..

Kur partitë mos jenë më prona private individësh.
Ku populli të jetë vërtet sovrani, jo thjesht në letër.
Kur të kemi një sistem shëndetësor që pambukun, shiringën, batanijen, ilaçin ta siguron spitali, nuk e merr nga shtëpia.
Kur të kemi shkolla që prodhojnë dije, jo diploma.
Kur në 10 lekë taksa, mos vidhen 9 dhe 1 të investohet.
Kur mos nxjerrim më ligje që vjedhin pronën publike.
Kur të dënojmë atë që vjedh në doganë, jo atë që shet spinaq.
Kur administrata ta shohi qytetarin si mbret, jo anasjelltas.

Kur të kemi vërtet treg të lirë, jo një tufë monopolesh.
Kur të respektojmë investitorin dhe të krijojmë kushtet optimale për iniciativën e lirë qē prodhon vende pune.
Kur ekonomia mos jetë e kapur nga një grusht oligarkësh.

Kur kriminelët t’i çojmë në burg, jo t’iu japim tendera.
Kur të jemi të kujdesshëm me lekët që marrim borxh në emër të shtetit.

Kur të mos i rrisim taksat çdo vit.

Kur mos jemi më fabrikë drogërash.
As pikë shumice.
As lavatriçe parash që vijnë nga droga.
Kur mos bëjnë ligjin ata që janë në burg.
As mos porosisin vrasje nga burgu.

Kur të respektojmë hapësirën publike.
Të ruajmë trashëgiminë tonë.
Të kemi respekt për historinë tonë.

Kur të respektojmë natyrën.
Kur mos prishim parqet.
Kur të mos presim pemë dhe të ndërtojmë pallate.
Mos shkatërrojmë pyje, lumenj e liqene për një grusht lekësh.

Kur të respektojmë të drejtat e njeriut.
Kur të kemi ujë të pijshëm 24 orë.
Edhe drita.
Të respektojmë të drejtën e të pasurit një shtëpi ku të fusësh kokën.
Kur të respektojmë pronën private dhe ta çojmë atë përfundimisht tek i zoti.

Kur të ndihmojmë fermerin tonë, jo të serbit apo maqedonasit.
Kur të mos përmbytet toka e punuar çdo vit.
E as qytetet.

Kur policia të mos jetë më kamzhik në duart e politikës, por mburojë e ligjit.
Kur polici të jetë i pari që respekton ligjin.
Kur të protestuarit mos quhet më shkelje ligji.

Kur të mos cënohet e drejta e fjalës me ligje gjoja anti-shpifje.
Kur TV kombëtare që marrin frekuncat publike, të jenë zëri dhe veshi i qytetarit, jo qeverisë së rradhës.
Kur të kemi gazetarë, më shumë sesa yzmetqarë.

Kur të respektojmë njëri tjetrin dhe mos vritemi për një parkim makine.
As për një vijë uji.

Kur mos lëmë plehrat te dera e pallatit, po t’i hedhim në kosh.
Kur të kujdesemi për pastërtinë e qytetit, siç kujdesemi për pastertinë e shtëpisë.
Kur të respektojmë rregullat e qarkullimit rrugor.
Kur të respektojmë shtresat në nevojë.
Kur të kujdesemi për atë që është e të gjithëve, njëlloj si atë që është personale.

Kur të mos jemi më një tufë individësh, por të jemi një shoqëri.

Vetëm atëherë mund të ulemi në negociatë me Europën si të barabartë.

Vetëm atëherë popujt e Europës do të na konsiderojnë një prej tyre..

Facebook Comments